Krimet e luftës, një dështim skandaloz i drejtësisë kosovare

  • 30 August 2016 - 07:42
Krimet e luftës, një dështim skandaloz i drejtësisë kosovare

Ndonëse i patën të gjitha mundësitë dhe faktet në anën e tyre që të ushtrojnë padi penale e civile, e madje me mundësitë edhe për akuzën e gjenocidit, të gjitha garniturat e pushtetarëve tanë të pasluftës përfshirë edhe UNMIK-un dhe EULEX-in, së bashku me drejtësinë kosovare asnjëherë deri më tani nuk treguan vullnetin apo mbase edhe nuk kanë guxuar nga dikush që ta bëjnë një akuzë të tillë. Kësisoj 17 vite pas luftës, pushtetarët tanë kanë dështuar plotësisht në adresimin dhe gjykimin e krimeve dhe dëmeve të luftës që i kishte bërë Serbia gjenocidale në Kosovë. Të paktën kështu vlerësojnë analistët dhe njohësit e kësaj fushe, të cilët edhe kanë apeluar tek Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, që ta caktojë një ekip të veçantë të prokurorëve për ta marrë seriozisht këtë çështje, shkruan gazeta Kosova Sot.

Analisti politik dhe juridik, Mazllum Baraliu, në një prononcim për gazetën "Kosova Sot" ka thënë se çështja e funksionimit dhe avancimit të sistemit të drejtësisë dhe të Gjyqësorit në Kosovën e pasluftës është çështje shumë komplekse dhe fillimisht siç e di edhe opinioni publik, ajo është iniciuar dhe udhëhequr nga administrata ndërkombëtare e UNMIK-ut, por bashkë me strukturat vendore nuk kanë arritur asnjëherë për kaq vite që ta rrisin në nivel të seriozitetit, të gatishmërisë për të vepruar dhe përgjegjësisë për të marrë përsipër si faktori ndërkombëtar dhe ai vendor, dhe qeveritë e njëpasnjëshme të Kosovës që ta konsolidojnë sistemin e drejtësisë. "Përgjegjësia në radhë të parë është e institucioneve vendore, por asgjë më pak edhe atyre ndërkombëtare, duke i llogaritur këtu edhe të themi ato misionet teknike siç është EULEX-i që nga 2008-a e deri më sot", është shprehur Baraliu.

Prova të bollshme, mungoi vullneti

Avokati Tomë Gashi thotë se menjëherë pas luftës në Kosovë, konkretisht pas përfundimit më 12 qershor të vitit 1999, kur edhe kishte filluar konsolidimi apo funksionalizimi i sistemit të ri juridik të Kosovës, sipas tij, qysh atëherë ishte bërë gabimi fillestar dhe më i madh që ishte filluar me seleksionimin negativ të kuadrove. "Menjëherë pas luftës ne kemi pasur një pjesë të gjyqtarëve dhe prokurorëve, që kanë punuar në sistemin e kaluar, që kanë punuar edhe në kohën e Serbisë dhe ata njerëz nuk kanë qenë në gjendje, duke mos pasur as forcë morale e as njohuri që t'i qasen ndjekjes së kriminelëve serbë, por edhe padisë kundër Serbisë si shtet për gjenocidin dhe për shkatërrimet, të cilat i ka bërë në Kosovë".

Më tej ai ka nënvizuar se të gjithë ata që kanë qenë në funksionet juridike relevante në Kosovë, janë thirrur se me këtë çështje duhej të merrej UNMIK-u dhe drejtësia ndërkombëtare, gjë që, sipas Gashit, nuk ka qenë e vërtetë , pasi siç tha edhe këta kanë mundur të merreshin me ato çështje, derisa kanë mundur po ashtu edhe të ngritin akuza dhe të bëjnë padi për të gjitha shkatërrimet që janë bërë në Kosovë. "Pas shkuarjes së UNMIK-ut ka ardhur EULEX-i, por në ndërkohë është shpallur edhe pavarësia e Kosovës, kështu që posaçërisht pas pavarësisë së Kosovës askush nuk ka të drejtë as morale që të thirret se bashkësia ndërkombëtare ka qenë e vetmja kompetente për këto çështje dhe tanimë është e qartë se kemi të bëjmë me neglizhencë totale të shtetit juridik të Kosovës. Mendoj se këtu ka të bëjë çështja e faktorit njeri e jo mangësia e ligjeve apo provave, të cilat do ta vërtetonin gjenocidin e Serbisë së kryer ndaj qytetarëve të Kosovës vetëm për shkak të përkatësisë etnike shqiptare dhe ka prova të mjaftueshme në këtë drejtim për ta paditur Serbinë si shtet për shkatërrimet, që i ka bërë gjatë luftës në Kosovë. Kjo është detyrë e organeve të drejtësisë dhe nuk mund të lihet në persona apo në individë të caktuar, të cilët kanë viktima në familjet e tyre dhe të cilëve u është shkatërruar prona deri në djegien e gjithë infrastrukturës, duke filluar prej shtëpive, të mirave materiale që janë shkatërruar ku së paku i kemi mbi 120 mijë shtëpi të banuara, të cilat janë djegur e shkatërruar gjatë luftës nga serbët në Kosovë dhe të cilat janë të identifikueshme", theksoi ai.

Berisha akuzon Thaçin se po rehabiliton kriminelët

Deputeti nga 'Nisma' për Kosovën, Zafir Berisha, ka veçuar për gazetën "Kosova Sot" se në këtë drejtim kanë përgjegjësi jetike institucionet jo vetëm këto, siç tha të këtij mandati, por që nga paslufta, të cilat nuk janë marrë asnjëherë seriozisht me çështjen e padisë kundër Serbisë për gjenocidin në Kosovë. "Besoj se bota dhe opinioni i gjerë e ka të qartë luftën e fundit në Kosovë, ku mbi 13 mijë qytetarë janë masakruar dhe vrarë në forma të ndryshme nga policia dhe ushtria serbe dhe miliarda e miliarda dëme të shkaktuara materiale në pronat private, publike e fetare dhe në anën tjetër deklaratat e fundit të Hashim Thaçit veçanërisht janë për konsum politik dhe janë më shumë se joserioze, ngase ai njeri jep deklarata koti për padi të mundshme, sepse ka pasur edhe më herët deklarata të tilla për konsum politik dhe ditor". Më tej, ai ka nënvizuar se është momenti i fundit dhe vendimtar që Kryeprokurori i Shtetit në këtë moment, Lumezi, që ta caktojë një ekip të veçantë të prokurorëve për ta marrë seriozisht këtë çështje pasi, siç tha " po besoj se së paku në nivelin lokal disa komuna por edhe organizata joqeveritare kanë mbledhur shënime dhe kanë të dhëna të sakta për ato që kanë ndodh gjatë luftës. Përndryshe rasti i 'Mushtishtit' mendoj se duhet të shërbej si vetëdijesim për institucionet pasi në momentin kur nuk veprojnë ato, atëherë vepron populli". Ndërsa vizitat e fundit të Thaçit, Berisha i ka cilësuar se ato janë vetëm për ta rehabilituar krimin dhe gjenocidin serb në Kosovë ose për ta barazuar luftën çlirimtare që e kanë bërë shqiptarët dhe luftën okupuese të cilën e kanë bërë serbët. "Veçanërisht kur kihet parasysh se logjika dhe mentaliteti serb, ka qenë asisoj se në raste të caktuara vetë kanë bërë vrasje të civilëve serbë vetëm e vetëm për ti akuzuar shqiptarët dhe nderimi para një pllake, ku drejtpërdrejt shqiptarët përpos që fyhen dhe akuzohen pa kurrfarë argumenti nënkuptohet se Hashim Thaçi d.m.th politikën dhe gjenocidin serb në Kosovë e legalizon me këto vizita", ka theksuar deputeti Zafir Berisha.

Institucionet bllokuan hetimet

Analisti Florim Zeqa tha për gazetën "Kosova Sot" se arsyeja se përse drejtësia kosovare, në këtë rast, Ministria e Drejtësisë, KGJK-ja e KPK-ja nuk kanë pasur vullnetin dhe guximin e nevojshëm për gjykimin e krimeve dhe dëmeve të luftës, sipas tij, qëndron në faktin se institucionet shtetërore nuk i kanë adresuar me kohë këto çështje në instancat e caktuara ndërkombëtare, respektivisht në Gjykatën e Hagës për krime të luftës, pastaj në OKB dhe mekanizmat e tjerë që merren me drejtësinë dhe gjykimin e krimeve kundër njerëzimit apo edhe atyre organizatave që monitorojnë të drejtat dhe liritë njerëzore në botë. "Bartësit e institucioneve tona shtetërore jo vetëm që nuk e bënë një gjë të tillë, por ushtruan presion tek institucionet e tjera vendore për mos ngritjen e asnjë padie institucionale të paktën në gjykatat tona, për të pasur kështu nesër para faktorëve ndërkombëtarë dëshmi të një angazhimi institucional dhe shtetëror në zbardhjen dhe gjykimin e krimeve të luftës gjenocidiale që ka bërë Serbia në Kosovë?. Njëherësh kjo, përveçse ndihmesë për drejtësinë, do të ishte edhe një satisfaksion moral për familjarët e viktimave, invalidëve të luftës dhe për familjarët e 1700 të pagjeturve nga lufta e fundit". Më tej ai ka nënvizuar se heshtja e drejtësisë kosovare karshi krimeve serbe në Kosovë, e vërteton kapjen e tmerrshme të shtetit nga bosët e politikës, para politikës dhe grupeve të tjera të interesit, të cilët siç tha "me çdo kusht dëshirojnë të mbajnë postet e larta shtetërore dhe ruajtjen e lidhjeve biznesore me pushtuesit veriorë serbë".

(Kosova Sot)