Skandali i teksteve thith miliona të tjerë

  • 26 August 2016 - 07:33
Skandali i teksteve thith miliona të tjerë

Librat shkollorë, burim korrupsioni në MASHT

Drejtësia duhet të hetojë aferën shumëmilionëshe të Ministrisë së Arsimit 

Deri kur do të tolerohet megakorrupsioni dhjetëra milionësh për çdo vit, si dhe keqpërdorimet dhe zhvatjet e buxhetit të shtetit nga mafiooligarkët e librave shkollorë dhe zyrtarëve të lartë të korruptuar të MASHT-it?

Edhe sivjet, ashtu sikurse edhe viteve paraprake, drejtuesit aktualë të MASHT-it kanë paralajmëruar implementimin e vendimit të vjetër për dhurimin e librave falas për nxënësit skamnorë, por edhe ata me gjendje të mirë sociale. Por, për dallim nga pushtetarët aktualë, janë ekspertët e kësaj fushe dhe deputetët e opozitës ata që kërkojnë urgjentisht nga pushtetarët e tashëm që ta ndërpresin këtë traditë dhe praktikë, që vlerësohet të jetë e brishtë dhe si e tillë nuk e ka qëllimin humanitar për çfarë po hiqen pushtetarët. Kjo pasi, sipas opozitarëve, tërë qëllim i këtij aksioni nga MASHT-i, fund e krye është zhvatja dhe plaçkitja e parave nga buxheti i shtetit, që janë taksat e qytetarëve tanë. Ata sugjerojnë se Prokuroria e Shtetit duhet urgjentisht të marrë masa në drejtim të hetimit të plotë të kësaj afere, në mënyrë që të zbardhet në tërësi afera e teksteve që po ndahen falas. Ndaj, është shtruar edhe çështja se përse ministri, Arsim Bajrami, po vazhdon të shpenzojë kot së koti edhe këtë vit afro 10 milionë euro për të dhënë e për të shpërndarë libra shkollorë falas për të gjithë nxënësit e shkollave parauniversitare dhe deri kur do të tolerohet mega-korrupsioni dhjetëra milionësh për çdo vit, si dhe keqpërdorimet dhe zhvatjet e buxhetit të shtetit nga mafio-oligarkët e librave shkollorë dhe zyrtarëve të larte të korruptuar të MASHT-it? Anëtarja e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport, nga AAK-ja Teuta Haxhiu, në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", ka thënë se sado që është kërkuar që të ketë transparencë në radhë të parë, prapë po vazhdon avazi i vjetër në këtë drejtim. "Nëse e shikojmë në çdo shkollë, duke e ditur se tekstet barten prej vitit në vit, mund t'ju them shumë sinqerisht se ndodh që ndoshta 1 apo 2 për qind të dëmtohen ato tekste, përndryshe ato barten çdo vit, kështu që nuk është e nevojshme të ndahen të gjitha ato mjete", theksoi ajo, shkruan sot gazeta Kosova Sot.

Ministri Bajrami injoroi deputetët

Sipas Haxhiut, në pyetje janë interesat financiare dhe ministri aktual Bajrami nuk është aty për të shpenzuar pare kot së koti, por për të menaxhuar më mirë paranë publike. Ajo ka nënvizuar se qysh mandatin e kaluar, ata e kanë diskutuar shumë herë çështjen apo mjetet financiare që shkojnë për tekstet, të cilat jepen falas dhe, sipas saj, pavarësisht se sado që ky është vendim i mirë, por nuk mjafton, pasi, siç tha, është mirë që i njëjti të ndryshohet, në mënyrë që të identifikohen familjarët me mirëqenie më të mirë në raport me ata që janë në gjendje ekonomike jo të duhur. " Ne e kemi ngritur këtë çështje edhe në Komision, por pavarësisht premtimeve të ministrit nuk është bërë asnjë hap në këtë drejtim dhe nuk besoj se ka vullnet pasi, siç thashë, gërshetohen interesat politike të individëve të caktuar dhe është mirë që shumë shpejt me pa se vërtet dikush po pasurohet duke u thirrur në interesin e nxënësve. Pra, është mirë që të ndryshohet edhe udhëzimi administrativ dhe librat falas t'u jepen fëmijëve që kanë nevojë, por mbi të gjitha konsideroj se këto mjete nuk ka nevojë të ndahen, ngase nuk shkojnë për tekste. E them publikisht se tekste nëpër shkolla vetëm për një vit mund të kenë nevojë fëmijët, ngase, në anën tjetër, të gjitha tekstet barten, dhe këtu 5 për qind e jo më shumë tekste shkojnë në vitin e ri shkollor, pasi të tjerat barten vit pas viti, dhe numri i nxënësve nuk ndryshon shumë, andaj edhe nuk ka nevojë që gjithë këto mjete të ndahen, por sinqerisht këto mjete shkojnë në xhepat e njerëzve të politikës", u shpreh Haxhiu.

Keqpërdorime të jashtëzakonshme nga MASHT-i

Ndërsa, anëtari tjetër i Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport Ismajl Kurteshi, nga Lëvizja 'Vetëvendosje!', thotë se së pari MASHT-i vazhdimisht kontrakton tekstet nga të njëjtat shtypshkronja dhe nuk kërkohen çmimet më të volitshme për Ministrinë. Po ashtu, sipas tij, nuk përllogaritet e as nuk i grumbullojnë shënimet siç duhet nga shkollat për të botuar tekste aq sa ka nevojë pasi, siç tha, në vazhdimësi me mijëra e mijëra tekste shkollore mbeten të papërdorura dhe në vend që të përdoren në vitin tjetër ato më nuk llogariten si të përdorshme dhe botohen tekste të reja shkollore. " Po ashtu, një marrëveshje ose qëndrim që ka qenë i Ministrisë dhe Qeverisë në fillim të botimit të teksteve dhe shpërndarjes së tyre falas ka qenë se nxënësit kanë qenë të obliguar t'i ruajnë tekste shkollore së paku ato të përdoren dy vjet që pastaj t'i dorëzojnë në shkollë dhe ato të përdoren edhe për gjeneratën që vjen. Por, asnjëra nga këto gjëra nuk po ndodhin, pasi Ministria, siç edhe jemi informuar edhe më herët nga mjetet e informimit, ka keqpërdorur miliona euro në emër të teksteve". Më tej, ai ka nënvizuar se në këtë aspekt do të ishte më se i domosdoshëm edhe një klasifikim i familjeve dhe prindërve të nxënësve, ngase, sipas tij, në Kosovë ekziston një kategori, e cila ka nevojë për përkrahje me tekste për shkak të gjendjes së tyre të rëndë materiale, por gjithashtu ka edhe prindër me gjendje të mirë materiale që mund t'i blejnë tekstet pa asnjë problem për fëmijët e tyre dhe si rrjedhojë një klasifikim i tillë do të ulte shpenzimet e buxhetit të MASHT-it dhe ato mjete do të shkonin për çështje të tjera, që janë shumë të rëndësishme për arsimin në Kosovë. Më tej, Kurteshi thotë se keqpërdorimet mund të shihen lehtë vetëm nga çmimi i librave shkollorë, që lëviz nga viti në vitin tjetër, diku prej 10 milionëve bie në 4 milionë, ku pastaj ngrihet dhe bëhet fjalë thuajse për tekstet e njëjta sikurse në vitin kur ato kushtojnë 10 milionë, ndërsa në vitin tjetër kur çmimi i tyre është shumë më i ulët. Kurteshi mendon se në këtë drejtim duhet të fillohen menjëherë të merren masa, që së pari Prokuroria të hetojë se çka po ndodh dhe përse tekstet e njëjta një vit kushtojnë 4 milionë, derisa vitin tjetër çmimi i tyre është 8 milionë, teksa në anën tjetër të shikohet se përse nuk bëhet përllogaritja e saktë e numrit të nxënësve dhe përse tekste shkollore, të cilat përdoren një herë ato nuk përdoren edhe për herën e dytë kur janë në gjendje të mirë ose tekste të cilat mbeten në depo ato, siç tha, asnjëherë nuk përdoren për t'i zvogëluar shpenzimet.

 

Ngec shpërndarja e teksteve

Eksperti i çështjeve të Arsimit, Halim Hyseni tha për gazetën, "Kosova Sot", se në këtë drejtim po vazhdon avazi i vjetër dhe se kjo metodologji është e gabuar derisa, siç tha, këtu ka edhe fitimtarë e përfitues teksa, sipas tij, edhe ruhen ato tekste që janë në kundërshtim edhe me kornizën e kurrikulës së re, dhe nuk janë në përputhje me të. " Nuk e di se çfarë qëndrimi ka Ministria, por, sipas të gjitha gjasave, ajo ka hequr dorë nga korniza e korrikulës së re. Për mua një vendim i tillë vërtet është plotësisht i pajustifikueshëm, dhe e dyta, siç dëgjuam nga Ministria që deklaroi se para vitit të ri duhet të bëhet shpërndarja e teksteve të cilat as nuk janë përgatitur dhe as nuk mund arrijnë që të shpërndahen deri më 1 shtator, kështu që ky vit thuajse nuk mund të fillojë në mënyrë të rregullt mu për shkak të teksteve, të cilat as nuk janë ato që duhet të jenë, e as nuk shpërndahen ashtu siç duhet të shpërndahen dhe janë me pasoja tepër të rënda", ka deklaruar Hyseni. 

(KOSOVA SOT)