Familja 7 anëtarëshe në buzë të greminës

  • 26 August 2016 - 17:31
Familja 7 anëtarëshe në buzë të greminës

Familja Musliu po jetojnë në kushte të rënda në kryeqytet.

Familja, në periudha kohore të ndryshme, vuajnë edhe për gjëra më elementare për jetë, nga ushqimi, veshmbathja, detergjenti, mungesa e orendive brenda shtëpisë e të tjera,raporton Gazeta Kosova Sot

Në një shtëpi të vogël në lagjen "Kodra e Trimave ", në Prishtinë, jetojnë familja shtatë anëtarëshe Musliu. Të lodhur e të mërzitur nga mungesa e kushteve, takuam kryefamiljarin e kësaj familjeje, Bajram Musliun. Si i paaftë për punë, për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore, ai po arrinte të mbijetonte së bashku edhe me familjen e tij me 75 euro, ndihmë kjo që po e gëzonte ai si invalid dhe i paaftë për punë dhe një ndihmë sociale në shumë prej 107 eurosh. Por të dy këto shuma, sipas kryefamiljarit Musliut, nuk janë të mjaftueshme as për bukë e lëre më për të plotësuar nevojat e tjera për shtrojë, mbulojë. "Ne si prindër të katër fëmijëve nuk po arrijmë të krijojmë kushte më të mira. Unë jam i sëmurë, bashkëshortja po duhet të kujdeset për fëmijët, të cilët janë të vegjël dhe kemi mbetur kështu si mos më keq", është shprehur ai, duke shtuar se punët i kanë keq edhe me shtëpi."Shtëpia është e vogël për shtatë anëtarë, nuk po kam mundësi ta zgjeroj me këto ndihma, ndërsa nevojat dita- ditës po shtohen", tha ai.

Vuajnë për gjëra elementare Musliu na ka rrëfyer se, përveç shtëpisë, familja në periudha kohore të ndryshme vuajnë edhe për gjëra më elementare për jetë, nga ushqimi, veshmbathja, detergjenti , mungesa e orendive brenda shtëpisë e të tjera që e plotësojnë jetën e njeriut. "E shihni ketë vendbanim, këtu ka nevojë për riparime, nga të gjitha anët pikon uji, ka lagështi dhe shpesh kjo gjendje është bërë shkas edhe i sëmundjeve të familjarëve", ka theksuar Musliu. Sido që të jetë, ai i kishte humbur shpresat për ditë më të mira, ndërsa jeta në skamje thotë se çdo ditë është më e rendë për ta. "Jeta qenka gjithqysh, por e rëndë është ajo kur nuk ke as kushte dhe je i paaftë për të punuar", thotë ai, duke shtuar se, përveç mungesës së dhomave të mjaftueshme, shpeshherë vuajnë edhe për gjëra elementare."Jeta në një shtëpi si kjo, si dhe mungesa e kushteve më elementare për jetë, po na bëjnë jetën më të vështirë", është shprehur Musliu. 

Krizë edhe për bukë Në anën tjetër, hiç më lehtë nuk e kishte edhe zonja e kësaj shtëpie, Ganimetja. Ajo thotë se më së vështiri e ka kur përballet më kërkesa të fëmijëve dhe nuk ka se çka t'u sjellë as për të ngrenë. "Nuk ka më vështirë për një prind se të ballafaqohet me kërkesa të fëmijëve dhe nuk arrin t'ua plotësojë ato kërkesa", tha ajo, duke larguar me dorë lotët nga faqet. Në anën tjetër, një shikim i humbur i Leonorës së vogël thoshte shumë. Ajo, përveçqë dëgjonte me kujdes ankesat e prindërve, kishte edhe vetë një ankesë. Kryesorja ishte shtëpia pa kushte për të cilën u shpreh se do të dëshironte të kishte një shtëpi më të mirë. Ndërkohë, derisa e gjitha familja ankoheshin pamjet e një shtëpie në mungesë të gjithçkaje flisnin më shumë dhe kjo mjaftonte vetëm të hidhej një vështrim rreth e rrotull.Pothuajse në të gjitha anët e shtëpisë kishte nevojë për intervenime. Por, sigurisht se kjo gjë do të ndodhte vetëm po të intervenonte dikush e t'u dilte në ndihmë nga institucionet apo bamirësit, sepse vetë familja nuk kishin mundësi të ndryshonin asgjë. 

E ardhmja, e pasigurt E gjithë hapësira ku po jetonte familja nuk i ngjante një objekti normal banimi për njerëzit, por më shumë një shtëpie të braktisur. "I kam humbur të gjitha shpresat. Për ditë më të mira sëmundja më ka pamundësuar të kujdesem edhe për familjen , ndërsa institucionet na kanë harruar. Askush nuk çan kokën për ne, po edhe të vdesim urie. Fëmijët po më dhimbsen, ata po vuajnë në mungesë të gjerave më elementare për jetë e herë-herë edhe të ushqimit të mjaftueshëm,veshmbathjes e çka jo tjetër', theksoi Ganimetja. "Kam frikën për të ardhmen e tyre, po mundohem të mos i lë pa shkollë, ndoshta kur të rriten do t'ia krijojnë vetës një jetë më të mirë se sa kjo që tani ata kanë në fëmijëri", u shpreh më tej ajo. U ndamë edhe nga një familje më shumë, e cila apelon për ndihmë, me shpresën se do t'i përmirësojnë kushtet e rënda të banimit dhe të jetesës.

Për të gjithë ata që kanë mundësi t'i ndihmojnë kësaj familjeje, këtë mund ta bëjnë në numrin direkt të familjes që është: 045- 522 -879

(Kosova Sot)