Oligarkët lakuriq

  • 26 August 2016 - 07:29
Oligarkët lakuriq

Çmitizimi i VIP-ave të politikës dhe luftës së UÇK-së

Populli po e sheh fytyrën e tyre të vërtetë 

Sipas analistëve, qytetarët pas luftës thurën elozhe, duke mitizuar disa politikanë, por tash pas skandalit të përgjimit po e shohin se "heronjtë" e djeshëm janë zhvatësit e sotëm

Publikimi në mediet kosovare i aferës "Pronto 1" dhe "Pronto2 ", sipas analistëve politikë dhe opozitës, është një tregues shumë i qartë se në Kosovë qytetarët duket se më në fund edhe kanë filluan që të çmitizohen nga figurat e larta politike. Sipas tyre, publikimi dhe zbardhja e bëmave të pushtetarëve aktualë po demaskon "kumandantët" e ishgueriles kosovare të UÇK-së dhe pacifistëve të dikurshëm. Deputeti opozitar i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoti (Nisma), tha për "Kosova Sot" se që nga ardhja në pushtet e koalicionit të "elefantëve" kanë filluar të bien maskat e politikanëve. Sipas tij, njerëzit jo fort moti edhe kanë thurur mite dhe elozhe për figura të caktuara qoftë të luftës apo pasluftës. "Vetëm faktori kohë e tregoi fytyrën e tyre të vërtetë, sepse në fakt ata nuk ishin as çlirimtarë e as të lëvizjes paqësore të rezistencës, duke treguar se nuk janë gjë tjetër veçse një klan mafioz i pushtetarëve tanë të korruptuar", është shprehur ai. Hoti ka thënë troç se pushtetarët e tashëm ishin dhe mbesin mashtrues ordinerë e të inkriminuar. "E keqja është se nga po këto klane të pushtetarëve aktualë, po votohen njerëzit kryesorë të këtij koalicioni në pushtet për 15 vite rresht vetëm nga aparatura e punësuar shtetërore, që është e përbërë me mbi 90 mijë të punësuar të tyre nëpër institucione që bashkë me familjarët e tyre arrijnë në shifrën e mbi 450 mijë votuesve", thotë ai. 

Qytetarët e dinë kush është Hashimi, Kadriu, Isa

Frashër Krasniqi, nga lëvizja "Vetëvendosje" tha për "Kosova Sot" se ka goxha kohë që qytetarët e Kosovës e dinë mirë se kush është Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Isa Mustafa. "Ata e njohin veprimtarinë e PDK-së e SHIK-ut, dhe LDK-së e cila vazhdimisht ka qenë në shërbim të së parës", tha ai. Sipas tij, kjo veprimtari e ka sjellë Kosovën në gjendjen që është sot: Me shtetësi jo të plotë, pa institucione të mirëfillta të drejtësisë, me një varfëri e papunësi me të lartën në rajon e më gjerë, me krim e korrupsion etj. "Për fat keq, duke e keqpërdorur pushtetin në të gjitha format, vetëm në këtë mënyrë ia kanë siguruar vetes qëndrimin në pushtet. S'bëhet fjalë këtu për ndonjë simpati ndaj këtyre pushtetarëve", ka thënë Krasniqi. Sipas tij, publikimi i përgjimeve e ka zbardhur edhe më shumë të vërtetën dhe kjo ka rritur edhe më tutje pakënaqësinë me këtë pushtet, "gjë e cila mendojmë se do të çojë edhe në rënien e tyre nga pushteti. Gjithnjë duke pasur mobilizim qytetar, pra protesta e aksione"... (Më gjerësisht mund t'a lexoni në numrin e sotëm të gazetës KOSOVA SOT)