Salihaj: Prokuroria po blen kohë për 'Pronto 2', nuk e ka seriozisht

  • 29 August 2016 - 12:43
Salihaj: Prokuroria po blen kohë për 'Pronto 2', nuk e ka seriozisht

 Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga koalicioni aktual, Adem Salihaj, u shpreh për gazetën "Kosova Sot" se Prokuroria nuk do të ndërmerrte asnjë veprim, po mos të ishte presioni i madh medial që është bërë, sepse këto përgjime tregojnë për skandalet që i kanë bërë eksponentët kryesorë të shtetit për punësime të të llojllojshme dhe në vende kyçe tepër të rëndësishme për asetet publike dhe qytetare.

"Prokuroria e Kosovës hezitoi shumë me arsyetimin se Eulex-i i trajtoi këto çështje dhe nuk gjeti shkelje të veprave penale, por megjithatë filloi diçka".

 Sipas tij, me këto veprime Prokuroria e Kosovës po blen kohë dhe nuk e ka seriozisht që të ndërmarrë veprime.

"Vlerësimet që janë bërë publike nga kjo aferë janë më e pakta dhe shumë sipërfaqësore krahasuar me çështje tepër të mëdha dhe çështje kriminale, me të cilat janë ndërmarrë këta eksponentë", u shpreh ai.

"Prokuroria e Kosovës i ka hedhur në opinion qëllimisht vetëm një pjesë të kësaj afere, që nuk janë shumë të rëndësishme dhe që nuk i involvojnë liderët më të lartë të shtetit në aspektet e mëdha kriminale".

Sipas Salihajt, Prokuroria e Kosovës ka edhe përgjime të tjera, në të cilat fshihen përgjime shumë më kriminale përfshirë edhe kriminalitetin ekonomik, oligarkët ekonomikë, si dhe aspekte të tjera të krimit të organizuar.

 "Ndonëse për momentin këto incizime nuk po publikohen, jam i bindur se në një ditë shumë të afërt ato do të dalin e bashkë me to edhe ato krime të rënda do të publikohen në tërësi si një pasqyrë e vërtetë e krimit të organizuar në Kosovë, ku ka dyshime se janë të involvuar edhe krerët e shtetit të Kosovës".

Deputeti Salihaj thotë se për këto afera ka qenë në dijeni edhe ish-kryeprokurori Ismet Kabashi, i cili vjen nga aferat e tilla si ajo "Pronto".

"Nuk dyshon se ka mundur që të ndodhë kjo, sepse këto emërime janë bërë nga njerëzit e aferave të "Prontos" dhe tash ata u përgjigjen atyre dhe të njëjtit edhe mund të shkarkohen nga ato poste nga njerëzit e "Prontos", të cilët kontrollohen në mënyrë strikte dhe ata prokurorë duhet t'u shërbejnë atyre e jo interesave të qytetarëve tanë.

 Ai tha se do të duhej të niseshin hetime edhe ndaj ish-kryeprokurorit Ismet Kabashi dhe personave të tjerë, nëse do të kishte rend.

"Por, ne kemi shtet ku nuk sundon ligji por oligarkët dhe mafia. Ata janë në krye të shtetit. Nëse një prokuror do ta fillonte një hetim, ai do shkarkohej menjëherë. Mendoj se nuk do të ketë hetime ndaj tyre”, tha ai.

(Kosova Sot)