Ish polici Fadil Shishani, kërkon falje në apel

  • 28 August 2016 - 17:21
Ish polici Fadil Shishani, kërkon falje në apel

Ish-polici Fadil Shishani i akuzuar se qëlloi me armë drejt gjyqtarit Shefqet Baleci, kërkoi falje në Gjykatën e Apelit.

“Më vjen keq për atë që ka ndodhur. Unë nuk kam pasur për qëllim ta vras askënd atë ditë dhe këtu kërkoj falje publike për atë rast,” tha Shishani para Kolegjit të Apelit ku u shqyrtua ankesa e avokatit të tij dhe prokurorisë ndaj vendimit të gjykatës themelore.

Për sulmin me armë ndaj gjyqtarit Baleci dhe disa zyrtarëve policorë, Shishani në qershor të këtij viti u dënua nga Gjykata Themelore në Prishtinë me katër vjet e 10 muaj burg, si dhe me 1.000 euro gjobë, ndërsa djali i tij Shkëmbi që kërcënoi policët me armë mori dënimin prej 9 muaj burg dhe 600 eurove gjobë.

Fadil Shishani akuzohej për vrasje të rëndë në tentativë, ndërsa djali i tij Shkëmb Shishani për përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm.

Aktakuza e prokurorisë e ngarkonte Shishanin se në qershor të vitit 2015 ka tentuar t’i privojë nga jeta gjyqtarin Shefqet Baleci dhe zyrtarët policorë Mehmet Cakiqi e Afrim Pirraku.

Sipas aktakuzës, derisa gjyqtari Baleci dhe punëtori i gjykatës Hamzë Isufi të shoqëruar nga zyrtarët policorë Bajram Selimi, Afrim Pirraku, Mehmet Cakiqi, Nazmije Rukiqi, Fadil Bujupi, Blerim Mecinaj, Nexhat Doberdolani dhe Agron Mulaj kishin shkuar në përmbarim të urdhëresës së lëshuar nga gjykata në Drenas për të larguar nga banesa të akuzuarin, ky i fundit në hyrje të banesës me revole në duar shtiu në drejtim të gjyqtarit.

Polici Afrim Pirraku për ta shpëtuar gjyqtarin Baleci nga predha e shkrepur që po shkonte drejt tij, e kishte shtyrë atë në anën e majtë, ndërsa Baleci ishte larguar pastaj me shpejtësi në drejtim të qytetit.

Në aktakuzë më tutje thuhet se i akuzuari pastaj është vërsulur në drejtim të zyrtarëve tjerë policorë ku ka shtënë në drejtim të Mehmet Cakiqit dhe Afrim Pirrakut, të cilët pastaj i janë përgjigjur sulmit duke qëlluar në drejtim të akuzuarit Fadil Shishani.

Në këtë sulm, ai kishte mbetur vetë i plagosur.

Bëhej fjalë për një banesë të cilën Komuna e Drenasit ia kishte dhënë çerdhes së këtij qyteti, ndërsa çerdhja ia kishte ndarë atë punëtores Zejnepe Buzhala, por të cilën e shfrytëzonte Shishani.

Ai u plagos pikërisht ditën kur reagoi me të shtëna armësh ndaj policëve dhe punonjësve të gjykatës që kishin ardhur për ta larguar nga kjo banesë.

Për këtë banesë “Drejtësia në Kosovë” shfaqi një emision në vitin 2013, ndërsa Kallxo.com shkroi për plagosjen e Shishanit vitin e kaluar.

(Kosova Sot)