Oligarkët e trajtuan biznesin si bankomat

  • 30 August 2016 - 14:52
Oligarkët e trajtuan biznesin si bankomat

Mashtrimi i madh me zhvillimin e premtuar ekonomik

Asnjë qeveri nuk ndoqi agjenda të qarta, inovative dhe të guximshme

Pushtetarët dështuan që të nxisin një zhvillim të shpejtë ekonomik, duke favorizuar bizneset e afërta me politikën dhe duke rrënuar sipërmarrjen e lirë private

Që nga paslufta e deri më sot, i tërë spektri politik i Kosovës gjatë tërë mandateve të tyre qeverisëse fare pak i kanë kushtuar rëndësi agjendës ekonomike të zhvillimit të vendit. Sipas njohësve të kësaj fushe, spektrin politik kosovar e dallon fakti se ata ardhjen e tyre në pushtet e shohin asgjë më tepër, por vetëm si një mënyrë për ta shfrytëzuar pushtetin e tyre për ta zhvatur biznesin. Analistët e ekonomisë theksojnë se Qeveria aktuale fatkeqësisht i ka lënë pas dore edhe shtetndërtimin edhe zhvillimin ekonomik. Ndërkaq, zyrtarë të opozitës, thonë se zhvillimi ekonomik, i cili është propaganduar shumë gjatë fushatave të partive në pushtet ka dalë të jetë vetëm zhvatje për pushtetin. Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga opozita, Bali Muharremaj (AAK), ankohet se partitë politike të koalicionit të tashëm që nga ardhja e tyre në pushtet, në dy koalicionet e tyre të pasluftës i kanë kushtuar fare pak rëndësi agjendës ekonomike. "Si rrjedhojë e tyre, kur ata vijnë në pushtet kemi pasur vetëm zhvatje të bizneseve, sepse ky koalicion biznesin e shohin vetëm si arkëtues të momentit, kurse në të njëjtën kohë ata i harrojnë fare çështjet ekonomike dhe si rrjedhojë edhe po dështojnë me qeverisjen e tyre", ka thënë ai, shkruan sot gazeta Kosova Sot.

Shtetndërtimi dhe zhvillimin ekonomik u lanë pas dore

Analisti i ekonomisë, bankieri Milazim Abazi, tha se zhvillimi ekonomik i Kosovës është i rëndësishëm sa edhe shtetndërtimi i saj. "Shtetndërtimi dhe zhvillimi ekonomik janë si dy binarët e hekurudhës, njëri pa tjetrin nuk bëjnë". Ai tha se Qeveria aktuale fatkeqësisht i ka lënë pas dore edhe shtetndërtimin edhe zhvillimin ekonomik. Sipas tij, partitë politike në opozitë, për shkak të peshës historike që do të kenë në ndërtimin e shtetit, Demarkacioni dhe Asociacioni, me të drejtë u kanë dhënë përparësi këtyre dy çështjeve. "Nëse këto dy çështje aprovohen në Kuvendin e Kosovës do të kenë pasoja të pariparueshme për të ardhmen e Kosovës si në zhvillimin ekonomik edhe me tepër në shtetndërtimin e vendit", theksoi Abazi. Ai thotë se disa gabime dhe ngecje në zhvillimin ekonomik, një qeveri tjetër edhe mund t'i përmirësojë, por nëse Demarkacioni dhe Asociacioni miratohen në versionin e tanishëm, asnjë qeveri e së ardhmes nuk do të mund t'i korrigjojnë ato. Ndërsa lideri i AKBsë, Agim Shahini, thotë se është një e vërtetë e hidhur, sepse që nga paslufta e deri më sot i tërë spektri politik kosovar që ishte në pushtet shumë më tepër kanë qenë të fokusuar në politikë sesa që janë marrë me ekonominë e brishtë të vendit dhe zhvillimin e saj. Shahini porositi se është koha e fundit që Qeveria urgjentisht të fokusohet shumë më tepër në zhvillimin e ekonomisë së vendit.

Mungojnë propozimet konkrete

Analisti i ekonomisë, Nehat Emrullahu, tha për "Kosova Sot" se fushata politike është plot e përplot me premtime për zhvillim ekonomik, sundim të ligjit, luftën kundër nepotizmit e korrupsionit etj. "Debatet e qytetarëve në lidhje me mundësinë e zbatimit të premtimeve më shumë janë të lidhura me militantizëm, pjesa tjetër (më shumë se 60 për qind e elektoratit) tashmë është e tërhequr dhe skeptike. Këta qeshen, ngrenë zërin, ofendojnë njëri tjetrin, por pothuajse fare nuk dallojnë nga njëri-tjetri". Ai thotë se me marrjen e pushtetit ose pozicionimin në legjislativ, fillon fushata drejt zënies së pozitave tjera kryesisht menaxhuese, të cilat kanë të bëjnë me militantizëm dhe nepotizëm. "Duhet pranuar se një zhvillim të gjithëmbarshëm sipas inercionit e kemi dhe do ta kemi edhe në të ardhmen". Sipas Emrullahut, punësimi sipas direktivave, korrupsioni dhe krimi i organizuar vështirë se mund të eliminohet me këtë gjeneratë të klasës politike. Ai thotë se premtimet me fjali të shkurta vazhdojnë për progres ekonomik dhe punësime me shifra marramendëse. "E vërteta qëndron se edhe në intervista dhe debate televizive nuk dëgjon as edhe një propozim konkret, i cili sadopak do të jepte shpresa për një zhvillim të mirëfilltë ekonomik", theksoi më tej Emrullahu.

Të fortët vendosin edhe për biznesin

Sipas analistëve, në të gjitha debatet, partitë temën e zhvillimit ekonomik e kanë trajtuar shkarazi ose mjeshtërisht kanë devijuar nga pyetja e moderatorit. Emrullahu thotë se ulja ose rritja e TVSH-se dhe taksave tjera, si dhe ndërtimi pompoz i politikave fiskale deri tani duket se nuk ka dhënë rezultate, përkundrazi gjithçka ka shkuar në kurriz të qytetarit. Investimet e jashtme janë gjithnjë në rënie, firmat vendore rriten ose bien në mënyre selektive. "Projektet ose Strategjitë për zhvillim ekonomik të përgatitur brenda dhe në pushimoret e Bullgarisë jo vetëm që kanë dalë të dështuara, por edhe të harruara duke mos dhënë askush llogari për përgjegjësinë dhe shpenzimet që krijojnë në emër të taksapaguesve kosovarë", ka thënë ai. Sipas tij, kjo dëshmon për kapjen e shtetit ku të "fortët" nuk i japin askujt llogari, derisa pjesa e tjetër e pëson pikërisht nga kjo klasë "politike". Analisti Emrullahu thotë se lufta për pushtet gjithnjë është e madhe, premtimet kulminante, realizimet minimale, ankesa për pamundësi të realizimit të programit maksimale. "Kosovarët tashmë nuk janë më optimistë, përkundrazi qytetarët e dëshpëruar detyrimisht do të kërkojnë rrugë- dalje për mbijetesë", thotë analisti Emrullahu.  

(Kosova Sot)