Smaka: Qeveritarët, vetëm për interesa personale e egoiste

  • 29 August 2016 - 16:27
Smaka: Qeveritarët, vetëm për interesa personale e egoiste

Analisti Riza Smaka, u shpreh për gazetën "Kosova Sot" se qeveritarët aktualë, të cilët Kosovën e quajnë shtet juridik nuk duan t'ia dinë për ligjin.

"Kosova është shtet juridik dhe çdo shtet është juridik edhe ato me tirani e centraliste janë shtete juridike, pasi e kanë kushtetutën dhe ligjet porse problemi qëndron se ato nuk zbatohen", u shpreh ai.

Tutja Smaka shprehet se: "Qeveritarët si duket nuk dinë ta thonë apo e dinë e nuk ua thotë zemra se Kosovën duam ta bëjmë shtet të së drejtës. Shteti i së drejtës është vetëm ai ku pushtetet shtetërore janë të ndara, reciprokisht të kontrolluara, gjersa tek ne ato janë vetëm formalisht të ndara, ngase në tërësi janë të dominuar nga Qeveria, e cila është ajo që e dikton Parlamentin, dhe kjo është e paprecedentë dhe është bizare, pasi Qeveria duhet t'i përgjigjet Parlamentit.

Në këtë aspekt, le ta marrim vetëm pikën e fundit që është aktuale dhe akute, marrëveshjen për Demarkacionin, ku Qeveria ushtron influencë të padëgjuar dhe të paparë ndaj deputetëve për të votuar ashtu siç do Qeveria atë marrëveshje, derisa kjo mënyrë e votimit është në kundërshtim me ligjin për deputetët dhe statusin e tyre, pasi ata duhet të votojnë në bazë të ndërgjegjes dhe bindjes personale. Këtu shihet se nuk po përfillet aspak Kushtetuta e as aktet ligjore të mbështetura në kushtetutë", është shprehur ai.

 Më tej, Smaka ka nënvizuar se në shtetet e së drejtës një akt i tillë do të ishte i mjaftueshëm që të binte Qeveria dhe të përgjigjej politikisht, ku më pastaj edhe do të hapeshin procedura penale kundër atyre që bëjnë influencë negative ndaj deputetëve. "Prandaj, këta qeveritarë janë ata të cilët janë të interesuar kryesisht dhe kryekëput vetëm për interesa personale e egoiste, ndërsa interesat e përgjithshme për ata nuk ekzistojnë. Andaj edhe jo rastësisht Kosova ndodhet në një situatë shumë të pakëndshme me borxhe të jashtme, pastaj me një deficitit tregtar shumë të pavolitshëm, etj. Rrjedhimisht edhe qindra të rinj e të reja po ikin jashtë vendit, pasi nuk kanë kurrfarë shprese për t'u punësuar këtu, ngase punësimet bëhen vetëm sipas nepotizmit, partizanëve e militantëve politikë që i kapin pozitat kyçe e nuk kanë asnjë njohuri", shprehet Smakaj.

Tutje ai shprehet se në këtë vend nuk funksionon as administrata publike, as Gjyqësori e as prokuroria dhe asgjë nuk është siç duhet, kurse gjendja është shumë e keqe dhe e padurueshme. "E gjithë kjo gjendje mund të ndryshojë vetëm me rënien e Qeverisë, me instalimin e një qeverie të zgjedhur në mënyrë demokratike dhe me kusht që të jetë një qeveri, e cila do ta përfillte Kushtetutën", ka potencuar Smaka.

(Kosova Sot)