Loja e qeverisë për anulimin në mënyrë të njëanshme të kontratave me qindra HEC-e

  • 28 August 2016 - 20:28
Loja e qeverisë për anulimin në mënyrë të njëanshme të kontratave me qindra HEC-e

Prishja e njëanshme e kontratave ekzistuese të HEC-eve private me KESH sh.a., me anë të një VKM-je dhe zëvendësimi i tyre me kontrata me OSHEE i ka vendosur në një marrëdhënie të re, të dëmshme dhe të pasigurt investimet prej qindra miliona eurosh, të bëra nga investitorë të huaj e shqiptarë.

Shoqata Shqiptare e Energjisë së Rinovueshme (AREA) shpjegon se, thelbi i kontratës së re të hartuar në mënyrë të njëanshme, është roli që qeveria u jep investitorëve të huaj e shqiptarë në fushën e prodhimit të energjisë së rinovueshme, duke mos i trajtuar më ata si prodhues të energjisë, por si tregtarë të saj dhe duke mos u siguruar blerjen e të gjithë energjisë së prodhuar, siç parashikohej në kontratat e nënshkruara përpara se të nisnin investimet.

Për më tepër, kërkohet që investitorët e huaj e shqiptarë të pranojnë një kontratë, kushtet specifike të së cilës do të përcaktohen në një ligj që nuk është miratuar ende dhe që është në proces draftimi.

Por, për Ministrinë e Energjetikës nuk ekziston ky shqetësim. Kalimi i detyrimit për blerjen e energjisë elektrike nga shoqëria KESH në shoqërinë OSHEE, nuk cenon aspak të drejtat e fituara nga shoqëritë që kanë nënshkruar kontratat koncesionare, sqaroi Ministria, pasi ky ndryshim i operatorit, nuk prek asnjë nga të drejtat dhe garancitë e fituara nga investitorët, të tilla si afati i kontratës koncesionare, afati i kontratës së shitblerjes së energjisë, apo çmimi që shitet kjo energji, të cilat, edhe me ndryshimet e kontratës së miratuar së fundmi nga ERE, mbeten të pandryshuara dhe garantojnë të njëjtin regjim për këto kompani.

Por investitorët e HEC-eve këmbëngulin se nëse kontratat do të ishin identike, siç pretendon qeveria me anë të Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, do të duhej që të ndryshohej vetëm emri i blerësit të energjisë, nga KESH sh.a në OSHEE, duke mos prekur apo duke mos shtuar nene të tjera, nën të cilët fshihet shkelja e të drejtave të fituara më parë.

Kryetarja e Bordit të AREA-s, Anita Shushku, sqaron se përmbajtja e kontratës u hap rrugën ndryshimeve, që sipas Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë janë të udhëzuara nga BE. Por efektet e tyre, jo vetëm nuk janë ende të qarta, por nga ana tjetër kanë edhe efekt prapaveprues për investimet e mëparshme, çka është në kundërshtim të hapur edhe me vetë direktivat e BE-së.

Ajo thotë se, nëse investitorët do të ishin dakord për ndryshimin e blerësit, mund të procedohej me një aneks të kontratës ekzistuese kur të shënohej se blerësi ndryshon nga KESH në OSHEE. Më tutje, kontrata e re ka një mbështetje ligjore të ndryshme nga ajo ekzistuese dhe ky është një element thelbësor.

Investitorët e prodhimit të energjisë së rinovueshme dhe qeveria shqiptare janë përfshirë në konflikt disavjeçar që ka të bëjë me cenimin e pikave thelbësore të kontratës që këto HEC-e kishin me qeverinë e para 2013-s. Në themel të kësaj kontrate detyrimi, Korporata Shtetërore Elektroenergjetike ishte e detyruar të blinte energjinë e prodhuar nga HEC-et deri në 15 MË kundrejt një çmimi më të lartë se 9 lekë për kilovatorë.

Duke qenë se HEC-et e vogla prodhuan përtej normave të parashikuara nga KESH, korporata nuk mundi të shlyejë në kohë faturat.

Për pasojë, nga shtator 2013-dhjetor 2014, prodhuesit u përballën me vonesa pothuaj 1-vjeçare në pagesat e faturave të prodhimit. Kjo rezultoi në vështirësi të mëdha financiare dhe pothuaj të gjithë investitorët u detyruan të marrin overdrafte apo hua të reja nga banka me interesa më të larta se ato të parat. Kjo ndaloi gjithashtu pothuaj plotësisht vazhdimin e investimeve të filluara apo fillimin e projekteve të reja.

Shumë kompani të huaja dhe vendase, që kishin planifikuar të investonin në Shqipëri, i ndërruan planet e tyre.

Në fund të vitit 2014, nëpërmjet një VKM–je u ul çmimi i shitjes së energjisë nga HEC-et me 18%, duke marrë si referencë një çmim të një burse europiane (HUPX).

Fill pas kësaj, në shkurt 2015, ERE vendos se çmimi i vitit 2013 dhe 2014 duhet të rishikohet dhe si konkluzion, borxhi i KESH-it ndaj nesh automatikisht u zvogëlua me një tjetër 20%. Pra, në mënyrë retroaktive, u zvogëlua një çmim për të cilin HEC-et kishin lëshuar faturat dhe paguar edhe taksat.

(Kosova Sot)