Qytetarëve u ka ardhur laku në fyt

  • 31 August 2016 - 07:45
Qytetarëve u ka ardhur laku në fyt

Shatri: Me këta pushtetarë nuk ka më perspektivë ekonomike.

Dyshja e sundimtarëve të vendit tonë, Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa, tash gati dy vite që kur po e qeverisin me vendin kanë bërë që qytetarëve t'u vijë laku në fyt nga gjendja e rëndë ekonomike. Për opozitën dhe ekspertët e tërë kjo po ndodh në saje të mungesës së një programi të mirë qeveritar që për pasojë e ka varfëruar popullatën. Analistët thonë se ky shtet u ka sjellë të mira vetëm pushtetarëve dhe klaneve të tyre, të cilët janë trashur së tepërmi dhe janë kamur nga korrupsioni, por jo edhe qytetarëve të rëndomtë, të cilët nuk kanë një mirëqenie të mirë dhe ku çmimet e konsumit janë të papërballueshme për xhepin e qytetarëve, shkruan gazeta Kosova Sot.

Pabarazia sociale

Deputeti Enver Hoti, nga Nisma për Kosovën, shprehet se qytetarëve tanë u ka ardhur laku në fyt nga gjendja e rëndë ekonomike. "Ky shtet u ka sjellë të mira vetëm pushtetarëve dhe klaneve të tyre, të cilët janë kamur nga korrupsioni. Kjo qeveri pa pasur një program e ka varfëruar më tej popullatën", u shpreh ai. Hoti thotë se zhvillimet e fundit ekonomike në vend tregojnë se situata ekonomike sa vjen e përkeqësohet. "Shkalla e papunësisë dhe varfërisë tregon përqindje të larta marramendëse. Punësimi në baza familjare, partiake e klanore të llojit të aferës "Pronto", i ka lëshuar rrënjët shumë thellë, pra, ka kaluar në një diskriminim shumë të ashpër. Po ashtu korrupsioni dhe keqpërdorimet e manipulimet e parasë publike janë kontribues kryesorë të kësaj gjendjeje të rëndë ", ka theksuar ai. Hoti ankohet se ngritja e çmimeve të artikujve të domosdoshëm për jetë e bënë shumë të rëndë jetën e qytetarëve e sidomos të atyre që janë pa punë e që jetojnë me ndihma sociale. "Kësaj gjendjeje po i kontribuon edhe pabarazia e theksuar sociale në mes të elitave dhe pjesës tjetër të popullsisë, e shumë e shumë faktorë të tjerë. Pasojat e kësaj gjendjeje janë jashtëzakonisht të mëdha. Të kujtojmë vetëm migrimin masiv vjet e që për fat të keq nuk ka të ndalur edhe sot e kësaj ditë (ndonëse në përmasa me të vogla). Kjo ka të bëjë si pasojë direkte e gjendjes së sipërpërshkruar", ka spikatur Hoti. Ai tutje ka shtuar: "Ikja e këtyre qytetarëve është një humbje e madhe për vendin, ngase po humb një potencial të madh të fuqisë punë- tore, po humbet një rini e shëndoshë që na e ka lakmi bota, po humbet një fuqi intelektuale, arsimore që duhet t'i kontribuojë vendit, sepse pjesa dërrmuese e këtij migrimi është e moshës së re dhe e shkolluar etj". Ai thotë se dukuri tjetër e shëmtuar e që e ka prodhuar kjo gjendje e rëndë ekonomiko-sociale është edhe bredhja dhe lëmosha e njerëzve, që shihen në çdo vend të qyteteve tona e aq më keq që kjo dukuri përfshin fëmijët.

Meha: "Qeveria e tanishme është vazhdim i punës së qeverive paraprake"

Njohësi i çështjeve të ekonomisë, Xhevat Meha, u shpreh për gazetën se kjo qeveri e tanishme është vazhdim i punës së qeverive paraprake. "Qeveritë e Kosovës së pasluftës, por edhe institucionet e tjera të Kosovës, sidomos pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës janë duke zbatuar programet e Serbisë për Kosovën e pasluftës". Meha thotë se kjo vjen si rezultat i futjes nën kontroll të institucioneve të Kosovës, përfshirë Qeveritë e Kosovës, përmes rrjetit të spiunëve. "Serbia pas luftës së fundit në Kosovë ka në veprim rreth 700 spiunë të stërvitur të betuar. Ky numër është maksimumi që i duhet Serbisë për një vend siç është Kosova. Këta spiunë janë të shpërndarë nëpër të gjitha institucionet e Kosovës, përfshirë Qeverinë e Kosovës". Meha thotë se sado që mund të shihet si i lodhur, populli do të vazhdojë të presë dhe të mos revoltohet. Populli i nuhat drejt gjendjet politike. Nuk ka reagim popullor për arsye se nga njëra anë populli njeh të kaluarën e vet, por nga ana tjetër nuk ka pse të ngrihet në revoltë". Sipas Mehës, "populli nuk ka pse të ngrihet në revoltë, sepse nuk po sheh alternativë të duhur politike për Kosovën. "Një opozitë që detyron KFOR-in si institucionin më të lartë të sigurisë në Kosovë të bëjë vërejtje publike se mund të kthehet gjendja e vitit 1999, nuk është alternativë politike për Kosovën dhe këtë populli e di mirë. Shërbimeve sekrete serbe nuk u ka ikur nga dora që si pjesë e kontrollit mbi Kosovën, të pamundësojë krijimin e alternativës së duhur politike për Kosovën", është shprehur Meha.

Të rinjtë nuk kanë perspektivë

Ish-ministri i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri, ka thënë se që kur në pushtet ka ardhur kjo kastë e sundimtarëve e deri më tani puna në institucione ka rënë dhe njerëzit kanë filluar të shikojnë se si përfitojnë nga fundi i mandatit. Shatri ka thënë se Kosova gjendet në një situatë të rëndë ekonomike dhe sociale, e për këtë e ka fajësuar qeverinë e 'Isa Mustafës' dhe kryetarin Hashim Thaçi. Sipas Shatrit, qytetarëve nuk u ka ardhur laku në fyt, por nga mjerimi që i ka kapluar qytetarët tanë janë bërë për ta varur veten e tyre, sepse nuk kanë punë e nuk kanë perspektivë. "Qeveria po bënë hajgare me njëfarë programi, duke u tallur me qytetarët. Kurse tash në plan të parë në mungesë të strategjisë zhvillimore e qesin çështjen e Demarkacionit Asociacionit vetëm e vetëm që ta largojnë vëmendjen nga kriza ekonomike dhe temave esenciale jetësore si ekzistencës e mirëqenies dhe punës, prosperitetit familjar të të rinjve". Veç saj, Shatri thotë se tashmë qytetarët tanë janë bindur se me këta pushtetarë nuk ka më perspektivë, dhe se nuk ka shpresa dhe e vetmja rrugëdalje e tyre ka mbetur ikja jashtë vendit se këtu nuk ka perspektivë. "E tëra që ka ndodhur pas shpalljes së pavarësisë e deri më sot ka qenë vetëm një gënjeshtër. Sepse të gjitha ishin gënjeshtra edhe reforma fiskale, edhe të gjithë hapat e tjerë të këtyre qeverive dhe kësaj aktuale. Qëllimi i tyre ka qenë dhe mbetet që të mashtrohet populli me arsyetimin se ja ne si pushtet po bëjmë reforma dhe porsa të nisin ato reforma, qytetarët tanë do të dalin në selamet". Shatri thotë se ata pushtetarë na kanë gënjyer deri më sot, ngase asgjë nga këto reforma nuk ndodhën. "Përkundrazi kemi një rritje të korrupsionit, një rritje të krimit ekonomik, rritje të evazionit fiskal, rritje të numrit të të papunëve".  

(Kosova Sot)