Prokuroria nuk e përjashton mundësinë për hetime ndaj Thaçit e Veselit

  • 26 August 2016 - 23:08
Prokuroria nuk e përjashton mundësinë për hetime ndaj Thaçit e Veselit

Adem Grabovci mund të mos mbetet protagonisti i vetëm i Dosjes së Shefave ndaj të cilit Prokuroria e Shtetit ka nisur hetime.

Kështu ka paralajmëruar prokurorja Drita Hajdari, e cila ka thënë se nëse gjatë hetimeve për përgjimet zbulohet “diçka e dyshimtë ose elemente të veprës penale, ne nuk do të hezitojmë.”

Në këtë kontekst, hetimet mund të nisin edhe ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, dhe zyrtarëve të tjerë të lartë të PDK-së të cilët dëgjohen në një numër përgjimesh telefonik të bëra publike.

“Do të ngritim hetime ndaj çdo zyrtari duke përfshirë edhe ata në poste të larta të Qeverisë së Kosovës. Nuk do të bëjmë përjashtim për askënd, sepse e kemi vullnetin dhe mbështetjen për t’i quar përpara hetimet. Ekipi i prokurorëve sot kemi nxjerrë një aktvendim për fillimin  hetimeve në bazë të provave fillestare me të cilat disponojmë ndaj Adem Grabovcit. Tani do të shohim se ku dhe te kush do të na qojnë hetimet”, ka thënë Hajdari.

26 ditë pas nisjes së publikimit të përgjimeve, Prokuroria Speciale e Kosovës ka nisur hetime ndaj nënkryetarit të PDK-së, Adem Grabovcit.  Ai dyshohet për vepra penale që lidhen me keqpërdorimin e pozitës zyrtare gjatë viteve 2011-2012.

Prokuroria e Shtetit ka njoftuar se vendimi për hetim është bazuar në ekzistencën e dyshimit të arsyeshëm se  i pandehuri Adem Grabovci, si person zyrtar, deputet dhe kryetar i grupit parlamentar të PDK-së, gjatë vitit 2011 e tutje, ka shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin e tij zyrtar për ta siguruar pushtetin politik dhe ndikimin mbi procesin e vendimmarrjes brenda institucioneve, agjencive qeveritare dhe ndërmarrjeve publike të Republikës së Kosovës.

Prokurorja Hajdari ka thënë po ashtu se edhe personat të cilët dëshmohet përmes përgjimeve se janë punësuar në institucione publike të vendit me ndihmën e PDK-së do të hetohen.

“Do të na nevojitet pak kohë për ti identifikuar personat dhe se a janë realizuar ato premtime për punësim, pastaj pas gjetjes së dyshimit të bazuar edhe ndaj tyre do të hapim raste”, ka thënë ajo për indeksonline.

(Kosova Sot)