Shtimja do të bëhet me park teknologjik

  • 30 August 2016 - 16:14
Shtimja do të bëhet me park teknologjik

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, vizitoi sot Komunën e Shtimes. Ajo u prit nga kryetari i kësaj Komune, Naim Ismajli.

Në këtë takim, ministrja Bajrami dhe kryetari Ismajli nënshkruan Marrëveshjen për bashkëfinancimin e projektit të Parkut Teknologjik të Shtimes, i cili është në fazën finale të realizimit.

Me këtë rast, ministrja Bajrami theksoi se financimi i ndërtimit të parqeve industriale është pjesë e strategjisë së Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, si komponentë e rëndësishme e planit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për përmirësimin e kushteve për të bërit biznes për kompanitë nga vendi si dhe për investitorët e huaj.

Gjatë periudhës 2013 – 2015, MTI ka financuar realizimin e këtij projekti me shumën prej 350 000 euro, ndërsa sivjet ka ndarë 68 000 euro, të cilat do të përdoren për finalizimin e punëve të këtij parku teknologjik, i cili ka një sipërfaqe prej 10.7 hektarësh.

Ministrja Bajrami premtoi se Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë me përkushtim punën në krijimin e një mjedisi sa më të përshtatshëm për afarizëm në vendin tonë duke ua mundësuar bizneseve që të rrisin performansën e tyre në të mirë të krijimit të vendeve të reja të punës dhe rritjes së ekonomisë së vendit tonë.

(Kosova Sot)