Fatkeqësitë mund të vijnë nga djegia e mbeturinave

  • 27 August 2016 - 19:59
Fatkeqësitë mund të vijnë nga djegia e mbeturinave

Zjarret, historikisht kanë qenë fenomene shkatërrimtare,sa herë që kanë dalë jashtë kontrollit të njeriut. Thuhet se edhe Gjilanin si vendbanim, zjarri e kishte djegur tri herë gjatë historisë së tij. Zjarret mbeten sfidë për njerëzimin, edhe në shekullin e sotëm. Ensar Kadriu, drejtor për Mbrojtje dhe Shpëtim, thotë se numri i zjarreve ka rënë dukshëm, falë masave parandaluese dhe fushatave vetëdijesuese të qytetarëve, shkruan gazeta Kosova Sot.

Gjatë gushtit të sivjetmë kemi pasur 34 zjarre, ndërsa në gushtin e vitit të kaluar kanë qenë 141 zjarre, thotë ai. Shqetësimi i tij janë djegia e mbeturinave, të cilat pos që ndotin ambientin, paraqesin rrezik për zjarre masive. Edhe Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës në Drejtorinë Rajonale në Gjilan, ka thënë se ka përmirësim të dukshëm të gjendjes, krahasuar me vitet paraprake, pasi që numri i zjarreve të raportuara, është përgjysmuar. Sipas tij, vitin e kaluar janë regjistruar 38 zjarre dhe 22 zjarrvënie, ndërsa këtë vit janë raportuar 17 raste zjarri dhe 12 zjarrvënie. Ai beson se fushatat vetëdijesuese kanë bërë efektin e tyre. "Njerëzit kanë kuptuar se zjarrvëniet janë vepra penale dhe të dënuara me ligj", ka thënë Hashani, duke shtuar se policia ka ngritur kallëzime penale për disa raste.

Pyjet digjen qëllimisht

Demir Krasniqi, qytetar, thotë se jo të gjitha zjarret ndodhin rastësisht. Sipas tij, ka edhe zjarre që shkaktohen qëllimisht, siç janë ato në Malësinë e Gollakut, ku digjen pyjet. Ai dyshon se pyjet digjen për t`u vjedhur më lehtë pastaj. Nehat Ibrahimi, zyrtar për mbrojtje nga zjarret, ka thënë se infrastruktura ligjore e rregullon mirë këtë çështje, por pranoi se në terren dalin probleme të ndryshme. Ismet Azizi, mësimdhënës, thotë se ky problem duhet të trajtohet edhe nëpër shkolla. Shemsedin Elezi nga Këshilli i fshatit Zhegër, thotë se falë bashkëpunimit të mirë me drejtorinë përkatëse, ka pasur më pak zjarre, ndërkohë ka kërkuar që edhe në këtë lokalitet të madh të komunës së Gjilanit, të ketë një nënstacion të zjarrfikësve. Ymer Selimi, qytetar nga Zhegra, thotë se ka pësuar disa herë nga zjarrvënia e qëllimshme në pronën e tij. Selimi ka thënë se kjo është hera e katërt që po i digjet prona, siç thotë ai, me qëllim të mbjelljes së frikës dhe pasigurisë tek familja ime. Ai ka edhe dyshimet e veta se pse po atakohet në mënyrë të përsëritur, vit pas viti. "Nëse në këtë fshat jam bërë pengesë për dikë, unë jam i gatshëm të largohem me gjithë familjen, por dua të më vlerë- sohet pasuria që kam krijuar me djersën time", thotë Selimi. 

Ligji parasheh sanksione penale 

Fatkeqësitë natyrore mbeten një nga sfidat më themelore për njerëzimin, mbase edhe për faktin se njeriu modern nuk po arrin të bëj paqe me natyrën. Bota moderne, këtij fenomeni i kushton një rëndësi të veçantë. Edhe në Republikën e Kosovës ka ligje që rregullojnë këtë fushë. "Historikisht dihet se zjarret si fenomen, kanë qenë shkatërrimtare për shumë popuj dhe qytetërime, prandaj duhet një administrim i duhur për të shmangur dëmet dhe pasojat që mund të jenë fatale", thotë Kadriu. Shërbimi i Zjarrfikjes dhe Shpëtimit është i organizuar dhe i specializuar për intervenime në fikjen dhe parandalimin e përhapjes së zjarreve. Pjesë e këtyre strukturave është edhe preventiva nga zjarri, ku mision kryesor është parandalimi i zjarreve. Inspektorët e këtij shërbimi, ligjërisht janë të obliguar që të gjitha subjektet shtetërore dhe private t'i inspektojnë nëse i kanë ndërmarrë masat për mbrojtje nga zjarri. Por, një element i rëndësishëm është edhe vetëdijesimi i popullatës për rrezikun që mund të vije nga përhapja e zjarreve. Në këtë segment kemi bashkëpunuar me organizata joqeveritare, përmes ligjëratave dhe ushtrimeve praktike me nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme, pastaj shpërndarjes së afishe si dhe njoftimeve për qytetarë mbi sanksionet që parasheh ligji për ata që ndezin zjarre. "Krejt këto masa kanë ndihmuar që sivjet të kemi më pak zjarre", thotë Kadriu. 

(Kosova Sot)