Polici shqiptar rrëfen si funksionojnë pazaret e drogës në Shqipëri

  • 27 August 2016 - 17:20
Polici shqiptar rrëfen si funksionojnë pazaret e drogës në Shqipëri

Kohët e fundit po dëgjojmë çdo ditë lajme të tipit: "Sekuestrohen 2400 bimë narkotikë"; "Asgjësohen 4 parcela me kanabis apo arrestohen në flagrancë X persona". Por, askujt nuk i bëjnë përshtypje njoftime të tilla të policisë, pasi vetë populli e di se çfarë po ndodh në këtë vend. Ata që arrestohen nuk janë bosët e drogës, por njerëz të thjeshtë, të varfër që kanë gjetur këtë zgjidhje për të siguruar bukën e gojës. Por, çfarë po ndodh realisht në vendin tonë, si funksionon pazari i drogës, pse po ndodhin gjithë këto arrestime pikërisht tani, kur hashashi prej kohësh po lulëzon hapur përpara syve të policisë?

Përgjigjet e të gjitha këtyre pyetjeve do t'i gjeni në këtë video tronditëse, është kjo fjala e duhur për ta përshkruar, pasi vetë polici tregon sesi funksionojnë pazaret e drogës mes tyre dhe prodhuesve, ku dhe vetë Policia e Shtetit sipas tij është e implikuar.

Punonjësin e policisë, emrin e të cilit, burgun dhe qytetin ku punon si dhe mbulimin e fytyrës po i lëmë anonim për të ruajtur identitetin e tij. Gjatë udhëtimit me një automjet në rrugët e Shqipërisë, i pyetur nga shoferi ai tregon sesi funksionojnë pazaret e drogës në Shqipëri dhe përfshirja e punonjësve dhe drejtorëve të Policisë në këto parcela. Sipas tij, rrënja e hashashit 3-mujor merret në mbrojtje nga policia për 20 euro, lekë në dorë si dhe prodhuesit duhet të paguajnë edhe 50% të prodhimit që të jenë të lirë në aktivitetin e tyre. Ndërsa për rrënjën 6-mujore merret 50 Euro dhe këtu janë të përfshirë edhe drejtorët e policisë, të cilët ai i quan "bosat" e vërtetë që marrin para me thasë. Ndërsa ata persona që nuk i japin lekët dhe përqindjen policisë, arrestohen iu asgjësohet bima narkotike.

"Shefi i Komisariatit dhe Drejtorët e qarqeve u shkon paraja me thasë sepse këta e marrin, është leku i madh, e di çdo të thotë 50 euro për degë edhe 50% e prodhimit, këto i ke lekë shtesë, do lekë edhe sekseri edhe nuk të prek policia. Ti punon lirshëm si prashitje mistri, nuk të thotë kush gjo. Edhe nëse vjen policia, tungjatjeta, ju lumshin krahët thonë". Drejtorët e burgut janë bosa o shok, ata janë ari i zi o burrë", janë këto disa nga fjalët e tij, për më tepër dëgjoni videon e mëposhtme.

(Kosova Sot)