Tanket turke shkatërrojnë 70 pozicione të ISIS në Siri

  • 25 August 2016 - 16:43
Tanket turke shkatërrojnë 70 pozicione të ISIS në Siri

Kufijtë duhen pastruar nga elementët e ISIS-it e me këtë arsyetim Turqia nisi një operacion të gjerë ushtarak në veri të Sirisë.

Bombardimi i egër i pozicioneve të terroristëve në Xharablus u pasua nga dërgimi i dhjetëra tankeve në terren, 70 shënjestra janë shkatërruar atje nga zjarri i artilerisë e goditjet me raketa e 12 të tjerë nga sulmet ajrore. Qëllimi i mësymjes është ndër të tjera edhe bllokimi paraprak i çdo tentative të kurdëve sirianë për t’u vendosur në afërsi të kufirit. Forca speciale turke kishin hyrë më herët në Siri si pjesë e ofensivës që nuk kurseu as goditjen e paraushtarakëve kurdo-sirianë në zonë.

Ankaraja është e vendosur të mos i lejojë të mbushin vakuumin që do të linte pas tërheqja e ISIS në rajonet kufitare me Sirinë. Shqetësimi i saj është se kurdët mund të krijonin një zonë autonome e cila të kthehej më pas në një vatër të separatizmit kurd brenda vetë Turqisë.  ISIS-i ishte dhe arsyeja e bastisjeve të orëve të para të ditës në Stamboll nga njësitë turke të antiterrorit.  Me luftën e Sirisë, Turqia është zhytur gjithmonë e më thellë në një konflikt interesash.

 Nga njëra anë deklaroi se dëshironte rrëzimin e Bashar Assadit, ndaj dhe mbështeti terrorsitët sunitë. Por, distancimi i mëvonshëm i saj duket e ka shtyrë ISIS-in ta rendisë tashmë në listën e armiqve. Nga ana tjetër, ekzekutivi turk sheh me shqetësim se si kurdët po e shtojnë influencën e tyre në veri të Sirisë e të Irakut dhe frika se kurdët në fund do ta themelojnë shtetin e vet, e nxit të hidhet në veprim.

(Kosova Sot)