Thaçi: Të pagjeturit, plaga që duhet të mbyllet sa më parë

  • 29 August 2016 - 10:28
Thaçi: Të pagjeturit, plaga që duhet të mbyllet sa më parë

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi në vigjilje të Ditës Ndërkombëtare të të Personave të Zhdukur, 30 gushtit tha se të pagjeturit mbesin një nga plagët më të rënda që ka lënë lufta në Kosovë, ndërsa zgjidhja e fatit të të pagjeturve një nga detyrat më urgjente dhe më të rëndësishme për të gjithë.

“Lufta ka lënë shumë plagë, por ajo e të pagjeturve është ndër më të rëndat”, ka thënë presidenti Thaçi, i cili shtoi se kjo çështje “rëndon familjet e të të pagjeturve por edhe tërë shoqërinë, marrëdhëniet mes komuniteteve por edhe gjasat për një të ardhme më të mirë”.

“Është nevojë urgjente, detyrë humanitare, obligim i të gjithëve që sa më parë të zbardhet fati i të gjithë të pagjeturve, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike”, tha presidenti Thaçi.

I pari i vendit theksoi se nuk kalon ditë që nuk i kujtojmë të pagjeturit.

“Na shikojnë nga fotot e varura në rrethojën e Kuvendit të Kosovës. Na thërrasin familjet. Na i kujtojnë memorialët që i shohim rrugëve të Kosovës. Ndërkaq, në ditët si 30 gushti, zotohemi që gjithmonë, pandërprerë, do të kërkojmë dhe do të këmbëngulim që sa më parë të zbardhet fati i secilit qytetar të Kosovës, në mënyrë që familjet e të pagjeturve të gjejnë paqen e tyre ”.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, përfundoi duke thënë se “janë mu këto dhimbje që i ka shkaktuar lufta motivi ynë që të punojmë që të mos lejojmë që të përsëritet lufta por gjithmonë të ketë paqe, pajtim dhe bashkëpunim mes të gjitha komuniteteve”. 

(Kosova Sot)