Fondi i dështimit

  • 29 August 2016 - 10:08
Fondi i dështimit

Premtimet qeveritare i bart era

Nokaj: Qeveria "Mustafa" nuk do të mbahet mend se bëri diçka të mirë në ekonomi

"Faktori kohë tregoi se edhe ky premtim për krijimin e Fondit të Punësimit dhe Zhvillimit, përmes të cilit do të bëhej një bum ekonomik, doli të jetë vetëm një gënjeshtër, sikurse edhe gënjeshtrat e tjera elektorale e paselektorale. Si PDK-ja, po ashtu edhe LDK-ja, që tani e kanë pushtetin, nuk kanë bërë ndonjë lëvizje rreth këtij Fondi", është shprehur deputeti i Nismës për Kosovën, Enver Hoti 

Në fushatën parazgjedhore të dy vjetëve më parë për zgjedhjet nacionale të vitit 2014, që e patën bërë ndaras Hashim Thaçi, por edhe Isa Mustafa, premtimi kryesor në ekonomi ishte krijimin e një Fondi për Punësim dhe Zhvillim, i cili synohej të arrihej përmes parave të Trustit Pensional dhe parave të Fondeve të privatizimit. Sipas analistëve, krejt kjo doli të jetë vetëm një farsë elektorale, sepse tash gati dy vjet pas premtimeve asgjë nuk doli të bëhet një realitet. Madje, asgjë nuk është realizuar edhe pasi u formua Bordi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP). Dy partitë, që sot janë në koalicion, kishin premtuar krijimin e vendeve të reja të punës dhe zhvillim ekonomik, duke u bazuar në kthimin e mjeteve të lartpërmendura. Sipas opozitës, premtimet e Isa Mustafës për një "bum ekonomik" ishin vetëm një gënjeshtër e kulluar. Deputeti i opozitës, Enver Hoti, Nisma për Kosovën, u shpreh se, sipas premtimeve të Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit, na ishte thënë se nga këto fonde, që gjenden jashtë shtetit, do të investoheshin madje rreth 500 milionë euro në bujqësi, si dhe do të krijoheshin mbi 50 mijë vende të reja pune. "Faktori kohë tregoi se edhe ky premtim i tyre, se do të bëhet një bum ekonomik, doli të jetë vetëm një gënjeshtër, sikurse edhe gënjeshtrat e tjera elektorale e paselektorale. Si PDKja, po ashtu edhe LDK-ja, që tani e kanë pushtetin, nuk kanë bërë ndonjë lëvizje rreth këtij Fondi të Punësimit dhe Zhvillimit", është shprehur ai. 

Arsenal premtimesh, pak realizime 

Njohësi i çështjeve ekonomike, Ardian Nokaj thotë Qeveria e Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës, veç numrit të madh të gënjeshtrave elektorale që i premtuan para dhe pas fushatës elektorale, nuk do të mbahen mend diçka për të mirë në planin ekonomik, por vetëm për të keq. "Vetëm për 6 muaj të qeverisjes së tyre gjatë fundvitit të periudhës 2014 dhe fillimvitit 2015, ata jo vetëm se nuk i krijuan ato Fonde për Punësim dhe Zhvillimit, por, për fat të keq, e zbrazën Kosovën edhe me 130 mijë qytetarë, që nga skamja u detyruan ta braktisin Kosovën dhe t'ia mësyjnë Perëndimin, duke kërkuar shpëtimin nga varfëria e madhe që i kishte kapluar", është shprehur ai. Ish-ministri i Financave, Dr. Haki Shatri thotë se binomi i Qeverisë "Mustafa" e "Thaçi" kanë dhënë premtime të mëdha gjatë fushatës elektorale. "E keqja është se po këta të dy liderë kanë dhënë premtime të tjera edhe më të mëdha edhe pasi kanë hyrë në Qeverinë e koalicionit, kur e filluan punën e tyre. Ndonëse i kanë parë mundësitë dhe kapacitete e tyre, ata sërish premtuan gjithnjë e më shumë, duke e zgjeruar listën e premtimeve. Mirëpo, koha tregoi se nga ai arsenal i atyre i premtimeve, kanë realizuar pak", është shprehur Shatri. Ai tutje ka shtuar: "Si ekonomist që është, Isa Mustafa dhe partnerët me programin e tyre që e pati si program elektoral patën premtuar një zhvillimin ekonomik dhe me vete mori disa ekonomistë dhe për synim kryesor programor e pati fokusuar zhvillimin ekonomik... (Më gjerësisht mund t'a lexoni në numrin e sotëm të gazetës KOSOVA SOT)