PDK i quan sjelljet e VV-së vandaliste dhe kërcënuese

  • 26 August 2016 - 18:14
PDK i quan sjelljet e VV-së vandaliste dhe kërcënuese

Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, aktivistë të së cilës shkuan sot para shtëpisë së kryeparlamentarit Kadri Veseli duke tentuar ta ngritin një pankartë.

Sipas PDK-së, kjo ishte sjellje vandalizmi nga VV-ja e cila ka tentuar ta kërcënojë familjen dhe të dhunojë pronën privatë të Veselit në Mitrovicë.

Për PDK-në, siç thuhet në reagim, janë të mirëpritura çdo lloj i shprehjes së pakënaqësive që parashihet me Kushtetutë, por sjelljet e dhunshme dhe kërcënimet për realizimin e qëllimeve politike janë të dënueshme.

Lexoni reagimin e plotë të PDK-së:

Partia Demokratike e Kosovës dënon ashpër sjelljet vandaliste të Lëvizjes Vetëvendosje e cila përmes aktivistëve të saj ka bërë përpjekje që të kërcënojë familjen dhe të dhunojë pronën private të familjes së liderit të PDK-së, Kadri Veseli, në Mitrovicë.

Partia Demokratike e Kosovës, mirëpret çdo lloj shprehje të pakënaqësisë apo protestave, të garantuara me ligje e Kushtetutë, mirëpo dënon ashpër çdo përpjekje që përmes dhunës dhe kërcënimeve të bëhen përpjekje për realizimin e qëllimeve politike.

Familja dhe prona në traditën tonë gjithmonë janë konsideruar të shenjta dhe asnjëherë nuk janë cenuar nga politika.

PDK fton organet e rendit dhe drejtësisë që mos të lejojnë asnjë sjellje vandaliste, ndërsa i fton qytetarët e Kosovës që të kenë besim tek institucionet e Republikës së Kosovës, të ruajnë gjakftohësinë dhe mos të provokohen nga sjelljet e dhunshme nga kushdo që dëshiron ta shpërbëjë Republikën e Kosovës e cila ka arritur këtu falë punës dhe përkushtimit të gjeneratave të tëra të qytetarëve tanë dhe ndihmës së miqve ndërkombëtarë.

(Kosova Sot)