Mediu: Vetingu në kundërshtim me Kushtetutën

  • 30 August 2016 - 18:37
Mediu: Vetingu në kundërshtim me Kushtetutën

Kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu ka folur për një kapje të gjyqësorit nga mazhoranca, në fjalimin e parë të mbajtur sot në Kuvend rreth projektligjit të Vetingut.

Mediu tha se ky ligj është në kundërshtim me Kushtetutën dhe se seanca e sotme parlamentare është e manipuluar politikisht.

“Më 22 korrik me konsensus, ne votuam me unanimitet ndryshimet kushtetuese. Ne sot më shumë se po bëjmë një ligj do t’i shtrojmë vetes pyetjen: Kemi proces normal parlamentar apo të manipuluar politikisht? Për fat të keq kërkohet që në përputhje me interesa politike të miratohet një ligj në kundërshtim me kushtetutën. Edhe pse vendosëm që ekspertët të ulen, për fatin e keq as nuk u ulën dhe as nuk u dëgjuan mendimet e ekspertëve të opozitës”, u shpreh kryetari i PR-së.

Më tej Mediu thekson se mazhoranca do të luajë rolin e kontrolluesit të kontrolluesve, çka sipas tij e bën të pavlerë Vetingun.

“Ajo që është edhe më flagrante është fakti që organet e Vetingut duhet të kalojnë në provim. Ata që do të bëjnë kontrollin duhet të kontrollohen nga qeveria. Unë nuk e di, se nuk po hyj në analizë të emrave, por institucionet që kontrollohen nga mazhoranca nuk besoj se janë shquar për paanshmëri dhe transparencë. Nëse i japim qeverisë në dorë kontrollin e kontrolluesve, pse na duhej Vetingu? Le ta bënim që kush i bindej mazhorancës të mbetej në detyre dhe kush nuk i bindej të largohej nga detyra”.

(Kosova Sot)