Pushteti i ‘tallit’ rrënoi ekonominë

  • 27 August 2016 - 07:38
Pushteti i ‘tallit’ rrënoi ekonominë

Lidhjet politike me biznesin u shpalosën në përgjimet telefonike

Sipërmarrja e ndershme private u dëmtua nga oligarkët

Edhe pse jemi në gjysmën e dytë të vitit 2016, nuk kemi asgjë nga aktakuzat ndaj personave të veshur me pushtet dhe bizneset oligarkike, që punojnë për ta, e të cilët në mënyrë të paligjshme kanë zhvatur, zhvatin dhe do të vazhdojnë të zhvatin qindra miliona euro në kurriz të qytetarëve të Kosovës 

Njohës të rrethanave ekonomike, përfaqësues të shoqërisë civile dhe deputetë opozitarë ka kohë që janë në dijeni se në Kosovën e pasluftës nuk ka pasur asnjë shans që të fitohet ndonjëherë ndonjë tender publik në procedura të rregullta, pa e ndarë pjesën e fitimit apo si njihet me emrin popullor "tallin", së bashku me nëntokën kriminale, që po udhëheq çdo gjë në Kosovën e sunduar nga koalicioni i elefantëve. Ndërkaq, analistët thonë se janë përgjimet e fundit të aferës "Pronto", të Adem Grabovcit ato që definitivisht dolën si një dëshmi shtesë se në vendin tonë ndodhin këto punë të pista. Mirëpo, sipas deputetit opozitar, Bali Muharremaj (AAK), ajo që i befason njohësit e kësaj fushe është qëndrimi indiferent përkatësisht se përse organet e drejtësisë po vazhdojnë "të flenë", në vend që të bëjnë ndriçimin e këtyre rasteve". Opozitari Muharremaj thotë se edhe pse jemi në gjysmën e dytë të vitit 2016, nuk kemi asgjë nga aktakuzat ndaj personave të veshur me pushtet dhe bizneset oligarkike, që punojnë për ta, e të cilët në mënyrë të paligjshme kanë zhvatur, zhvatin dhe do të vazhdojnë të zhvatin qindra miliona euro në kurriz të qytetarëve të Kosovës. 

Prokurimi publik, fusha më e korruptuar

Ndërkaq, për njohësin e kësaj fushe, ekonomistin Ardi Nokaj, është befasuese dhe nuk dihet se si të shpjegohet rasti konkret i dalë nga përgjimet e fundit, si edhe ndikimi dhe kontakti aq i shpeshtë i deputetit Adem Grabovci mbi biznese, siç është kompania "Dukagjini" në pronësi të afaristit pejan Ekrem Lluka, por edhe kontakte të shpeshta të Grabovcit me kompaninë "Devolli Group", që asokohe ishte pronë e vëllezërve Shkëlqim e Blerim Devolli. Ai thotë se të gjitha këto që kanë ndodhur, për njohësit e kësaj fushe mbeten një mister se kur do të zbardhet dhe se kush qëndron prapa këtyre kompanive të inkriminuara. Por, analisti Nokaj e ka quajtur një farsë veprimin e djeshëm të Prokurorisë së Shtetit për gjoja rastin e zbardhjes së aferës së Adem Grabovcit. Ndërkaq, eksperti i fushës së financave, Xhevat Meha, thotë se nuk ka fije dyshime se sfera e prokurimit publik në Kosovë në të gjitha raportet ndërkombëtare, që flasin për Kosovën që nga paslufta e deri më sot, thonë se prokurimi publik ka qenë dhe mbetet fusha më e korruptuar, sepse janë rastet shumë të rralla, kur mund të marrësh ndonjë tender pa dhënie të ryshfetit dhe hises së bakshishit apo 'tallit', për pushtetarët tanë. Përfaqësuesi i AKB-së, Agim Shahini, tha se marrja e ryshfetit nga pushtetarët tanë në të dyja nivelet në tenderët publikë edhe nuk përbën ndonjë lajm, sepse kjo dihet kaherë. Por, Shahini tha se ajo që mund t'i ndalojë këto zhvatje të milionave nga buxheti ynë, që sillen diku në mes 700- 800 milionë euro tender publik gjatë një viti nga buxheti i shtetit mund të jetë vetëm implementimi sa më i shpejtë i prokurimit elektronik. "Ndryshe vaj halli për ne", thotë ai... (Më gjerësisht mund t'a lexoni në numrin e sotëm të gazetës KOSOVA SOT)