Oligarkët lakuriq

  • 26 August 2016 - 07:29
Oligarkët lakuriq

Çmitizimi i VIP-ave të politikës dhe luftës së UÇK-së

Populli po e sheh fytyrën e tyre të vërtetë 

Sipas analistëve, qytetarët pas luftës thurën elozhe, duke mitizuar disa politikanë, por tash pas skandalit të përgjimit po e shohin se "heronjtë" e djeshëm janë zhvatësit e sotëm

Publikimi në mediet kosovare i aferës "Pronto 1" dhe "Pronto2 ", sipas analistëve politikë dhe opozitës, është një tregues shumë i qartë se në Kosovë qytetarët duket se më në fund edhe kanë filluan që të çmitizohen nga figurat e larta politike. Sipas tyre, publikimi dhe zbardhja e bëmave të pushtetarëve aktualë po demaskon "kumandantët" e ishgueriles kosovare të UÇK-së dhe pacifistëve të dikurshëm. Deputeti opozitar i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoti (Nisma), tha për "Kosova Sot" se që nga ardhja në pushtet e koalicionit të "elefantëve" kanë filluar të bien maskat e politikanëve. Sipas tij, njerëzit jo fort moti edhe kanë thurur mite dhe elozhe për figura të caktuara qoftë të luftës apo pasluftës. "Vetëm faktori kohë e tregoi fytyrën e tyre të vërtetë, sepse në fakt ata nuk ishin as çlirimtarë e as të lëvizjes paqësore të rezistencës, duke treguar se nuk janë gjë tjetër veçse një klan mafioz i pushtetarëve tanë të korruptuar", është shprehur ai. Hoti ka thënë troç se pushtetarët e tashëm ishin dhe mbesin mashtrues ordinerë e të inkriminuar. "E keqja është se nga po këto klane të pushtetarëve aktualë, po votohen njerëzit kryesorë të këtij koalicioni në pushtet për 15 vite rresht vetëm nga aparatura e punësuar shtetërore, që është e përbërë me mbi 90 mijë të punësuar të tyre nëpër institucione që bashkë me familjarët e tyre arrijnë në shifrën e mbi 450 mijë votuesve", thotë ai, shkruan sot gazeta Kosova Sot.

Qytetarët e dinë kush është Hashimi, Kadriu, Isa

Frashër Krasniqi, nga lëvizja "Vetëvendosje" tha për "Kosova Sot" se ka goxha kohë që qytetarët e Kosovës e dinë mirë se kush është Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Isa Mustafa. "Ata e njohin veprimtarinë e PDK-së e SHIK-ut, dhe LDK-së e cila vazhdimisht ka qenë në shërbim të së parës", tha ai. Sipas tij, kjo veprimtari e ka sjellë Kosovën në gjendjen që është sot: Me shtetësi jo të plotë, pa institucione të mirëfillta të drejtësisë, me një varfëri e papunësi me të lartën në rajon e më gjerë, me krim e korrupsion etj. "Për fat keq, duke e keqpërdorur pushtetin në të gjitha format, vetëm në këtë mënyrë ia kanë siguruar vetes qëndrimin në pushtet. S'bëhet fjalë këtu për ndonjë simpati ndaj këtyre pushtetarëve", ka thënë Krasniqi. Sipas tij, publikimi i përgjimeve e ka zbardhur edhe më shumë të vërtetën dhe kjo ka rritur edhe më tutje pakënaqësinë me këtë pushtet, "gjë e cila mendojmë se do të çojë edhe në rënien e tyre nga pushteti. Gjithnjë duke pasur mobilizim qytetar, pra protesta e aksione".

Heronjtë e djeshëm, të korruptuarit e sotëm

Analisti politik Fadil Lepaja tha për "Kosova Sot" se nuk duhet ngatërruar kohët. Sipas tij, luftëtarët e deridjeshëm të cilët në pjesë të madhe janë shndërruar në zyrtarë të korruptuar, së paku në nivelin më të lartë, lufta i bëri mite, paslufta në pushtet i demitizoi, kryesisht për shkak të qeverisjes së keqe, nepotizmit dhe korrupsionit. "Zhvillimi i hovshëm teknologjik, sidomos i komunikimit, rrjeteve sociale dhe medies bashkëkohore bëri të mundur demitizimin e kësaj klase në pushtet, e cila duke u thirrur në merita, i konvertoi ato në pasuri të mëdha dhe tash po i mbron ato me fuqinë e pushtetit, të cilin po e sigurojnë me votat e blera pak a shumë", ka thënë ai. Ndërsa eksperti i politikave ndërkombëtare dhe të sigurisë, Jeton Kelmendi, tha për "Kosova Sot" se skandali "Pronto" po e vetëdijeson popullin dhe fytyrat e vërteta të të ashtuquajturve "kumandanta". "Demitizimi i figurave të larta politike është një akt normal për një shoqëri në reformim. Mendoj se kësaj çështjeje i ka kontribuar edhe sjellja e disa prej këtyre figurave. Ta zëmë se çështja "Pronto 1 dhe 2" e ka çmitizuar kastën politike të çlirimtareve", tha ai. Analisti Kelmendi thotë se PDK-ja është duke u çliruar nga komandantët për çka nga brenda këtij subjekti po tentohet që ta kthejë këtë parti në parti civile dhe qytetare. Sipas analistit Jeton Kelmendi, LDK-ja është çmitizuar pas vdekjes së Ibrahim Rugovës, ndërsa AAK-ja është parti e miteve, derisa lëvizja 'Vetëvendosje', është po ashtu me mite të ndërtuara mbi Albin Kurtin, edhe pse tash ajo e ka një lider tjetër. "Duke ndërtuar mite dhe figura të paprekshme, Kosova ka krijuar kasta bandash dhe kriminelë të veshur me petkun e politikës dhe si pasojë e këtyre politikanëve, Kosova ka ngecur në integrime evropiane dhe zhvillim ekonomik e krijim të shtetit ligjor", u shpreh ai. Sipas Kelmendit, pushtetarët po identifikohen si njerëz mashtrues e gënjeshtarë, që punojnë kundër shtetit dhe interesave të qytetareve, gjë që po zbardhen qoftë me veprimet e tyre dhe nënshkrimet që i kanë bërë me marrëveshjet e ndryshme kundër interesave shtetërore, apo edhe përmes përgjimeve të fundit të publikuara së fundmi të aferës 'Pronto - 1 dhe 2'.

Kosova vuan për qeverisje kredibile

Analisti politik, Albinot Maloku, tha për "Kosova Sot" se kultura e të menduarit nga ana e qytetarëve se politikani është i paarritshëm në kuptimin e pozitës që ka dhe distancës mes tij dhe qytetarit është duke ndryshuar. Ai tha se ky ndryshim mund të jetë ndihmues edhe për raportin mes votuesit edhe të votuarit, ku edhe votuesi edhe i votuari bëhen më të ndërgjegjshëm. Maloku tha se mitizimi i figurave politike asnjëherë nuk i ka ndihmuar dhe as nuk do t'i ndihmojë së vërtetës e as prosperimit si qytetar e si shoqëri. Analisti politik, Arsim Haziri, tha për "Kosova Sot" se situata e sotme është prodhim i kësaj politike, e cila me mjetet e veta, kryesisht makiaveliste ka arritur të ketë ndikim të fuqishëm në çdo institucion dhe kësisoj ka bërë që fuqia elektorale të dhunohet, duke mos votuar drejt e në mënyrë të lire. "Situata është shkaktuar nga faktorët e jashtëm politikë, gjithnjë duke marrë për bazë edhe gjendjen e rëndë ekonomike, që tejet iu ka shkuar për shtati politikës, për të manipuluar edhe më shumë me qytetarët", theksoi ai. Haziri ndërkaq tha se çështja e përgjimeve dhe vlerësimi jo i drejtë i demarkacionit janë dy faktorë negativë, që kanë ngulfatur rëndë këtë garniturë kriminale politike, dhe pamundësia për t'i jetësuar ato procese është rezultat i rritjes së ndërgjegjes së gjerë qytetare. "Mjafton t'i përcjellim bisedat tek afera 'Pronto' dhe një mend të kuptojmë se në çfarë gjendje gjendet politika e Kosovës, në çfarë gjendje është serioziteti dhe besimi i pushtetit për t'i dhënë vendit zgjidhje racionale", tha ai. "Kosova për vite me radhë vuan nga po të njëjtët njerëz politikë, vuan për vite për një qeverisje kredibile dhe transparente, si dhe vuan për një garniturë më të pastër politike, e cila në synimet dhe agjendat e saja të ketë si prioritet zhvillimin dhe avancimin e shtetit", thotë analisti Haziri.

(KOSOVA SOT)