Itali, funeral masiv për viktimat e tërmetit

  • 27 August 2016 - 18:23
Itali, funeral masiv për viktimat e tërmetit

Një funeral masiv është zhvilluar në Itali për rreth 290 personat që mbetën të vrarë nga tërmeti i fuqishëm i së mërkurës.

Për 35 viktima nga qyteti Arkuata u mbajt zi në pallatin e sporteve të kryeqendrës së rajonit, Askoli Piçeno. Mes arkivolëve të vendosur në radhë në dysheme ishin edhe ata të dy fëmijëve që kishin humbur jetën. 

Kryeministri Matteo Renzi ishte mes atyre që ndoqën ceremoninë mortore bashkë me presidentin Sergio Mattarella, që më herët gjatë ditës vizitoi Amatriçen, qyteti me numrin më të lartë të viktimave. 

Peshkopi Giovanni d’Ercole u bëri thirrje njerëzve të prekur nga kjo tragjedi që të mos e humbin kurajon dhe shpresën. “Së bashku, mbi të gjitha ne do t’i rindërtojmë jetën komunitetit tonë, duke filluar nga traditat tona dhe nga gërmadhat e vdekjes”, tha ai. 

Një nga arkivolët e fëmijëve mbante trupin e vogëlushes Giulia Rinaldo, motra e vogël e të cilës i mbijetoi tërmetit sepse ndodhej poshtë trupit të Giulias. 

Një nga zjarrfikësit që e nxorri nga gërmadhat, Andrea, kishte lënë një letër prekëse mbi arkivol, ku kërkonte falje që kishte mbërritur aq vonë dhe ku kishte vizatuar simbolin e zemrës. 

Arkivolët do të dërgohen për varrim në një varrezë afër Arkuatës. Shumica e viktimave të tërmetit ishin italianë, por mes tyre kishte edhe të huaj.

(Kosova  Sot)