Dhjetë pengmarrjet më të famshme në histori (Foto)

  • 29 August 2016 - 16:20
Dhjetë pengmarrjet më të famshme në histori (Foto)

Praktika e pengmarrjes është shumë e lashtë, dhe ajo është përdorur në mënyrë konstante në negociata me vende të pushtuar, dhe në raste të tillë si dorëzime, armëpushime e të tjera situata si këto ku dy palët ndërluftuese merrnin pengje për të siguruar betimin e palës tjetër. Romakët ishin mësuar të merrnin bijtë e princërve haraçpagues dhe t’i arsimonin në Romë, duke i mbajtur kështu si pengje për të garantuar vazhdimësinë e besnikërisë së vendit të pushtuar dhe duke përgatitur gjithashtu një sundues të ardhshëm të mbrujtur me idetë e qytetërimit romak. “Tirana Observer” boton sot 10 historitë me pengjet më të famshme në botë.

10- Ingrid Betancourt Pulecio

2

Ingrid Betancourt Pulecio është një politikane kolumbiano-franceze, ish-senatore, aktiviste kundër korrupsionit dhe një kandidate për Çmimin Nobel. Betancourt u rrëmbye nga Forcat e Armatosura Revolucionare të Kolumbisë (FARC) në 23 shkurt të vitit 2002 dhe ajo u lirua pas ndërhyrjes së forcave kolumbiane të sigurisë gjashtë vjet e gjysmë më vonë, në 2 korrik 2008. Operacioni i shpëtimit të saj, i pagëzuar me emrin Operacioni Jaque liroi betancourtin bashkë me 14 pengje të tjerë (tre amerikanë dhe 11 policë dhe ushtarë kolumbianë). Në total, ajo u mbajt peng për 2321 ditë, pasi ishte rrëmbyer në një kohë kur ishte duke bërë fushatë për Presidente e Kolumbisë, duke përfaqësuar të Gjelbërit. Ajo kishte vendosur të bënte fushatë në rajonet e kontrolluar nga rebelët, pavarësisht paralajmërimeve të qeverisë, policisë dhe ushtrisë për të mos e bërë këtë gjë. Rrëmbimi i saj bëri jehonë në të gjithë botën, sidomos në Francë, për shkak të nënshtetësisë së saj të dyfishtë franceze. Ajo ka marrë disa çmime ndërkombëtarë, si Legjioni i Nderit.

9- Terry Anderson

3

Në 16 mars 1985, terry Andersn sapo kishte përfunduar një lojë tenisi kur u rrëmbye nga rruga në Beirut, u fut me forcë në bagazhin e një makine dhe më pas u dërgua në një vend të fshehtë ku u burgos. Për gjashtë vitet dhe nëntë muajt e ardhshëm ai u mbajt peng, ndërsa zhvendosej në mënyrë periodike në vende të ndryshëm. Rrëmbyesit e tij ishin një grup myslimanësh shiitë të Hezbolahut që mbështeteshin nga Irani, në atë që supozohej se qe një kundërveprim ndaj përdorimit prej izraelit të armëve amerikane si dhe ndihmës së dhënë në vitet 1982-1983 në sulmet që Izraeli kreu kundër shënjestrave muslimane në Liban. Në të njëjtën kohë u mbajtën peng edhe shumë nënshtetas të tjerë amerikanë. Fillimisht, Anderson u mbajt i vetëm, ndonëse më vonë kuptoi se, pranë kishte edhe të rrëmbyer të tjerë. Anderson ishte pengu i fundit, i cili u lirua më në fund në 4 dhjetor 1991, duke u bashkuar kështu me familjen e tij pas shumë vitesh. Bija e tij, Sulome Anderson, kishte lindur tre muaj pas rrëmbimit të tij dhe nuk e kish parë të atin deri në këtë moment.

4

Kriza e pengjeve në Iran ishte një krizë diplomatike ndërmjet Iranit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku 52 diplomatë amerikanë u mbajtën pengje për 444 ditë nga 4 nëntori 1979 deri në 20 janar 1981, pasi një grup studentësh islamikë pushtoi ambasadën amerikane në mbështetje të revolucionit iranian. Episodi arriti kulmin kur, pas përpjekjesh të dështuara për të negociuar lirimin e pengjeve, ushtria e SHBA u përpoq të realizojë një operacion shpëtimi, të pagëzuar me emrin “Kthetra e shqiponjës”, në 24 prill 1980, i cili rezultoi në një mision të dështuar, rrëzimin e dy helikopterëve si dhe vdekjen e tetë ushtarëve amerikanë si dhe një qytetari iranian. Ajo përfundoi me firmosjen e Marrëveshjeve të Algjerit në Algjeri në 19 janar 1981. Pengjet u dorëzuan në duart e amerikanëve një ditë më pas, disa minuta, pasi Presidenti i ri i SHBA, Ronald Regan kishte bërë betimin.

7- Patty Hearst

5

Pattu Hearst, tani e njohur si Patricia Hearst Shaw është një trashëgimtare e një gazete në SHBA, një personalitet shoqëror dhe herë pas here edhe aktore. Mbesa e manjatit të botimeve, William Randolph Hearst dhe stërmbesa e milionerit George Hearst ajo fitoi famë në vitin 1974 kur, pas rrëmbimit të saj nga Ushtria Çlirimtare Simbioneze (SLA), ajo në fund u bashkua me rrëmbyesit e saj për të çuar përpara kauzën e tyre. Kur u kap, pasi kish marrë pjesë në grabitjen e një banke bashkë me bashkëpunëtorë të saj nga SLA, Hearst u burgos për pothuajse dy vite përpara se, dënimi i saj të zbutej nga Presidenti Jimmy Carter. Më vonë, asaj iu dha falja presidenciale nga Presidenti Bill Clinton, në aktin e tij të fundit zyrtar përpara se të largohej nga detyra e Presidentit. Veprimet e Hearst i janë atribuuar shpesh herë sindromës së Stokholmit, sipas të cilës pengjet shpesh herë bashkohen me kauzën e atyre që i kanë marrë peng.

6- Kriza e pengjeve në Teatrin e Moskës

6

Kriza e pengjeve në Teatrin e Moskës, e njohur gjithashtu si rrethimi Nord-Ost i vitit 2002 ishte pushtimi i një teatri të populluar moskovit në 23 tetor 2002 nga afro 40-50 luftëtarë rebelë çeçenë që shpallën besnikërinë e tyre ndaj lëvizjes separatiste në Çeçeni. Ata morën peng 850 vetë dhe kërkuan tërheqjen e forcave ruse nga Çeçenia si dhe dhënien fund të Luftës së Dytë në Çeçeni. Rrethimi udhëhiqej zyrtarisht nga Movsar Barajev. Pas një rrethimi që zgjati dy ditë e gjysmë, forcat ruse Spetsnaz, hodhën brenda në teatër në sistemin e ventilimit një agjent kimik të panjohur dhe më pas hynë me forcë brenda. Zyrtarisht, 39 prej terroristëve u vranë nga forcat speciale ruse, bashkë me 129 e ndoshta më shumë pengje (përfshirë nëntë shtetas të huaj). Të gjithë pengjet që u vranë gjatë sulmit – përveç njërit – gjetën vdekjen për shkak të substancës toksike që u fut në teatër për të nënshtruar militantët.

5- Kriza e pengjeve në shkollën e Beslanit

7

Kriza e pengjeve në shkollën e Beslanit (e njohur gjithashtu si masakra e Beslanit) nisi kur një grup terroristësh të armatosur, që kërkonin t’i jepej fund Luftës së Dytë çeçene morën peng më shumë se 1100 vetë përfshirë 777 fëmijë në 1 shtator 2004, në Shkollën Numër Një në qytetin e Beslanit në Oshetinë Veriore, një republikë autonome në rajonin e Kaukazit Verior të Federatës ruse. Në ditën e tretë të kësaj situate, forcat speciale të sigurisë hynë me forcë në ndërtesë, duke përdorur tanke, raketa termobarike dhe armë të tjera të rënda. Pengmarrja u krye nga Batalioni i Zbulimit Ryadus-Salikkin i grupit të Martirëve Çeçenë që udhëhiqej nga Shamil Basajev, në atë kohë një luftëdashës i pavarur. Tragjedia çoi më pas në reperkusione sigurie dhe politike në Rusi, ku më të spikatura ishin një seri reformash të qeverisë që konsolidonin pushtetin në Kremlin dhe forconin kompetencat e Presidentit në Rusi. Deri vonë ka patur shumë aspekte të krizës ende të paqartësuara, duke përfshirë numrin e militantëve të përfshirë, përgatitjet e tyre dhe, nëse disa prej tyre kishin mundur të shpëtonin. Pikëpyetjet në lidhje me menaxhimin që qeveria i bëri krizës kanë vazhduar gjithashtu, duke përfshirë dizinformacione dhe censurë e lajmeve në media, represion ndaj gazetarëve që nxituan në Beslan, natyrën dhe përmbajtjen e negociatave me militantët, përgjegjësitë për gjakun e derdhur, si dhe përdorimin ndoshta të forcës së tepruar nga ana e qeverisë.

4- Eloá Pimentel

8

Kriza e pengjeve në Eloa Pimentel ka të bëjë me rrëmbimin, situatën e pengmarrjes dhe vrasjen e vajzës 15-vjeçare braziliane, Eloa Cristina Pimentel, që u shoqërua me goditjen e mikes së saj Nayara Silva, të dyja të kryera nga ish-i dashuri i Eloas, Lidemberg Alves. Incidenti u pasqyrua në mënyrë të zgjeruar në media jo vetëm për shkak të vrasjeve, por gjithashtu edhe për shkak të gabimeve që bëri policia e Sao Paolos, dhe gjithashtu sepse Eloa u mbajt peng për 100 orë – pengmarrja më e gjatë e rregjistruar ndonjëherë në shtetin e Sao Paolos. Në 13 tetor 2008, Eloa Pimentel, Nayara da Silva dhe dy miq të tyre ishin duke punuar për një detyrë shkollore, kur ish- i dashuri 22-vjeçar i Eloas, Lidemberg Fernandes Alves hyri në apartamentin e saj në Santo Andre me një pistoletë në dorë. Ai liroi shumë shpejt të dy djemtë, por mbajti Eloan dhe Nayaran. Grupi i Aksioneve Special Taktikë e ndoqi nga afër të gjithë situatën. Në 16 tetor, da Silva u lirua prej Alvesit, por nga ana e policisë asaj iu propozua që të rikthehej në apartament. Ajo pranoi dhe u mbajt sërish peng. Disa orë më vonë u dëgjuan të shtëna që vinin nga apartamenti, dhe forcat speciale vendosën të hyjnë. Ata arritën ta ndalin dhe ta bllokojnë, por jo përpara se ai të qëllonte me dy plumba, Eloan dhe një Nayara. Eloa, e plagosur rëndë, u dërgua në spital, por më pas ajo vdiq për shkak të dëmtimit në tru.

3- Gracia dhe Martin Burnham

9

Burnhamët ishin misionarë protestantë amerikanë në Filipine me Misionin e Fiseve të Reja për 17 vite, nga 1986. Çifti ishte mes një grupi më të madh që u mor peng nga Grupi abu Sayaff, një grup terrorist separatist islamik, që operon në Jug të Filipineve. Pengmarrja ndodhi në 27 maj 2001. Ndërkohë që pjesa më e madhe e grupit u vra prej pengmarrësve ose u liruan pas pagesës së dëmshpërblimit, Burnhamët u mbajtën peng për një vit dhe disa ditë. Rrëmbyesit kërkuan 1 milion dollarë për lirimin e tyre. U pagua një shpërblim 300 000 dollarë e megjithatë rrëmbyesit refuzuan që t’i lirojnë. Gjatë aksionit për shpëtimin e tyre të kryer nga Ushtria e Filipineve në 7 qershor 2002, Martin u vra me tre plumba në kraharor dhe Gracia u plagos. Që nga lirimi dhe vdekja e bashkëshortit, Gracia është rikthyer në Amerikë tek tre fëmijët e saj. Ajo ka shkruajtur dy libra mbi eksperiencat e veta “në praninë e armiqve të mi” dhe ‘Të fluturosh sërish”. Ajo ka krijuar gjithashtu Fondacionin Martin dhe Gracia Burnham.

2- Roy Hallums

10

Roy Hallums është një kontraktor amerikan që u rrëmbye në Irak në 1 nëntor 2004. Ai u mbajt në Irak për 311 ditë dhe u lirua në 7 shtator 2005. Në 1 nëntor 2004, 20 njerëz të armatosur hynë me forcë në ndërtesën ku Hallums dhe punëtorët e tjerë po punonin, në zonën e sipërme të lagjes Mansour në Bagdad. Hallums u mor peng bashkë me Roberto Tarongoyn nga Filipinet, Inus Devarin nga Nepali dhe tre irakenë. Devari dhe irakenët u liruan më vonë menjëherë pas rrëmbimit. Një kasetë filmike e Hallums u lëshua nga rrëmbyesit në 25 janar 2005. Është e paqartë se kur ishte realizuar. Hallums kishte një mjekër të gjatë dhe ishte i ulur me një tytë arme tek koka. “Jam arrestuar nga një grup i rezistencës në Irak”, thoshte Hallums në kasetë. “Unë kërkoj ndihmë, sepse jeta ime është në rrezik, sepse është vërtetuar që unë punoj për forcat amerikane”. Hallums nuk i bëri apel Presidentit amerikan Bush, por i bëri thirrje atij libian, Ghadaffi, që të ndihmonte për lirimin e tij. Gaddafi bëri më vonë thirrje për lirimin e Hallums, i cili u lirua në 7 shtator 2005 bashkë me një peng iraken, kur trupat amerikane sulmuan një shtëpi ferme 15 milje në jug të Bagdadit. Kur mbërritën trupat e koalicionit, irakenët ishin larguar. Në total, Hallums ish mbajtur peng për dhjetë muaj e shtatë ditë. Ai tha se ishte lidhur dhe mbyllur goja në pjesën më të madhe të kohës, por doktorët thanë se ishte në shëndet të mirë.

1- Atë Lawrence Martin Jenco

11

Atë Lawrence Martin Jenco, i lindur në Joliet, Illinois u mor peng në Beirut nga pesë burra të armatosur në janar 1985, teksa shërbente si Drejtor i Shërbimeve Katolike të Ndihmës atje. Ai u mbajt për 564 ditë përpara se të lirohej dhe të lejohej të rikthehej në SHBA. Në librin e tij, ‘I prirur për të falur” Jenco rrëfen eksperiencën e rrëmbimit dhe burgosjen, si dhe ofron portrete të myslimanëve shiitë që e mbajtën peng. Ai diskuton gjithashtu se si kish qenë besimi që e kish mbajtur gjallë. Pjesën më të madhe të kohës e kish kaluar me lutje dhe meditime. Ndonjëherë e kishin mbyllur me pengje të tjerë (përfshirë Terry Anderson). Pjesën më të madhe të kohës ai qëndroi i lidhur me zinxhirë dhe symbyllur dhe lejohej të përdorte tualetin një herë në ditë. Jenco pësoi infeksione të rëndë në sy si dhe probleme të tjerë shëndetësorë si rezultat i qëndrimit peng. Andej nga fundi i periudhës së pengmarrjes, Jenco u pyet nga një prej rojeve të tij, nëse i falte pengmarrësit. Atë Jenco thotë në librin e tij se, në atë moment ai kuptoi se po i bëhej thirrje “të falte, të linte mënjanë hakmarrjen”.

 (Kosova Sot)