Haxhiu: Ministri Bajrami po e shpenzon parën publike kot

  • 26 August 2016 - 12:25
Haxhiu: Ministri Bajrami po e shpenzon parën publike  kot

Anëtarja e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport, nga AAK-ja Teuta Haxhiu, në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", ka thënë se sado që është kërkuar që të ketë transparencë në radhë të parë, prapë po vazhdon avazi i vjetër në këtë drejtim.

 "Nëse e shikojmë në çdo shkollë, duke e ditur se tekstet barten prej vitit në vit, mund t'ju them shumë sinqerisht se ndodh që ndoshta 1 apo 2 për qind të dëmtohen ato tekste, përndryshe ato barten çdo vit, kështu që nuk është e nevojshme të ndahen të gjitha ato mjete", theksoi ajo.

Sipas Haxhiut, në pyetje janë interesat financiare dhe ministri aktual Bajrami nuk është aty për të shpenzuar pare kot së koti, por për të menaxhuar më mirë paranë publike. Ajo ka nënvizuar se qysh mandatin e kaluar, ata e kanë diskutuar shumë herë çështjen apo mjetet financiare që shkojnë për tekstet, të cilat jepen falas dhe, sipas saj, pavarësisht se sado që ky është vendim i mirë, por nuk mjafton, pasi, siç tha, është mirë që i njëjti të ndryshohet, në mënyrë që të identifikohen familjarët me mirëqenie më të mirë në raport me ata që janë në gjendje ekonomike jo të duhur.

" Ne e kemi ngritur këtë çështje edhe në Komision, por pavarësisht premtimeve të ministrit nuk është bërë asnjë hap në këtë drejtim dhe nuk besoj se ka vullnet pasi, siç thashë, gërshetohen interesat politike të individëve të caktuar dhe është mirë që shumë shpejt me pa se vërtet dikush po pasurohet duke u thirrur në interesin e nxënësve. Pra, është mirë që të ndryshohet edhe udhëzimi administrativ dhe librat falas t'u jepen fëmijëve që kanë nevojë, por mbi të gjitha konsideroj se këto mjete nuk ka nevojë të ndahen, ngase nuk shkojnë për tekste. E them publikisht se tekste nëpër shkolla vetëm për një vit mund të kenë nevojë fëmijët, ngase, në anën tjetër, të gjitha tekstet barten, dhe këtu 5 për qind e jo më shumë tekste shkojnë në vitin e ri shkollor, pasi të tjerat barten vit pas viti, dhe numri i nxënësve nuk ndryshon shumë, andaj edhe nuk ka nevojë që gjithë këto mjete të ndahen, por sinqerisht këto mjete shkojnë në xhepat e njerëzve të politikës", u shpreh Haxhiu.

(Kosova Sot)