Haziri mohon akuzat për shpërdorim detyre: “Nuk ka asgjë të vërtetë”

  • 30 August 2016 - 16:27
Haziri mohon akuzat për shpërdorim detyre: “Nuk ka asgjë të vërtetë”

Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se ‘nuk ka asnjë gjë të vërtetë" nga aktakuza e ngritur ndaj tij. Ai tha se ‘koha do ta dëshmojë pafajësinë e tij’ dhe se “nuk ka bërë shkelje ligjore” për atë që e ngarkon prokuroria.

“Asgjë të vërtetë nuk ka aty. Përkundrazi, nga një shfrytëzim kundërligjor i parkingjeve, e kam kthyer në shfrytëzim sipas ligjit. Dikujt i ka penguar kjo! Koha do ta dëshmojë”, tha Haziri

Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti, të martën, aktakuzë ndaj sic tha një “personi me inicialet L.H., për shkak të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Më heret gjatë ditës, Prokuroria tha se “L.H., duke shfrytëzuar autoritetin zyrtar i ka tejkaluar kompetencat e tij, me qëllim që për vete ose për persona tjerë të përfitojë çfarëdo dobie, duke ua shkelur të drejtat e pjesëmarrësve të tjerë në ankand publik”.

Megjithëse u dhanë vetëm inicialet e tij në kumtesë, u bë e ditur se bëhej fjalë për kryetarin actual të Gjilanit Lutfi Haziri.

Lutfi Haziri është zgjedhur kryetar i Gjilanit në zgjedhjet e vitit 2013 dhe është një prej figurave udhëheqëse të partisë në pushtet, Lidhjes Demokratike të Kosovës. 

(Kosova Sot)