Pa librezë partiake, edhe me diplomë të Harvardit mbetesh rrugëve

  • 28 August 2016 - 15:47
Pa librezë partiake, edhe me diplomë të Harvardit mbetesh rrugëve

“Shkollohu”, “Dituria është fuqi”, janë disa nga sloganet e fushatës së Qeverisë së Maqedonisë për t’i stimuluar të rinjtë që të regjistrohen në studime, për të siguruar të ardhmen e tyre. Dhe një numër i madh i të rinjve, regjistrohen në fakultete, mbarojnë studimet, bëjnë master, doktoraturë, por sërish mbeten nën mëshirën e partive politike, varësisht cila prej tyre është në pushtet.

Por, ata sërish mbeten të mashtruar në rrugë dhe pa fatin e përcaktuar në planin profesional. Ka të rinj të diplomuar edhe në shkolla elitare perëndimore, por që nuk kanë askund vend nga partizanët dhe militantët e partive politike.

Faktori kryesor për të gjetur një punë është libreza partiake, e jo diploma e universitetit apo titujt e arritur shkencor. Shumica e të rinjve theksojnë se janë pengje dhe viktima të kësaj sindrome, për pamundësinë e tyre për punësim në profesion, raporton agjencia e lajmeve INA.

Në Maqedoni ka numër rekord doktorë shkencash që janë pa punë, madje 31, thonë të dhënat e Agjencisë për punësim.

Për një vend pune presin edhe 927 magjistra, ndërsa gjithsej 14.135 është numri i personave të papunë që kanë kryer studime deri diplomike.

Numri i përgjithshëm i personave të papunë në Republikën e Maqedonisë është 114,252 persona.

Krahasuar me vitin 2013, numri i magjistrave të papunë është rritur për 176, ndërsa i doktorëve të shkencave për 18.

Punësimi nëpërmjet lidhjeve partiake, miqësore dhe lidhjeve të vjetra të periudhës së kaluar, por edhe nëpërmjet dhënies së ryshfetit, është një realitet që vazhdon të jetë i pranishëm në Maqedoni. Administrata shtetërore dhe institucionet e ndryshme janë të stërmbushura nga individë të tillë, shumica të papërgatitur dhe tejet inferior për të kryer detyrën që e obligon vendi i punës. Këtë e dëshmojnë edhe të dhënat statistikore dhe hulumtimet e organizatave joqeveritare brenda dhe jashtë vendit.

Bashkimi Evropian së fundi ka tërhequr vërejtjen për administratën e stërngarkuar me aktivistë partiakë dhe për nevojën urgjente të profesionalizimit të saj, sidomos në sektorët më të ndjeshëm, njofton agjencia e lajmeve INA.

Qendra për të Drejtat e Njeriut dhe Zgjidhjen e Konflikteve në Shkup, në një studim ka theksuar për praninë e diskriminimit politik.

Mbi 80 për qind e qytetarëve vlerësojnë se në politikën e punësimeve vazhdon të ketë diskriminim politik.

Në Maqedoni, u bë pothuajse e pamundur të gjendet një punë pa librezë partiake. Partitë politike punësojnë familjarët dhe bashkë partiakët e tyre, të cilët ju duhen për zgjedhjet e ardhshme për të mbajtur sërish në pushtet.

(Kosova Sot)