Drejtësia e shantazhuar i druhet dekriminalizimit

  • 29 August 2016 - 07:37
Drejtësia e shantazhuar i druhet dekriminalizimit

Analistët dhe njohësit e fushës së drejtësisë janë shprehur se fati i qytetarëve mbetet në duart e tyre, që përmes votës të përcaktohen për një alternativë tjetër politike, në mënyrë që të dënohet e keqja që ka goditur shtetin si me punësime të paligjshme, kontrolle të parasë publike, etj. Por, a do të ndëshkojë vota e qytetarëve këta politikanë, të cilët e kanë bllokuar të ardhmen e Kosovës me marrëveshjen për Demarkacion, dhe të cilët politikanë për një vit të tërë po humbin kohë për një çështje që ka mundur të zgjidhet shpejt dhe shumë lehtë, mbetet të shihet. Duket, se qëllimi i këtyre politikanëve është mbajtja e Kosovës në katrahurë të tillë për përfitime personale dhe mosndëshkim nga Gjykata Speciale. Analisti Fadil Lepaja në një prononcim për gazetën, "Kosova Sot" ka thënë se për çështjen e Demarkacionit shumë pak ka mbetur pa u thënë, derisa, sipas tij, koalicioni i partive në pushtet e veçmas PDK-së për arsye ende të paqarta e mbrojti punën e gabuar joprofesionale të komisionit shtetëror dhe me dinakëri, siç tha, arriti ta fajësojë opozitën për krizën. "Kjo me siguri do të hetohet pastaj dhe dikush do të përgjigjet për këto pazare, por si duket krejt kjo do të shkojë njëkohësisht me procesin e dekriminalizimit të qeverisjes në vend", është shprehur Lepaja.

Gjykatësit e prokurorët të lihen të lirë në punën e tyre

Ndërsa, eksperti i fushës së sundimit të ligjit, Blerim Burjani, thotë se nëse prokuroria dhe gjykatat do të jenë të lira për ta ushtruar punën e tyre, atëherë do të kishte shpresë të madhe për të funksionuar rendi dhe ligji në Kosovë. Por, sipas tij, organet e drejtësisë duken të jenë të shantazhuara që një kohë të gjatë ose, siç tha, edhe të kushtëzuara në kryerjen e detyrave të tyre përballë njerëzve të pasuruar nga paraja publike. "Fati i qytetarëve mbetet në duart e vetë qytetarëve, pra në votën e tyre që të përcaktohen për një alternativë tjetër politike. Në këtë aspekt ka mbetur që vetëdijesimi qytetar të ndodhë sa më parë, në mënyrë që të ndalet e keqja dhe gjithashtu për të dënuar të keqën që ka goditur shtetin si me punësime të paligjshme, kontrolle të parasë publike, etj", ka theksuar eksperti i fushës së sundimit të ligjit, Blerim Burjani. Ndërkaq, profesori i së drejtës, Riza Smaka, u shpreh për gazetën "Kosova Sot" se qeveritarët aktualë, të cilët Kosovën e quajnë shtet juridik nuk duan t'ia dinë për ligjin. "Kosova është shtet juridik dhe çdo shtet është juridik edhe ato me tirani e centraliste janë shtete juridike, pasi e kanë kushtetutën dhe ligjet porse problemi qëndron se ato nuk zbatohen", u shpreh ai. Tutja Smaka shprehet: "Qeveritarët si duket nuk dinë ta thonë apo e dinë e nuk ua thotë zemra se Kosovën duam ta bëjmë shtet të së drejtës. Shteti i së drejtës është vetëm ai ku pushtetet shtetërore janë të ndara, reciprokisht të kontrolluara, gjersa tek ne ato janë vetëm formalisht të ndara, ngase në tërësi janë të dominuar nga Qeveria, e cila është ajo që e dikton Parlamentin, dhe kjo është e paprecedentë dhe është bizare, pasi Qeveria duhet t'i përgjigjet Parlamentit. Në këtë aspekt, le ta marrim vetëm pikën e fundit që është aktuale dhe akute, marrëveshjen për Demarkacionin, ku Qeveria ushtron influencë të padëgjuar dhe të paparë ndaj deputetëve për të votuar ashtu siç do Qeveria atë marrëveshje, derisa kjo mënyrë e votimit është në kundërshtim me ligjin për deputetët dhe statusin e tyre, pasi ata duhet të votojnë në bazë të ndërgjegjes dhe bindjes personale. Këtu shihet se nuk po përfillet aspak Kushtetuta e as aktet ligjore të mbështetura në kushtetutë", është shprehur ai...(Më gjërësisht mund të lexoni sot në Gazetën Kosova Sot) 

(Kosova Sot)