Ushtria angazhohet në shuarjen e zjarrit në malin e Shëngjinit

  • 25 August 2016 - 13:02
Ushtria angazhohet në shuarjen e zjarrit në malin e Shëngjinit

Forcat e Armatosura kontribuuan sot në operacionin për shuarjen e zjarrit masiv që përfshiu pasditen e djeshme malin e Shëngjinit në Lezhë, nga i cili rrezikoheshin banesa, por dhe cisterna karburanti, të cilat ndodhen afër portit.

Nëpërmjet një deklarate për mediat nga MM, bëhet e ditur se “Në këtë operacion u angazhuan mbi 100 efektivë të Batalionit Vau i Dejës dhe Batalionit Komando. Forca Ajrore u angazhua me një helikopter gjatë pasditës së djeshme. 

Forcat e Armatosura në bashkëpunim me Emergjencat Civile punuan deri në orët e para të mëngjesit të sotëm, kur dhe u bë e mundur shuarja e zjarrit”, raporton ATSH.   “Në mbështetje të këtij operacioni u angazhuan edhe 5 mjete transporti dhe 2 ambulanca, të gatshme për evakuim banorësh të rrezikuar dhe dhënie ndihme.

Njëherësh, 4 mjete zjarrfikëse të Komandës Mbështetëse u angazhuan në operacionin për fikjen e zjarrit në malin e Shëngjinit në Lezhë. Aktualisht rreth 20 forca po qëndrojnë në terren për të shmangur mundësinë e riaktivizimit të ndonjë vatre”,  thuhet në deklaratë.

(Kosova Sot)