Porosi deputetëve, mos shkelni mbi betimin e dhënë!

  • 28 August 2016 - 08:16
Porosi deputetëve, mos shkelni mbi betimin e dhënë!

LAJÇI: Nëse votohet Demarkacioni do të ketë tensione dhe krizë politike.

"Ju lusim që të mos e votoni me një shtator në Parlamentin e Kosovës këtë vijë kufitare me Malin e Zi, ku Kosova humb mbi tetë mijë hektarë. Nëse këtë e bëni, historia do t'ju gjykojë ", kanë porositur protestuesit, deputetët e Parlamentit të Kosovës,raporton Gazeta Kosova Sot

Mbi tre mijë qytetarë të trevave të Rugovës, Podgurit, fshatrave të Deçanit dhe nga mjedise të tjera të komunës së Pejës, dje nga qyteti i Haxhi Zekës porositën Hashim Thaçin e Isa Mustafën se Rugova dhe Dukagjini, si edhe mbarë Kosova nuk kanë toka për t'ia falur Malit të Zi. Ata, nga sheshi qendror i Pejës, u bënë ftesë deputetëve të Parlamentit të Kosovës që të mos e votojnë vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për Demarkacionin e kufirit me Malin të Zi, në versionin e ofruar nga Komisioni shtetëror i drejtuar nga Murat Meha. "Ju lusim që të mos e votoni me një shtator në Parlamentin e Kosovës këtë vijë kufitare me Malin e Zi, ku Kosova humb mbi tetë mijë hektarë. Nëse këtë e bëni, historia do t'ju gjykojë ", kanë porositur protestuesit, deputetët e Parlamentit të Kosovës.  

"Jini të dinjitetshëm, mbroni besimin e popullit" Ka shumë vite që Sheshi Qendror në Pejë nuk ishte mbushur me kaq shumë protestues, të cilët kishin dalë për t'iu përgjigjur ftesës së Këshillit organizativ të kësaj proteste, i cili kishte ftuar qytetarët që të protestojnë fuqishëm kundër Demarkacionit të kufirit, sipas Komisionit shtetëror, të prirë nga Murat Meha, i cili sipas protestuesve ia fal mbi tetë mijë hektarë tokë të Kosovës, Malit të Zi. "Jemi sot këtu të gjithë bashkarisht që t'u bëjmë të qartë se ne duam kufij shtetërorë dhe nacionalë e jo kufij kadastralë. Kosova me akademikët e saj dhe ekspertë të nivelit të lartë kanë bërë analiza të shumta dhe profesionale dhe është ardhur në përfundim se kjo vijë e Demarkacionit të Malit të Zi cenon sovranitetin e Republikës se Kosovës. Janë edhe mbi dy qind mijë nënshkrime, që e kundërshtojnë këtë formë të Demarkacionit të kufirit", ka thënë në tubimin protestues Ali Lajçi, në emër të Këshillit Organizativ të kësaj proteste. Ai ka ftuar pozitën dhe opozitën që të mos e votojnë me një shtator versionin e ofruar për demarkim. Nëse kjo ndodh, Lajçi ka thënë se do të ketë tensione, do të ketë krizë politike. "Ne do ta zhbëjmë në të gjitha format atë vendim", është shprehur Lajçi, i cili ka rikujtuar se kufiri me Malin e Zi është në Qafë të Qakorrit - Moknë dhe Kullë të Zhlebit. Ai në fund ka apeluar te deputetët që të jenë të dinjitetshëm dhe të mbrojnë besimin e popullit, që ua ka dhënë për t'i përfaqësuar interesat e tij e jo të pushtetarëve. Ka treguar se janë mbi 200 mijë nënshkrime të qytetarëve kundër asociacionit dhe Demarkacionit.

"Rixhaja" e pleqve rugovas për parlamentarët Profesor Dr. Zymer Neziri, në emër të forumit të intelektualëve, ka ftuar Qeverinë e Kosovës që të mos ushtrojë presion dhe të mos i shantazhojë deputetët e Parlamentit të Kosovës për ta votuar Demarkacionin, i cili, sipas tij, është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. "Komisioni i Mehës ka gabuar rëndë, duke ia humbur Rugovës dhe Kosovës tetë mijë hektarë tokë. Ata kanë shpërfillur versionin e kufirit të vitit 1945", është shprehur ai. Ndërkaq, prof. dr. Mujë Rugova ka përmendur se as Komisioni i Badintierit nuk i ka ndryshuar kufijtë e republikave dhe të krahinave, kurse këtë po e bën, sipas tij, Meha, me çaushët e tij. Në turmën e protestuesve me një flamur të Amerikës dhe kombëtar ishte mbështjellë 86-vjeçari nga fshati Shkrel i Rugovës. "Jam Tahir Bajramaj, nipi i Rexhë Avdisë së Rugovës, i cili është prerë me jatagan me djemtë nga Knjazi të Cetinës me bijtë e Mark Miilanit", u shpreh ky rugovas, i cili së bashku edhe me një rugovas tjetër Arif Iberdemën 85-vjeçar nga Shtupeqi dhe Nezir Muqajn 75-vjeçar nga Jabllanica e Anadrinit kishin dalë t'u bëjnë "rixha" parlamentarëve të Kosovës që të mos gabojnë për ta votuar Demarkacionin. "Nuk mund ta durojmë Malin e Zi mbi shtëpitë tona", thotë Tahir Bajramaj. Ai ka një lutje dhe për Amerikën që të na ndihmojë që të mbrojmë tokat tona, ku gur-kufiri janë varret e gjyshërve dhe stërgjyshërve tanë dhe të ndihmojë ashtu siç na ndihmoi që ta kemi lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

"Ne kemi larë me gjakun tonë çdo cep kufiri" Kurse 85-vjeçari Arif Ibërdemaj thotë për gazetën se shqiptarët kurrë nuk kanë pushtuar toka të huaja. "Ne kemi larë me gjakun tonë çdo cep kufiri edhe ata historikë e gjeografikë në Plavë e Guci, Ulqin e Tivar. Jemi rrudhur boll dhe më nuk kemi ku të rrudhemi", thotë ky rugovas shallbardhë. Ndërsa Nezir Muqaj, 75-vjeçar nga Jabllanica e Anadrinit, thotë se në Savina Vodë kurrë nuk ka pasur kufi. "Në kohën e Pashiqit ai atje e ka pas vendos një stacion të xhandarëve serbë, aty ku sot është pikëkalimi kufitar për në Mal të Zi. Kurrë kufi aty nuk ka pasur", u shpreh Nezir Muqa për gazetën. "E di pëllëmbë për pëllëmbë kufirin në Qafë të Zhlebit. Atje i kemi pasur edhe varret tona. Kush i varros familjarët në shtet të huaj", pyet 75-vjeçari, të cilit kufiri i ka ardhur 1000 metra mbi kulm të shtëpisë. Protestën në Pejë e kanë mbështetur edhe partitë opozitare AAK dhe 'Vetëvendosje', si dhe përfaqësuesit e nëndegëve të LDK-së dhe PDK-së për Rugovë. "Kërkojmë nga deputetët e Parlamentit të Kosovës që me një shtator të harrojnë se a janë pozitë apo opozitë, por të votojnë kundër Demarkacionit dhe për ruajtjen e sovranitetit të Republikës së Kosovës", ka thënë kryetari i nëndegës së PDK-së për Rugovë Dardan Selman-Lajçi. Kurse në emër të nëndegës së LDK-së për Rugovë, Dardan Selman Lajqi, tha se LDK-ja është përkrah interesave të popullit, ashtu siç pati lënë amanet presidenti Ibrahim Rugova. "Është e dhembshme të shohësh sot shallbarrdhët e Rugovës me nga mbi 80 vite mbi supe, duke mallkuar me lot në sy ata që duan t'ua marrin mbi tetë mijë hektarë tokë, për të cilat u sakrifikuan shumë breza", ka thënë Dardan Selman Lajçi, në emër të nëndegës së LDK-së së Rugovës. Këtij tubimi iu drejtuan edhe përfaqësues të subjekteve të tjera politike, Blerim Nikqi, AAK, Bashkim Lajqi, VV, dhe Prend Mrashi nga OVL të UÇK-së, të cilët kundërshtuan hapur marrëveshjen për Demarkacionin.

(Kosova Sot)

Image
Image