Milionat e pacientëve kosovarë i "ha" rajoni

  • 27 August 2016 - 07:40
Milionat e pacientëve kosovarë i

Qytetarët tanë, të zhgënjyer shumë në shëndetësinë e vendit

Valbona Krasniqi: Shkova në Shkup, u zhgënjeva në mjekësinë tonë

"Me ketë buxhet nuk ka as cilësi. As kjo Qeveri nuk e ka prioritet shëndetësinë dhe, nëse ia shtojmë keqpërdorimet që po ndodhin, del se sektori më i keqmenaxhuar është shëndetësia, andaj edhe e kemi këtë rezultat. Shumë shërbime nuk janë funksionale, dhe kjo bën që pacientët të trajtohen jashtë Kosovës", shprehet deputetja Time Kadrijaj

Shumë pacientë kosovarë po vazhdojnë të kërkojnë trajtim mjekësor në institucionet shëndetësore në vendet e rajonit. Ndërkohë, brenda një viti vlerësohet se derdhen nëpër spitalet e rajonit por edhe më gjerë miliona euro. Ndërkohë, janë keqpërdorimet, keqmenaxhimi me institucionet shëndetësore, ryshfeti, mungesa e sjelljes në raportin pacientë- mjekë, mungesa e aparaturës dhe kushteve nëpër spitalet tona, arsye këto të cilat kanë ndikuar që dita-ditës të zbehin besimin e qytetarëve në institucionet shëndetësore të vendit. Ndërkaq, në mesin e atyre qytetarëve të pakë- naqur me institucionet shëndetë- sore në vend është edhe Bedrie Berisha, një qytetar nga Prishtina. Ajo ka njoftuar edhe për arsyen se pse ka kërkuar shërim në një spital të rajonit. "Pas një sorollatje këtu, shëndeti filloi të më përkeqësohet edhe më shumë. Kisha probleme shëndetësore serioze dhe këtu nuk arrinin deri tek një diagnozë e saktë, andaj duke pasur frikë nga pasojat e vonesës, vendosa të shkoj dhe të kërkoj ndihmë mjekësore jashtë vendi", ka theksuar ajo. Kjo qytetare nuk dyshon në punën profesionale të mjekëve por shprehet se ka mungesë të përgjegjësisë,mungesë të kushteve dhe për më tepër mjekët e sektorit publik kanë lidhje me sektorin privat, shkruan sot gazeta Kosova Sot.

E zhgënjyer në mjekësinë kosovare

Ndryshe, edhe qytetarja tjetër, Valbona Krasniqi, theksoi se edhe ajo ka kërkuar ndihmë në një spital privat të Shkupit. Ka theksuar se me mjekësinë kosovare është zhgënjyer me kushtet dhe sjelljet e personelit mjekësor. "Sigurisht se pacienti hallexhi kërkon shërim aty ku ai vlerëson se i ofrohet më mirë ndihma", u shpreh ajo për këtë dukuri negative në këtë sektor. Në anën tjetër, ekspertë të kësaj fushe kanë dhënë mendime të ndryshme rreth problemit në fjalë. Skender Syla, drejtor i zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Prishtinë, ka vlerësuar se secili individ ka të drejtë të marrë shërbimin sipas dëshirës së tij. Mirëpo ka shtuar se për disa shërbime si ato të lindjes mund të kryhen pa problem në Kosovë, por disa vendosin që t'i kryejnë jashtë Kosovës dhe është e drejtë e tyre. Ndryshe ai ka shtuar se për disa shërbime të tjera, të cilat nuk ofrohen në Kosovë bie fjala transplantimi i organeve apo intervenime të sofistikuara kirurgjike dhe kardiologjike etj., pacientët janë të detyruar që të kërkojnë trajtim jashtë vendit. Për gjithë këtë, Syla ka shtuar se problemet e kësaj natyre ndërlidhen si me buxhetin e ulët, por edhe me mungesën e vizionit strategjik se si të zgjidhen problemet e kësaj natyre.

Kadrijaj: Shëndetësia, sektori më i keqmenaxhuar

Ndërkaq, Time Kadriaj, deputete dhe anëtare e komisionit për shëndetësi, ka pohuar për gazetën se buxheti i vogël është ai i cili po sjell problem. "Me ketë buxhet nuk ka as cilësi. As kjo Qeveri nuk e ka prioritet shëndetësinë dhe nëse ia shtojmë keqpërdorimet që po ndodhin, del se sektori më i keqmenaxhuar është shëndetësia, andaj edhe e kemi këtë rezultat. Shumë shërbime nuk janë funksionale dhe kjo e bënë që pacientët të trajtohen jashtë Kosovës. Kjo jo si mungesë e profesionalizmit por mungesë e kushteve elementare", ka theksuar Kadriaj. Ndërsa, hulumtimet e ndryshme të OJQ-ve vazhdojnë të paraqesin sistemin shëndetësor të korruptuar dhe keq menaxhuar. Tash së fundi Qendra për Hulumtim, Dokumentim dhe Publikim (QHDP) publikoi analizën e shkurtër mbi "Rekomandimet e politikave për kujdesin shëndetësor në Kosovë". Nderë të tjera me anë të këtij hulumtimi është nxjerrë në pah se sistemi kosovar i kujdesit shëndetësor ballafaqohet me shumë sfida që e frenojnë atë në arritjen e qëllimit përfundimtar të ofrimit të kujdesit cilësor dhe të qasshëm për qytetarët.  

(KOSOVA SOT)