Rrjeti i OJQ've: Të ndalohet aktiviteti i dyshimtë i një shoqate islame në Podujevë

  • 27 August 2016 - 19:51
Rrjeti i OJQ've: Të ndalohet aktiviteti i dyshimtë i një shoqate islame në Podujevë

Rrjeti i OJQ-ve, “Demokracia Fillon Këtu”, ka reaguar ndaj aktiviteteve të dyshimta, një shoqate islame me emrin “Sulejmanie” në qytetin e Podujevës.

Sipas këtij rrjeti, organizata “ Sulejmanie”, promovon mësimin e besimit islam, ndërkohë që për planprogramin, financimin dhe misionin e tyre, autoritet komunale dhe qytetarët nuk kanë asnjë informacion.

Rrjeti i OJQ-ve “Demokracia Fillon Këtu”, thotë se hapja e kësaj organizate është bërë pa dijeninë e Bashkësisë Islame në Podujevë, dhe se për hapjen e saj janë shfrytëzuar imamë të kësaj bashkësie të cilët u bëjnë thirrje të rinjve që të regjistrohen.

“Tani së fundmi një shoqatë e quajtur “Sulejmanie” ka depërtuar në Podujevë pa lejen e Bashkësisë Islame në Podujevë, duke shfrytëzuar imamë që janë pjesë e Bashkësisë Islame në Podujevë dhe përmes  tyre të promovojnë dhe thërrasin të rinjtë që të regjistrohen në këto shoqata”, thuhet në reagimin e DFK-së.

Shqetësuese sipas tyre, është fakti që pavarësisht se Podujeva është qytet i vogël dhe jo universitar, kjo shoqatë ka ndërtuar konvikte ku të rinjtë do të banojnë pa shpenzime. Ata thonë se duke ditur zhvillimet globale rreth rekrutimit të të rinjve që me vonë iu janë bashkuar luftërave të huaja, kjo metodë e kësaj shoqate për zhvillimin e  aktivitetit të vet është shumë e dyshimtë, dhe nuk duhet lejuar.

Rrjeti i OJQ-ve DFK, thotë se aktiviteti i BIK-ut n Podujevë deri më tani ka qenë shembull për praktikimin e fesë, dhe se për këtë u bëjnë thirrje atyre dhe organeve të tjera që të ndalojnë aktivitetin e dyshimtë të kësaj organizate.

“Komuna e Podujevës është njëra ndër komunat më të qeta dhe me më së paku të rinjë që kanë devijuar në praktikimin e fesë në metoda ekstreme, dhe aktiviteti i BIK-ut Podujevë ka qenë shembull.  Iu bëjmë thirrje Bashkësisë Islame dhe organeve të rendit, që të mos lejojë aktivitetin e dyshimtë asnjë shoqate me veprimtari të dyshuara që gjatë historikut të tyre të ekzistencës, disa herë kanë ndërruar emrat  për të fshehur aktivitetin e tyre”, thuhet më tutje në reagim.

Ata kërkojnë gjithashtu që me imamët që janë bërë pjesë e këtyre shoqatave,  dhe tani bëjnë thirrje në emër të tyre, të merren seriozisht organet e BIK-ut.

“Si rrjet i OJQ-ve, iu bënë thirrje të gjithë qytetarëve  të mos bien pre e joshjeve dhe mashtrimeve  prej askujt  dhe se për çështje fetare të bashkëpunojnë vetëm me Bashkësinë  Islame dhe strukturat legale të tyre”, thuhet në fund të reagimit.

(Kosova Sot)