Rugovasit admirojnë guximin dhe dinjitetin e deputetes Kadriu

  • 29 August 2016 - 07:34
Rugovasit admirojnë guximin dhe dinjitetin e deputetes Kadriu

Në protestën e së shtunës, mesazhi kryesor nga protestuesit ishte drejtuar ndaj deputetëve të Parlamentit të Kosovës, që të mos e votojnë vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, sipas Komisionit shtetëror për Demarkacion, të prirë nga Murat Meha. Shallbarrdhët rugovas mallkonin të gjithë ata deputetë të Parlamentit të Kosovës, të cilët do të shkelin mbi betimin që kanë dhënë në Parlament në mbrojtje të Kushtetutës. Në anën tjetër, bekonin ata deputetë të pozitës, të pavarur dhe të opozitës që kundërshtojnë këtë Demarkacion të kufirit me Malin e Zi. Deputetja e pavarur, Margarita Kadriu, para pak ditësh ka bërë publik qëndrimin e saj lidhur me Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, duke thënë se nuk do të shkelë mbi betimin e dhënë prej deputeteje, dhe se do ta mbrojë integritetin dhe sovranitetin e Republikës se Kosovës. Ajo u ka bërë thirrje edhe deputetëve të tjerë, që të mos shkelin betim e dhënë, shkruan gazeta Kosova Sot.

Lajçi: "Zonja Kadriu dëshmoi se si ruhet dinjiteti i një deputeti"

Shumë nga protestuesit të shtunën në Pejë admiruan vendimin e guximshëm dhe të dinjitetshëm të deputetes së pavarur, Margarita Kadriu, e cila ka kërkuar krijimin e një komisioni të ri për të përcaktuar vijën kufitare me Malin e Zi, dhe ka kërkuar edhe nga deputetët e tjerë që të jenë përfaqësues të popullit. Ali Lajçi, ishdeputet i Parlamentit të Kosovës, dhe njëri ndër më të zëshmit dhe më aktivët në kundërshtimin e Demarkacionit, u shpreh për gazetën se vendimi i Zonjës Kadriu si deputete e pavarur është i drejtë dhe i pavarur i saj, ani pse, sipas tij, mund të ketë pasur tentime për ta bindur që të jetë pro kësaj marrëveshjeje. "Kjo deputete tregoi kurajën e saj, të cilën do të duhej ta kenë lakmi edhe deputetët e tjerë", vlerësoi Lajçi. Tutje Lajçi u shpreh. "Zonja Kadriu dëshmoi se si ruhet dinjiteti i një deputeti dhe obligimi që një deputet e ka ndaj betimit, që e ka bërë, kur e ka pranuar detyrën e deputetit të Kosovës. Unë e përgëzoj për kurajën e saj dhe porosinë që dha edhe ndaj deputetëve të tjerë që ta mbajnë premtimin e dhënë, ani pse mund të kenë presione të ndryshme". Analisti Jeton Kelmendi shprehu admirimin për vendimin autonom të zonjës Kadriu, duke i dëshiruar që të jetë shembull edhe për deputetët e tjerë se si mund të ruhet dinjiteti dhe pavarësia e mendimit dhe bindjes së deputetit, pa marrë parasysh se a ka apo nuk ka ngjyrime politike. "E çmoj një vendim të tillë të deputetes Margarita Kadriu dhe e uroj për kurajën e saj për të mbrojtur integritetin dhe sovranitetin e shtetit të Kosovës, detyrë parësore që del nga betimi i një deputeti", është shprehur për gazetën analisti Jeton Kelmendi...(Më gjërësisht mund të lexoni sot në Gazetën Kosova Sot)

(Kosova Sot)