Pushteti i ‘tallit’ rrënoi ekonominë

  • 27 August 2016 - 07:38
Pushteti i ‘tallit’ rrënoi ekonominë

Lidhjet politike me biznesin u shpalosën në përgjimet telefonike

Sipërmarrja e ndershme private u dëmtua nga oligarkët

Edhe pse jemi në gjysmën e dytë të vitit 2016, nuk kemi asgjë nga aktakuzat ndaj personave të veshur me pushtet dhe bizneset oligarkike, që punojnë për ta, e të cilët në mënyrë të paligjshme kanë zhvatur, zhvatin dhe do të vazhdojnë të zhvatin qindra miliona euro në kurriz të qytetarëve të Kosovës 

Njohës të rrethanave ekonomike, përfaqësues të shoqërisë civile dhe deputetë opozitarë ka kohë që janë në dijeni se në Kosovën e pasluftës nuk ka pasur asnjë shans që të fitohet ndonjëherë ndonjë tender publik në procedura të rregullta, pa e ndarë pjesën e fitimit apo si njihet me emrin popullor "tallin", së bashku me nëntokën kriminale, që po udhëheq çdo gjë në Kosovën e sunduar nga koalicioni i elefantëve. Ndërkaq, analistët thonë se janë përgjimet e fundit të aferës "Pronto", të Adem Grabovcit ato që definitivisht dolën si një dëshmi shtesë se në vendin tonë ndodhin këto punë të pista. Mirëpo, sipas deputetit opozitar, Bali Muharremaj (AAK), ajo që i befason njohësit e kësaj fushe është qëndrimi indiferent përkatësisht se përse organet e drejtësisë po vazhdojnë "të flenë", në vend që të bëjnë ndriçimin e këtyre rasteve". Opozitari Muharremaj thotë se edhe pse jemi në gjysmën e dytë të vitit 2016, nuk kemi asgjë nga aktakuzat ndaj personave të veshur me pushtet dhe bizneset oligarkike, që punojnë për ta, e të cilët në mënyrë të paligjshme kanë zhvatur, zhvatin dhe do të vazhdojnë të zhvatin qindra miliona euro në kurriz të qytetarëve të Kosovës, shkruan sot gazeta Kosova Sot.

Prokurimi publik, fusha më e korruptuar

Ndërkaq, për njohësin e kësaj fushe, ekonomistin Ardi Nokaj, është befasuese dhe nuk dihet se si të shpjegohet rasti konkret i dalë nga përgjimet e fundit, si edhe ndikimi dhe kontakti aq i shpeshtë i deputetit Adem Grabovci mbi biznese, siç është kompania "Dukagjini" në pronësi të afaristit pejan Ekrem Lluka, por edhe kontakte të shpeshta të Grabovcit me kompaninë "Devolli Group", që asokohe ishte pronë e vëllezërve Shkëlqim e Blerim Devolli. Ai thotë se të gjitha këto që kanë ndodhur, për njohësit e kësaj fushe mbeten një mister se kur do të zbardhet dhe se kush qëndron prapa këtyre kompanive të inkriminuara. Por, analisti Nokaj e ka quajtur një farsë veprimin e djeshëm të Prokurorisë së Shtetit për gjoja rastin e zbardhjes së aferës së Adem Grabovcit. Ndërkaq, eksperti i fushës së financave, Xhevat Meha, thotë se nuk ka fije dyshime se sfera e prokurimit publik në Kosovë në të gjitha raportet ndërkombëtare, që flasin për Kosovën që nga paslufta e deri më sot, thonë se prokurimi publik ka qenë dhe mbetet fusha më e korruptuar, sepse janë rastet shumë të rralla, kur mund të marrësh ndonjë tender pa dhënie të ryshfetit dhe hises së bakshishit apo 'tallit', për pushtetarët tanë. Përfaqësuesi i AKB-së, Agim Shahini, tha se marrja e ryshfetit nga pushtetarët tanë në të dyja nivelet në tenderët publikë edhe nuk përbën ndonjë lajm, sepse kjo dihet kaherë. Por, Shahini tha se ajo që mund t'i ndalojë këto zhvatje të milionave nga buxheti ynë, që sillen diku në mes 700- 800 milionë euro tender publik gjatë një viti nga buxheti i shtetit mund të jetë vetëm implementimi sa më i shpejtë i prokurimit elektronik. "Ndryshe vaj halli për ne", thotë ai.

Pushteti mbështet vetëm bizneset e veta

Zyrtarët e lëvizjes "Vetëvendosje" nëpërmes zëdhënësit Frashër Krasniqi, thonë se përgjimet e fundit janë dëshmi shtesë që pushteti është i interesuar t'i përkrahë vetëm bizneset, që janë në shërbim të tij. "Këtu ka një lidhje zinxhirore. Nuk mund të presim tenderim me procedura të rregullta, e as zhvillim ekonomik, me Qeveri kriminale. Sa u përket organeve të drejtësisë se pse ato nuk merren me këto biznese oligarkike, mendojmë se edhe për këtë është qartësuar në përgjime". Krasniqi thotë se "këta banditë të klanit 'Pronto' e kanë kapur edhe drejtësinë, këta zgjedhin gjykatës, prokurorë e kryeprokurorë me telefonata. Prandaj, çka mund të pritet nga organet e drejtë- sisë". Zëdhënësi Frashër Krasniqi tha se kontakti dhe lidhja e klanit 'Pronto', jo veç e Grabovcit, sepse ai është veç një vegël, me biznese si 'Dukagjini' e 'Devolli' është normale në një qeverisje kriminale. "Këto lidhje shkëputen kur të ketë rend, ligj e drejtësi, të cilat mund t'i kemi veç kur nuk e kemi këtë klan banditësh në pushtet". Ai tha se mendojmë që edhe sot dihet se kush qëndron prapa kompanive të inkriminuara, sado që me letra këta janë mbuluar në forma të ndryshme. Çështja është që të fillojë hetimi, të ngriten aktakuza dhe të dënohen këta njerëz dhe përfundimi - të ndalet ky aktivitet kriminal". Ndaj, sipas Krasniqit, lidhjet e Adem Grabovcit dhe Shkëlqim Devollit, që u dëshmuan edhe me përgjimet e fundit, lëvizja 'Vetëvendosje' i ka bërë publike edhe me herët.

 

 

Qytetarët po e pësojnë

Përfaqësuesi i shoqërisë civile, Selatin Kaçaniku, tha për "Kosova Sot" se kanë alarmuar shumë kohë më parë se barrën e abuzimeve të shumta me ligjin, edhe barrën e korrupsionit, familjarizmit, klientelizmit...privatizimit të manipuluar e ndien qytetari konsumator e taksapagues si blerës, si pagues i fundit i të gjitha faturave në tregun e prodhimeve, mallrave e shërbimeve. "Doli se ishte e nevojshme që me skandalin 'Pronto' të na besojnë më shumë, por se veprimet akoma nuk po i shohim". Por, ai tha se Administrata Publike, sistemi i Drejtësisë...nuk kanë reaguar - përkundër faktit se kanë pasur obligim ligjor, profesional e etik - atëherë përgjegjësia dhe llogaridhënia u takon atyre. Me këtë potencial, energji e vullnet...me strukturën ekzistuese - ata akoma besojnë se janë të paprekshëm". Veç saj Kaçaniku shtoi se "pas reagimeve tona, organet e ndjekjes, të hetuesisë, të drejtësisë, e kanë pasur për detyrë që "ex officio" ( sipas detyrës zyrtare) t'i ndërmarrin masat e duhura - të parapara me ligj. Meqë nuk kanë reaguar me kohë dhe si duhet, konform obligimeve juridiko-ligjore, profesionale e etike - logjikisht imponohet procedura e përgjegjësisë ndaj të gjithëve, të cilët nuk kanë qenë në nivel të detyrës". Kaçaniku tha se natyrisht procesin e kërkimit të përgjegjësisë nuk mund ta nisin as ta udhëheqin ata, të cilët i kanë propozuar, punësuar, emëruar ose shfrytëzuar shërbimet e zyrtarëve të inkriminuar. "Ne, si popull, sovranë, qytetarë konsumatorë ( elektorat e taksapagues) duhet të jemi mjaftueshëm të vetëdijesuar, por edhe të vetëdijshëm për të drejtën dhe obligimin qytetar e ta mbrojmë Kushtetutën, Ligjet, Shtetin dhe kombin nga të gjithë 'brejtësit' e mundshëm të sistemit. Katundi që shihet - nuk do kallauz", ka thënë ai.  

(KOSOVA SOT)