Sapo u lirua nga burgu, policia e ndaloi për planifikim vrasje, por prokuroria e akuzon për vjedhje

  • 27 August 2016 - 17:50
Sapo u lirua nga burgu, policia e ndaloi për planifikim vrasje, por prokuroria e akuzon për vjedhje

Gjykata ka lënë në burg 30 ditë shtetasin Alfred Skonja, i cili u arrestua dy ditë më parë në Durrës. Policia e akuzoi 29­ vjeçarin se kishte planifikuar një vrasje, por Prokuroria ka kërkuar vetëm 30 ditë burg për vjedhjen e një mjeti në Fushë – Krujë ndaj të riut.

Në komunikatën zyrtare ditën e arrestimit Policia e Shtetit njoftoi se Alfred Skonja, kishte pak ditë që kishte dalë nga burgu, dhe në bashkëpunim me një shtetas tjetër, për të cilin po punohet për ta arrestuar, kishin planifikuar dhe ishin gati të kryenin vrasjen e një shtetasi, identitetin e të cilit policia nuk a ka bërë ende me dije deri më sot për arsye hetimi. Policia sekuestroi veshje, kapele, kokore, lëndë djegëse benzinë, që do ndihmonin në kamuflimin e autorëve gjatë kryerjes së aktit kriminal dhe krimit. Në vitin 2009, Skonja në bashkëpunim me tre presona të tjerë u arrestuan për plaçkitje të një dyqani celularësh në qendër të Durrësit.

Plani i vrasjes

Policia njofton se Skonja ka qenë nën vëzhgim të vazhdueshëm gjatë kësaj periudhe nga Policia, me qëllim për të dokumentuar veprimet e tij të jashtligjshme. Ai kishte planifikuar që pas kryerjes së krimit do ta digjte me benzinë automjetin e vjedhur. “Skonja, më datë 26.07.2016, në bashkëpunim me një shtetas tjetër, në Fushë-­Krujë kanë vjedhur automjetin tip Volsvagen me targa AA 029 MM, në pronësi të shtetasit R.B. 22 vjeç, banues në fshatin Zheje, Kurbin, ndërsa targat i përkasin mjetit tip Peugeot në pronësi të shtetases R.B. 37 vjeçe, banuese në Durrës, të vjedhura më datë 18.07.2016”­ njofton policia.

Automjeti i vjedhur është gjetur më datë 24.08.2016, rreth mesditës, pranë lumit Erzen. Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provave materiale: automjetin tip Volsvagen me targa AA 029 MM si dhe sende dhe mjete të ndryshme(veshje, kapele, kokore, lëndë djegëse benzin…) që do ndihmonin në kamuflimin e autorëve gjatë kryerjes së aktit kriminal dhe krimit. “Për arsye të hetimit nuk bëhen me dije detaje të mëtejshme. Skonja është person me precedentë penalë të mëparshëm”­ njoftonte policia. Materialet i kaluan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprën penale”Vjedhja”në bashkëpunim parashikuar në nenin 134, 25 të Kodit Penal.

(Kosova Sot)