Nuk ka mbetur hapësirë për ceremoni të dinjitetshme

  • 29 August 2016 - 19:18
Nuk ka mbetur hapësirë për ceremoni të dinjitetshme

Në lokacionin në pjesën periferike të qytetit, i njohur si "Zabeli i Sahit Agës", pati telashe me prona private.

PDK-ja: Kuvendi Komunal duhet menjëherë ta trajtojë këtë problem serioz dhe në bashkëpunim me Kadastrën dhe Bashkësinë Islame të Kosovës në Gjilan të përcaktojnë një vend adekuat për varrezat e qytetit të Gjilanit,raporotn Gazeta Kosova Sot

Opozita në Gjilan (PDK) shprehet e shqetësuar me gjendjen në varrezat e qytetit. Sipas saj, hapësira e mbetur, është e pamjaftueshme dhe e papërshtatshme për varrimin e të vdekurve. Opozita ka kërkuar nga institucionet komunale që të sigurojnë një hapësirë të re, të përshtatshme për varreza. Dega e PDKsë, e cila në Kuvend Komunal përfaqësohet me shtatë vendimmarrës, ka kërkuar debat për këtë çështje, duke mos u pajtuar me zgjidhjen e përkohshme që është bërë duke rrafshuar me dhe një hapësirë brenda varrezave. Opozita ka thënë se edhe familjarët, të cilët po i përcjellin më të dashurit e tyre nga kjo jetë, nuk janë të kënaqur me vendin ku po i varrosin të vdekurit. "Kuvendi Komunal, duhet menjëherë ta trajtojë këtë problem serioz dhe në bashkëpunim me Kadastrën dhe Bashkësinë Islame të Kosovës në Gjilan, të përcaktojnë një vend adekuat për varrezat e qytetit të Gjilanit", ka kërkuar opozita (PDK) në Gjilan.

Në varrezat e vjetra investohen 200 mijë euro Zyrtarët komunalë thonë se varrezat e qytetit, gjatë këtij viti do të rregullohen përmes një granti të ndarë nga UNDP-ja, në vlerë prej 200 mijë euro. Projekti parasheh zgjerimin e hapësirës, ndërrimin e rrethojave të vjetra, hapjen e shtigjeve për këmbësorë, rregullimin e ndriçimit publik, gjelbërimit dhe të tjera. Nënkryetari i Komunës, Rexhep Kadriu, ka thënë se UNDPja ka përzgjedhur Komunën e Gjilanit për këtë investim. Komuna ka aplikuar për grante me tri projekte, por është përzgjedhur projekti për rregullimin e varrezave. Sipas planifikimit pritet që punimet të nisin në muajin tetor dhe do të përmbyllen brenda këtij viti. "Është paraparë të ndërrohet rrethoja e varrezave, zgjerimi i hapësirës për varre të reja, do të bëhet zgjerimi i rrugës dhe rregullimi i trotuarit për këmbësorë, në drejtim të shkollës "Abaz Ajeti", pastaj është paraparë të bëhen edhe shtigjet për këmbë- sorë nëpër varreza, ulëse, ndriçimi publik, gjelbërimi dhe mbjellja e drurëve dekorativë", ka thënë Kadriu. Sipas tij, Komuna e Gjilanit ka marrë përsipër zgjerimin e rrugës dhe rregullimin e trotuarit deri te shkolla fillore "Abaz Ajeti", përbri varrezave të qytetit. Për më tepër Kadriu ka thënë se Komuna e Gjilanit është duke punuar vazhdimisht për lokacionin e ri të varrezave, sepse hapësira e tanishme është e pamjaftueshme, pavarësisht zgjerimit që është bërë. Varrezat e reja të qytetit do të vendosen në një lokacion tjetër.

Në kërkim të një lokacioni të ri Qyteti i Gjilanit ka rreth 55 mijë banorë, sipas regjistrimit të fundit, pa fshatra dhe vetëm një palë varreza. Në këtë numër nuk figurojnë edhe rreth 30 mijë banorë të tjerë, të cilët jetojnë e punojnë në botën e jashtme, por varret i bëjnë në atdhe. Hapësira ekzistuese e varrezave të qytetit është shfrytëzuar maksimalisht deri më tani. Imamët kanë tërhequr vëmendjen me kohë për nevojën e gjetjes së një lokacioni të ri për varreza. Fillimisht, para më tepër se dhjetë vitesh, ishte caktuar një lokacion në pjesën periferike të qytetit, i njohur si "Zabeli i Sahit Agës", por ndërkohë ishin paraqitur probleme me disa prona, që rezultuan të jenë private. Zgjidhja e përkohshme u bë duke zgjeruar hapësirën ekzistuese, por qytetit i duhet një zgjidhje afatgjatë. Alternativë mbetet një lokacion në Velekincë, mbi 2 km larg qytetit. Imami Agim Hyseni thotë se varrezat janë një hapësirë e shenjtë, ku shprehet kultura dhe civilizimi i një populli. Nga ana fetare, varrezat duhet të jenë të vendosura në një vend që ka sipërfaqe të mjaftueshme dhe konfiguracion të përshtatshëm për varrosje. Përndryshe, nëse shikohen varrezat tona të vjetra, ngado nëpër Kosovë, jo gjithmonë mund të mburremi me mirëmbajtjen e tyre. Vetëm kohëve të fundit është vërejtur një interesim më i madh i qytetarëve për varrezat dhe në disa fshatra të komunës së Gjilanit, janë bërë rrethojat dhe pastrimi i hapësirave, për t`i ndarë ato nga livadhet ku kullosin bagëtia, ose tokat e tjera, që zakonisht janë djerrina. Përndryshe, Komuna e Gjilanit, prej katër-pesë vjetësh i ka marrë përsipër shpenzimet e varrimit për të gjithë qytetarët.

(Kosova Sot)