Kriza politike vështirëson anëtarësimin në NATO
Moszgjidhja e krizës politike mund të ndikojë edhe në anëtarësimin ne Maqedonisë në NATO, vlerësojnë disa nga pjesëmarrësit në forumin e sigurisë “Vendimet e samitit të NATO-s në Varshavë dhe implikimet ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor”, që po mbahet në Ohër.
“Në samitin e NATO-s në Varshavë Aleanca përsëriti ftesën për anëtarësimin e Maqedonisë, por ajo që nuk është e mirë është se u vendos edhe një kusht plotësues, gjegjësisht zgjidhja e situatës politike në vend”, tha Stopan Sllavevski, profesor.
“Lidhur me atë nëse Maqedonia është afër apo më larg nga NATO, sa i përket samitit të Bukureshtit, për disa çështje është më afër, e për disa çështje diplomatike është më larg”, u shpreh Matju Roud, profesor në Qendrën Marshall.
Ambasadori i SHBA-ve në Shkup, Xhes Bejli tha se duhet të punohet për vlerat demokratike në vend.
“NATO është komunitet i demokracisë dhe sundimit të ligjit. Ky është momenti kyç dhe prandaj në samitin e NATO-s në komunikatën e saj kur bëhet fjalë për Maqedoninë thuhet se duhet të punohet për këto vlera”, deklaroi Xhes Bejli, ambasador i SHBA-ve.
Ministri i mbrojtjes, Zoran Jolevski, nuk u përgjigj se çfarë pasoja do të ketë mosmarrja e ftesës për anëtarësim në NATO.
(Kosova Sot)