Mjeshtret e veshjeve të traditës

  • 29 August 2016 - 19:03
Mjeshtret e veshjeve të traditës

Shala: Vetëm pak mjeshtre vazhdojnë të mbajnë traditën gjallë.

"Larmia më e madhe ekziston te veshjet e grave. Tiparet kryesore janë: veshja e "ngushtë" dhe veshjet me "pështjellak të gjerë". Punët e dorës së grave dhe ato në vek janë punime që më së shumti i kanë rezistuar kohës deri në ditët e sotme, kjo falë traditës së përcjelljes së tyre nga nëna tek e bija që në moshë të hershme", shprehet njohësi i fushës së traditës, Nexhat Çoçaj,raporton gazeta Kosova Sot

Prizreni me rrethinë dikur ishte një nga rajonet më të pasura sa u përket veshjeve që përbeheshin nga endjet. Njëra ndër familjet që merret tani me këtë zeje është ajo e Nderim Shalës. Shala tregon se nga kjo zeje kanë arritur të kenë të hyra mesatare. Pjesët kryesore të veshjes së nuseve ishin: këmisha, dimitë, xhamadani, mitani, përparësja, çorapet, opingat, duvaku dhe stolitë. Këmisha qepej prej mëndafshi. Rreth jakës, grykës dhe në fund të mëngëve zbukurohet me punime me gjilpërë, me fije mëndafshi. Ajo ka motive të fletëve të zbukuruara me rruaza i thonë "yrnek me fleta gjinaqe". Nuset veshin dimi "çitjane" dhe mitani prej pambuku është njëngjyrësh apo shumëngjyrësh. Dimitë kanë këmbëza "kama nautli" me gajtan ngjyrë portokalli të punuara me grep. Mbi këmishë nuset veshin xhamadan e metal "minton" prej materiali të njëjtë si dimitë. Ato po ashtu veshin xhamadanin "jelek naut". Sipas Nadire Bytyçit, e cila merret me këtë zeje, xhamadani është i qepur prej somoti me ngjyrë manushaqe i zbukuruar me gajtanë ngjyrë portokalli. "Nuset gjithashtu veshin xhamadan të zbukuruar me fije ari. Përparësen "bofqa e kuqe" e endin vajzat e fejuara. Si nuse atë e veshin për herë të parë në ditën e katërt të martesës. Përparëset e nuseve kryesisht janë nga Opoja. Përparësja është endur prej pambuku me ngjyrë të kuqe me dy fletë pëlhure. Trualli ka ornamente të imta të renditura në breza me ngjyrë të bardhë. Ato janë të punuara prej leshi, pambuku dhe prej fijeve të telit të verdhë vezullues", tregon ajo. 

Përparëset ende kanë mbetur në modë Opoja dhe Hasi si lokalitete janë të pasura për endje, ku prodhojnë veshje që duken shumë të bukura. Ende kanë mbetur në modë përparëset. "Në të dy anët e përparëses ka një zbukurim të vogël me ngjyrë të bardhë të punuar me gjilpërë. Mbi ta ka rruaza të imëta me ngjyrë kafe të mbyllët. Lidhet me dy gjallma prej pambuku me ngjyrë të bardhë e të kuqe. Përparëset e këtilla janë bartur në fshatin Brrut i Vogël. Përparëset endeshin prej pambuku me ngjyrë të kuqe të çelët me dy fletë pëlhure. Është zbukuruar larume" me ornamentin e zogjve që i quajnë "me zogj", shprehet Bytyçi. Sipas saj, nusja dikur ka vënë në kokë duvak të kuq me një grumbull leshi brenda. "Prej stolive, nuset përdorin kapuç, vathë, byzylyk, gjerdan, brez prej ari etj. Nuset mbajnë kapuç me një rend monedhash prej ari dhe me një monedhë "mahmudije" në mes. Një familjet në gjendje të dobët ekonomike në vend të monedhave prej ari përdoret imitimi i monedhave. Nuset dhe gratë e reja mbajnë vathë që formohen me përshtatjen e monedhave "hajrije" ose "mahmudije", tregon Nderim Shala. Në artizanatin e Prizrenit pjesa më e madhe e artizanëve e braktisën tërë- sisht profesionin ose e ushtronin atë vetëm si aftësi për të përmbushur nevojat e ekonomisë familjare. "Vetëm pak mjeshtër vazhdojnë të mbajnë traditën gjallë dhe punojnë në shtëpitë e tyre, ku prodhojnë veshje popullore dhe punime të tjera dore, duke ruajtur traditën në motivet e hershme, por edhe duke e pasuruar atë me motive të reja në përputhje me trendët e kohës dhe kërkesat e tregut. Tani që kushtet kanë ndryshuar dhe prodhimet e artizanatit të sotëm prizrenas janë në vazhdën e traditave shekullore që datojnë nga koha ilire", shprehet Shala. Ai thotë se në këtë rajon ka qenë shumë e lashtë tradita e endjes. "Punët e dorës së grave janë ato që më së shumti i kanë rezistuar kohës deri në ditët e sotme. Prodhimet e artizaneve të Prizrenit kanë qenë po aq të famshme, sikurse dhe prodhimet e artizaneve të Stambollit, Romës e Athinës. Një vend të rëndësishëm në punët e dorës së grave zë edhe përgatitja e kostumeve tradicionale popullore të grave dhe burrave. Ato janë ruajtur origjinale dhe janë një shprehje e qartë e identitetit Prizrenas. Këto kostume shpalosen me gjithë bukurinë e tyre vetëm gjatë festivaleve folklorike, festimeve të tjera popullore, apo dasmave". Kostumi tradicional konsiderohet nga populli si një element identiteti që e dallon nga krahinat e tjera të Prizrenit.

"Industria shtëpiake" Sipas traditës së vjetër të popullit, të gjitha vajzat e reja pa përjashtim, kur martoheshin, merrnin me vete pajën e përgatitur nga duart e tyre. Aty përfshiheshin të gjitha nevojat që do të kishte familja e ardhshme për të gjithë jetën. Në këtë "industri" shtëpiake vendin kryesor e zinin prodhimet e leshit, për shtrojë dhe mbulojë, veshja e përditshme për të gjithë pjesëtarët e familjes, e cila duhej të ishte e tillë që t'i përshtatej klimës së ashpër, mënyrës së jetesës së malësorëve, e lidhur ngushtësisht me blegtorinë dhe pyjet. Sot kjo tradite është braktisur nga brezi i ri. Është hequr dorë nga prodhimi i veshjeve, por jo me përmasat e dikurshme. "Disa prodhime që dikur bëheshin nga leshi, tashmë janë zëvendësuar nga grepi, shtizat, e të tjerë. Që në kohët e moçme endja në vegjë e pëlhurave prej liri, pambuku e leshi, punimet me grep, qëndisje, prodhimi dhe dekorimi i veshjeve popullore, kanë qenë profesioni i vetëm për gratë dhe vajzat e kësaj zone", shprehet Bytyqi. Shumë e lashtë vjen tek gratë tradita e punimin të leshit në avlëmend. Një vend të rëndësishëm në punët e dorës zë përgatitja e kostumeve tradicionale popullore. Në këtë rajon, sipas Prof. Dr. Nexhat Çoçajt, studiues i këtij lëmi, tradicionalisht janë përdorur dhe ende vazhdojnë të përdoren shumë variante veshjesh popullore. "Larmia më e madhe ekziston te veshjet e grave. Tiparet kryesore janë: veshja e "ngushtë" dhe veshjet me "pështjellak të gjerë". Punët e dorës së grave dhe ato në vek janë punime që më së shumti i kanë rezistuar kohës deri në ditët e sotme, kjo falë traditës së përcjelljes së tyre nga nëna tek e bija që në moshë të hershme. Veshja dallohet nga pështjellaku i gjerë në ngjyrë të kuqe, që endet në vek dhe paloset në pala të vogla, pjesa e prapme e të cilit dekorohet me rruaza ne motive të natyrës. Karakteristike për veshjen e ngushtë është këmisha prej bezi të bardhë dhe përparësja, e cila dallohet për zbukurimet me motive të veçanta me figura rombi, trekëndëshe mes motiveve të natyrës, si dhe pështjellaku i përparmë prej stofi, i cili zgjerohet në fund dhe krijon dy cepa dhe qëndiset në forma gjeometrike me rruaza dhe temina", tregon ai. 

(Kosova Sot)

 

Image