Policia e Kosovës nuk komenton akuzat e Vetëvendosjes, kërkon që politika të mos ndërhyjë në punën e tyre

  • 31 August 2016 - 16:05
Policia e Kosovës nuk komenton akuzat e Vetëvendosjes, kërkon që politika të mos ndërhyjë në punën e tyre

Drejtoria Kundër Terrorizmit në Policinë e Kosovës, e cila ka zhvilluar hetimet për rastin e sulmit ndaj objektit të Kuvendit të Kosovës me 4 gusht, ka mbajtur edhe një konferencë për media për të sqaruar më në detaje të gjeturat për këtë rast, për të cilin dje u arrestuan 6 persona aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Krye i kësaj drejtorie, Fatos Makolli ndër të tjera nuk ka pranuar t’i komentoj deklaratat e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët dje paraqiten një të ashtuquajtur skemë me lidhjet familjare të zyrtareve të PK'së me PDK.

“Ne nuk i komentojmë këto deklarata, unë mund të iu siguroj në integritetin dhe profesionalizimin e secilit pjesëtar të Drejtorisë Kundër Terrorizmit”, ka thënë Makolli.

Me këtë rast ai iu ka bërë apel partive politike që problemet e tyre ti zgjedhin mes veti, ndërsa Policinë e Kosovës ta lejojnë ta kryej detyrën e tyre në mënyrë të pavarur.

“Policia e Kosovës nuk e ka lidhur asnjë individ me asnjë organizatë, është çështje e gjykatës ta vlerësoj punën dhe metodën që e ka përdor Policia e Kosovës”, ka thënë Makolli.

(Kosova Sot)