Bllokada më 1 shtator e sigurt, skenari ende mister

  • 30 August 2016 - 07:38
Bllokada më 1 shtator e sigurt, skenari ende mister

Intervistë me deputeten nga radhët e Lëvizjes 'Vetëvendosje', njëherësh edhe nënkryetaren e Kuvendit të Kosovës, Aida Dërguti.

"Kjo marrëveshje duhet të hidhet poshtë dhe duhet të rinegociohet një marrëveshje e re për Demarkacionin"

"Atë që shpërfaq afera 'Pronto' është pikërisht kapja e shtetit, përfshirë këtu edhe institucionet më të larta që kanë të bëjnë me drejtësinë, ku d.m.th flitet edhe për përzgjedhjet e prokurorëve, gjykatësve etj. Prandaj, kjo situatë e bën paksa të pashpresë qytetarin se vërtet afera 'Pronto' do të përballet me një gjykim të drejtë, dhe protagonistët e saj do të shkojnë në burg", është shprehur deputetja Dërguti.

"Kosova Sot": Si po bëhet gati 'Vetëvendosja' për protestën e 1 shtatorit?

Dërguti: Ka më shumë se një javë që kemi filluar me tubimet mobilizuese gjithandej nëpër qendrat tona në tërë Kosovën, ku anëtarët e kryesisë dhe deputetë të lëvizjes vetëvendosje janë duke shkuar në secilën qendër duke mbajtur takime me strukturat dhe tubime me qytetar, dhe duke i bërë thirrje që të bashkohen në protestën e 1 Shtatorit. 

"Kosova Sot": Opozita nuk është e bashkuar në këtë protestë si herëve të tjera. Pse nuk po arrini që së bashku me partitë tjera opozitare, AAK dhe Nisma të organizojnë këtë protestë dhe sa do ta zbehë kjo protestën e 1 shtatorit? 

Dërguti: Ne kemi provuar t'i kontaktojmë liderët e këtyre dy partive, por nuk kemi marrë përgjigje dhe më duket pak e çuditshme mospjesëmarrja e tyre në këtë protestë, meqenëse ata në qershor kanë mbajtur një protestë në momentin kur nuk ka pasur ndonjë zhvillim konkret rreth çështjes së Demarkacionit. Tashmë kur jemi në prag të seancës, kur edhe tentohet të votohet kjo marrëveshje NISMA dhe AAK-ja janë shumë pasiv sa i përket protestës për të mos thënë se janë tërhequr fare nga ideja e protestës. Sidoqoftë lëvizja 'Vetëvendosje' në shumicën e kohës përgjatë ecjes së saj të gjatë për këto 11 vite ka qenë e vetme, dhe e vetmja ajo e cila ka organizuar në vazhdimësi protesta dhe neve na mobilizon kauza pavarësisht bashkëpunëtorëve, që mund t'i hasim gjatë rrugës. Do të ishte mirë natyrisht që ata t'i bashkoheshin kësaj proteste, sepse gjithnjë e më shumë njerëz do duhej të ishin pjesëmarrës në këtë protestë për një çështje kaq të rëndë- sishme, pro sidoqoftë besoj se tashmë qytetarët e kanë kuptuar çështjen e Demarkacionit dhe për këtë ka argumente të mjaftueshme, duke u nisur nga peticioni i nënshkruar nga protestat e mëhershme dhe besoj se do të jetë një numër i konsiderueshëm i qytetarëve, që do të dalin në këtë protestë. 

VV-ja nuk po e braktis kauzën

"Kosova Sot": Dihet se VV-ja është shquar më tepër në kundërshtimin e Asociacionit, ndërsa AAK-ja ngriti zërin sidomos për Demarkacionin me Malin e Zi. A po përpiqet VV-ja ta marrë përsipër kauzën, duke harruar kontributet e opozitarëve të tjerë ?

Dërguti: Unë do të kisha thënë që VVja nuk po e braktis kauzën sa i përket çështjes se kush e ka nisur çështjen e Demarkacionit, po t'i kthehemi mbrapa kur ne lëvizja 'Vetëvendosje' ka folur për herë të parë për Demarkacionin, para afro 6 viteve më herët dhe po ashtu në mandatin e kaluar kanë qenë deputetët tanë të cilët e kanë ngritur këtë çështje, por edhe kësaj here, edhe gjatë këtij mandati për herë të parë për çështjen e Demarkacionit kam fol konkretisht unë në një deklarim jashtë rendit të ditës para se të ndjekjet si kauzë. Por nuk është çështja e marrjes së monopolit mbi kauzën, pasi ajo është e rëndë- sishme për vendin të cilës do duhej t'i bashkoheshin dhe ta shtynin përpara të gjithë pavarësisht se kush. Por, tani do duhej të shtrohej pyetja se kush po e braktis kauzën dhe jo kush po mundohet ta marrë. Tanimë kemi mbetur të vetmit që vazhdojmë të protestojmë ashtu siç kemi thënë që nga fillimi se do ta pengojmë këtë marrëveshje për Demarkacionin. Mbase kjo edhe është pyetje për AAK-në dhe NISMA-n.

"Kosova Sot": Në çfarë forme do të përpiqeni ta bllokoni marrëveshjen për Demarkacion në seancën e 1 shtatorit?

Dërguti: Ende nuk i kemi diskutuar detajet, por ne do të përpiqemi që me çdo kusht ta pengojmë seancën për Demarkacionin dhe nuk mund të flas tani për detajet, pasi nuk kemi folur as për brenda lëvizjes për këto detaje akoma.

"Kosova Sot": Thaçi e Mustafa po bëjnë presion mbi deputetët që ta votojnë marrëveshjen, por disa nga koalicioni i partive në pushtet janë ende kundër. A druheni se deri më 1 shtator deputetët kundërshtarë brenda koalicionit mund të zbuten dhe ta ndryshojnë mendjen?

Dërguti: Unë e kuptoj se deputeti ka obligim edhe në raport me subjektin, të cilin e përfaqëson sa i përket çështjeve që lidhen me programin. Pra secili deputet në momentin kur bëhet anë- tar i një subjekti politik pajtohet me programin dhe natyrisht se çështje, të cilat vijnë në Kuvend ai duhet t'i shohë në bazë të linjave programore. Mirëpo çështja si Demarkacioni nuk është çështje të cilën partitë politike e kanë në program se si do të veprojnë ose çfarë vendimi do të marrin, dhe në këtë rast përgjegjësia është individuale për secilin deputetë, pra mënyra se si do të votojnë atë ditë do të jenë emri dhe mbiemri i përveçëm i secilit deputet, i cili do të mbahet mend dhe do të hyjë në histori në mënyrën se si kanë votuar. Neve na kujtohen shumë mirë deputetët e vitit 1989, të cilët patën votuar për heqjen e autonomisë ku edhe ata deputetë atëherë thoshin se Kosova nuk humb asgjë, njësoj sikurse këta që thonë se me Demarkacionin Kosova nuk humb territor, e që kjo është e pavërtetë dhe në këso situata kur liderët faktikisht me veprimet e tyre kanë bërë një tradhti ndaj vendit, deputetët duhet të jenë mjaftueshëm të zgjuar që mos t'i ndjekin mbrapa në këto vendime. Ne kemi parë tashmë në këtë legjislaturë dy raste, në të cilat deputetët kanë votuar në kundërshtim me bindjen e tyre dhe për shkak të presionit. E para ka qenë me rastin e Gjykatës Speciale, ndërsa rasti i dytë ka qenë me zgjedhjen e presidentit të gazit Hashim Thaçi, ku në këto raste janë parë edhe deklarimet e deputetëve më herët, por edhe mënyra se si kanë vepruar më vonë. Apo në rastin e Gjykatës Speciale ende më keq ku një herë kanë votuar kundër gjersa herën e dytë kanë votuar për. Pra, duke parë gjendjen e mjerueshme të deputetëve, të cilët nuk mund t'i rezistojnë presionit ne nuk mund t'i besojmë asnjë deklarimi të tyre dhe ta lejojmë që të fillojë procesi i votimit, sepse në momentin e fundit janë po këta deputetë, të cilët në rastet e mëhershme kanë ndryshuar mendjen, dhe nëse do të kenë presion mund të ndodhë e njëjta gjë shumë lehtë si në rastet e lartcekura.

Procesi të rinegociohet nga fillimi

"Kosova Sot": A keni ju si VV një propozim konkret apo një rrugëdalje nga kriza, që mund të shqyrtohej edhe nga Qeveria dhe partitë e tjera opozitare?

Dërguti: Ne kemi thënë shumë qartë se kjo marrëveshje duhet të hidhet poshtë dhe duhet të rinegociohet një marrëveshje e re për Demarkacionin. Pra, ne nuk jemi kundër Demarkacionit si proces dhe as kundër demarkimit të kufirit, por jo në këtë formë kur ne japim 8 mijë e 400 hektarë. Pra duhet ndjekur e vërteta për kufirin, vija e cila tashmë njihet dhe për të cilën është folur aq shumë për 1 vit dhe janë dhënë shumë argumente nga ekspertët saqë nuk mbetët as më e vogla dilemë se kjo marrëveshje është krejtësisht e gabuar dhe njëkohësisht e dëmshme për vendin dhe si e tillë duhet të hidhet poshtë.

"Kosova Sot": Jeni kthyer në Kuvend pas një bojkoti. A jeni bindur se përfaqësuesit e popullit nuk duhet të rrinë jashtë Kuvendit, por të shfrytë- zojnë mjetet demokratike e ligjore që të mbrojnë të drejtat e qytetarëve?

Dërguti: Nuk mund të flitet për mjete demokratike në një Kuvend, i cili funksionon në bazë të presionit të liderëve ku deputetët janë vetëm një ushtri e votave, të cilët i nënshtrohen vullnetit të liderit dhe presionit të jashtëzakonshëm për të votuar çështje të ndryshme, që janë në interes të tyre për pushtet dhe jo në interes të vendit e qytetarit. Pra, nuk mund të flasim për demokracinë, kur vullneti i qytetarit është në shpërputhje me vendimet e Kuvendit. Në një vend si Kosova ku kemi tashmë një sistem gjysmë-autoritar, siç e cilësojnë edhe shumë raporte të huaja është problem të flasim për demokracinë dhe vendimmarrjen demokratike, pasi siç e thashë edhe më herët se ne kemi parë situata, kur vendimet e rëndësishme janë marrë me presion. 

Bllokuesit e hetimeve të "Prontos" të hetohen

"Kosova Sot": Skandali 'Pronto' ka goditur sërish pushtetin, sidomos PDK-në, por nuk ka ndonjë ndjesë publike prej protagonistëve. Si e shpjegoni këtë indiferencë nga pushteti?

Dërguti: Atë që shpërfaq afera 'Pronto' është pikërisht kapja e shtetit, përfshirë këtu edhe institucionet më të larta që kanë të bëjnë me drejtësinë, ku d.m.th flitet edhe për përzgjedhjet e prokurorëve, gjykatësve etj. Prandaj kjo situatë e bën paksa të pashpresë qytetarin se vërtet afera 'Pronto' do të përballet me një gjykim të drejtë, dhe protagonistët e saj do të shkojnë në burg. Mund të jetë pak ndikimi edhe që afera 'Pronto' fillon pikërisht në kohën e pushimeve ku njerëzit nuk janë shumë të përqendruar tek zhvillimet politike dhe mungesa e një presioni më të madh qytetar mbase i relakson njëfarë forme edhe organet e drejtësisë që janë tejet të plogështa në ndërmarrjen e hapave të duhur për hapjen e procedurave përkatëse për ndjekjen e protagonistëve të aferës 'Pronto'. Por, sidoqoftë kjo nuk ka qenë diçka e panjohur për opinionin pasi për këtë është përfolur shumë gjatë, por tashmë ka dalë në formë publike ku dëgjohen biseda konkrete rreth punësimeve, rreth eliminimeve dhe pamundësimit të intervenimit të shtetit pikërisht nga ata që thirren më së shumti në emër të tij. 

"Kosova Sot": Pse iu deshën Prokurorisë së Shtetit që të pres 6 vjet pas kohës së përgjimeve, dhe vetëm pas presionit të fuqishëm publik të vendosë për të filluar hetimet në rastin 'Pronto'? A është dhe sa është e vërtetë se për këto përgjime me kohë ishte njoftuar deri në detaje ish- kryeprokurori Ismet Kabashi, i cili përmes aferave dhe protagonistëve 'Pronto' ishte emëruar në krye të Prokurorisë së Shtetit që nga viti 2010 ?

Dërguti: Këto kanë qenë në atë kohë të ndërlidhura dhe këto incizime janë dëgjuar edhe atëherë, dhe d.m.th, se i kanë pasur këto incizime dhe po të ishte një shtet i mirëfilltë nuk ka pas nevojë fare të publikoheshin, pasi kur i kanë dëgjuar ato qysh atëherë është dashur të niseshin hetimet dhe të merreshin veprime. Por, njëherë në fillim u publikuan disa prej tyre, dhe pastaj u ndal dhe këto janë vazhdim i asaj pjese së mëhershme 'Pronto'. D.m.th është njëfarë taktizimi me momentumin, kur po shfaqen, ose mund të jetë zhvendosje e vëmendjes kah zhvillimet e tjera prej Demarkacionit. Por, pa dyshim se ka qenë në dijeni edhe ish-kryeprokurori i atëhershëm për këtë rast.

"Kosova Sot": Sa është i besueshëm dyshimi se vetë ish-kryeprokurori Kabashi me urdhër të grupit 'Pronto' kishte bllokuar e mbyllur hetimet kundërligjshëm dhe në dëm të interesave të qytetarëve edhe vendit. Dhe tani a duhet të hetohet sa më shpejt nga Prokuroria e Shtetit për këtë rast edhe ish-kryeprokurori i inkriminuar në këtë rast dhe në të gjitha rastet tjera 2008-2014?

Dërguti: Natyrisht se do duhej të hetohej në këtë rast edhe ish-kryeprokurori, pasi se ka qenë në dijeni automatikisht është i implikuar, me vetë faktin se nuk ka proceduar më tutje me rastin. 

(Intervista vijon në numrin e nesërm të Gazetës Kosova Sot)​

(Kosova Sot)