Mustafa: Shërbimi civil ka rol të rëndësishëm në progresin e Kosovës

  • 25 August 2016 - 16:47
Mustafa: Shërbimi civil ka rol të rëndësishëm në progresin e Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, është takuar me kryetarin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil, Shkëmb Manaj, që u shoqërua nga anëtarët e këtij këshilli.

Gjatë takimit, zyra e kryeministrit njofton se u bisedua për mundësitë e fuqizimit të shërbimit civil, nevojën e ndryshimit të legjislacionit përkatës, avancimin e proceseve që lidhen me strukturimin dhe aspektet tjera që lidhen me reformimin e shërbimit civil në Kosovë.

Mustafa vlerësoi lartë punën dhe angazhimin e Këshillit duke ofruar përkrahjen e plotë të Qeverisë për kryerjen e përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.

Ai po ashtu theksoi orientimet e Qeverisë së Kosovës për reformimin e shërbimit civil dhe avancimin e gjithanshëm të tij, duke theksuar rolin e rëndësishëm që ka shërbimi civil në progresin e gjithanshëm që po arrihet në Kosovë.

Mustafa theksoi hapat që po ndërmerren nga Qeveria në eliminimin e çdo lloj keqpërdorimi dhe parregullsie, veçanërisht në aspektin e keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe akteve korruptive.

Kryetari i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil, Shkëmb Manaj, e njoftoi Mustafën për punën dhe përkushtimin e anëtarëve të Këshillit për të kontribuar në avancimin e shërbimit civil të Kosovës.

Duke kërkuar përkrahjen dhe bashkëpunimin e mëtejmë të Qeverisë, Manaj shpalosi edhe objektivat kryesore të Këshillit.

(Kosova Sot)