Vetëvendosje: Përveç veriut, Veseli i gatshëm të shesë edhe perëndimin

  • 26 August 2016 - 14:58
Vetëvendosje: Përveç veriut, Veseli i gatshëm të shesë edhe perëndimin

Dhjetëra aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje janë përleshur sot me pjesëtarët e Policisë së Kosovës, në përpjekje për të vendosur një pano në shtëpinë e prindërve të kryeparlamentarit të Kosovës, Kadri Veseli, e cila ndodhet në Mitrovicë.

Panonë me mbishkrimin ‘Perëndimi nuk falet, veriu nuk ndahet’, aktivistët e Vetëvendosjes nuk arritën ta vendosin aty ku kishin planifikuar, pasi që Policia i pengoi ata, ndërsa edhe banorët e lagjes ku jetojnë prindërit e kryeparlamentarit, u shprehën kundër një aksioni të tillë të Vetëvendosjes, duke thënë se në këtë mënyrë po shqetësohen fëmijët dhe familjet e tyre.

Fidan Ademi, aktivist i kësaj Lëvizje në Mitrovicë, tha se në këtë formë janë duke shprehur mllefin kundër kryetarit të Kuvendit të Kosovës, sepse siç u shpreh, ai nuk ka bërë asgjë për shuarjen e strukturave paralele, dhe se është i gatshëm që përveç veriut, ta shesë edhe perëndimin e vendit.

“Kadri Veseli nuk ka bërë asgjë për shuarjen e strukturave paralele. E vetmja gjë që ka bërë është se i ka formalizuar ato, duke i shtirë në institucionet e sigurisë dhe paguhen edhe me taksat tona edhe me taksat e Serbisë. Qytetarëve Kadri Veseli i takon vetëm në kohë fushate, ai e mirëmban varfërinë që e ka mbjellë vetë, duke i blerë votat e qytetarëve dhe grupit të vetë kriminal qysh e pamë sot në vepër…Për të ruajtur mirëqenien e interesave të veta kriminale dhe të klanit të vet, ai është i gatshëm që pas veriut ta shesë edhe perëndimin…Ne nuk e pranojmë ndarjen e veriut dhe as të perëndimit. Kushdo që ndihmon ose mundëson jetësimin e kësaj marrëveshje kapitulluese, do të damkoset përjetësisht me epitetin tradhtar”, ka thënë Ademi..

(Kosova Sot)