Pushtetarët e privilegjeve rrezikojnë të na kthejnë në kohën e UNMIK-ut

  • 31 August 2016 - 07:34
Pushtetarët e privilegjeve rrezikojnë të na kthejnë në kohën e UNMIK-ut

Lekaj: Do të ishte katastrofale për Kosovën, nëse ndodh intervenimi i KFOR-it.

"Po ndodhi një intervencë e tillë nga ana e KFOR-it, kjo do të ishte një situatë katastrofike dhe që në tërësi do ta zhvleftësonte shtetin e Kosovës dhe ashiqare po ndodhi intervenimi, kjo do të tregonte se kjo klasë e pushtetarëve aktualë ka vetëm e vetëm një qëllim - atë për të ruajtur privilegjet e veta, dhe se ata janë në gjendje madje edhe që ta shkatërrojnë edhe të ardhmen e shtetit tonë", është shprehur politologu Nexhmedin Spahiu.

Drejtuesit e lëvizjes "Vetëvendosje" kanë paralajmëruar një protestë masive më 1 shtator në shenjë të pakënaqë- sisë së miratimit nga ana e Kuvendit të Kosovës të vijës kufitare të Demarkacionit me Malin e Zi. Por, në të njëjtën kohë edhe komandanti i KFOR-it në Kosovë nuk e ka përjashtuar mundësinë se, në rast që protestat janë të mëdha e me përmasa të tilla, saqë e rrezikojnë sigurinë vendit, ky mision mund të ndërhyjë. Sipas njohësve të fushës së sigurisë, politikës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, por edhe deputetëve të opozitës vlerë- sohet se në rast trazirash, intervenimi i KFOR-it do ta kthente vendin në kohën e UNMIK-ut. Sipas tyre, pushtetarët e tashëm që po e sundojnë vendin për të ruajtur privilegjet e veta janë në gjendje ta shkatërrojnë edhe shtetin dhe po orvaten për të bërë presion tek deputetet që ata të votojnë në favor të shtetit fqinjë. Por, disa mendojnë se KFOR-i nuk do të intervenojë, sepse organet e sigurisë së Republikës së Kosovës kanë kapacitete të mjaftueshme për të ruajtur rendin dhe sigurinë e vendit.

Kelmendi:"Këtë kastë politike e ka zënë harami"

Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe sigurisë, dr. Jeton Kelmendi, u shpreh për "Kosova Sot" se Kosova kurrë më nuk kthehet në gjendjen si atë në vitin 1999, sepse tani është shtet i njohur nga shumica e vendeve të botës. Por, sipas tij, nëse do të përshkallëzohet dhuna në kufirin me Malin e Zi apo cilin do shtet fqinj, natyrisht se KFOR-i do të kujdesej për sigurinë, sepse fundja ky është në mandatin e këtij misioni. "E tërë situata është komplikuar nga një grusht personash të papërgjegjshëm e të padijshëm dhe antikombëtarë të kryesuar nga Hashim Thaçi. Gjithë këto orvatje janë për të bërë presion tek deputetet që ata të votojnë me favor të shtetit fqinj. Jo vetëm deklaratat e ndërkombëtarëve, të cilët duan vetëm stabilitet dhe nuk u intereson kush humb e kush fiton, por edhe deklaratat e rrejshme të ekipit të Muratave si ekspertë dhe ekipit të politikaneve Iso-Hasha, të cilët trumbetojnë paturpshëm se Kosova nuk humb asnjë metër, e në fakt humb mijëra hektarë, krijojnë tensione", shprehet Kelmendi. Ai tutje shton: "Mendoj se sjellja e treshes famëkeqe Hashimi - Isa - Veseli dhe diletantëve të tyre po i shërbejnë një konflikti ndërshqiptar, i cili do ta përsëriste 1997 e Shqipërisë". Kelmendi thotë se këtë kastë politike e ka zënë harami dhe nuk po dinë kur është boll. "Ata për t'i ruajtur interesat e veta mafioze, po duan ta çojnë shtetin në greminë dhe kjo qartë shihet, sepse janë peng i krimeve të tyre dhe nuk mund t'i kundërshtojnë qarqet e huaja antishqiptare, sepse dosjet e tyre po rrezikojnë t'u hapen si kjo që po ndodh me 'Pronton' e turpshme, ku mafia e drejtuar nga po këta njerëz e ka kapur shtetin dhe po ia nxin të ardhmen vendit". Sipas Kelmendit, një shtatori është datë historike ose do të fillojë rënia e pushtetit ose do të ketë konflikt të paparashikueshëm me familjen e tokave.

Kapacitete të mjaftueshme në organet e sigurisë

Ndërsa analisti politik, Albinot Maloku, konsideron se organet e sigurisë së Republikës së Kosovës kanë kapacitete të mjaftueshme për të ruajtur rendin dhe sigurinë. "Ato mund të kenë defekte si pasojë e menaxhmentit, që pa dyshim mund të konsiderohet i dështuar, mirëpo askush nuk mund të vë në dyshim kapacitetet e këtyre organeve të sigurisë në vend". Ai thotë se kërkesa për prezenca e intervenime të mundshme të KFOR-it, deri me tani kanë qenë nga pala serbe, por jo edhe nga organet shtetërore të Kosovës, dhe ky qëndrim duhet të jetë kështu. "Kërkesat për prezencë të KFOR-it shkojnë në drejtim të minimit të kapaciteteve të Forcave të Sigurisë së Kosovës, e cila domosdoshmërisht duhet të konvertohen në Forca të Armatosura të vendit", është shprehur ai. Sipas Malokut, është fakt që lidershipi i vendit, pa ose me vetëdije nuk është duke e parë veten se në çfarë derexhe e kanë sjellë gjendjen e qytetarit e të shtetit të Kosovës, mirëpo askush nuk mund të minojë kapacitetet e sigurisë që ka vendi ynë edhe pa përzierjen e drejtpërdrejt të ndërkombëtarëve. Politologu Nexhmedin Spahiu u shpreh për "Kosova Sot" se intervenimi eventual i KFOR-it me siguri do të bënte që Kosova të kthehej shumë vite mbrapa, ngase në vendet me situata normale nuk ka intervenime të ushtrisë, sepse edhe në Francë kur intervenon ushtria kjo tregon se kemi të bëjmë me një situatë, që nuk është normale dhe me një gjendje të zakonshme. "Po ndodhi një interevencë e tillë nga ana e KFOR-it, kjo do të ishte një situatë katastrofike dhe që në tërësi do ta zhvleftësonte shtetin e Kosovës dhe ashiqare po erdhi deri tek intervenimi, kjo do të tregonte se kjo klasë e pushtetarëve aktualë ka vetëm e vetëm një qëllim dhe atë për të ruajtur privilegjet e veta, dhe se ata janë në gjendje madje edhe që ta shkatërrojnë edhe të ardhmen e shtetit tonë", është shprehur Spahiu.

Inskenimi i pushtetarëve

Ndërsa deputeti i Kuvendit të Kosovës nga AAK, Pal Lekaj, u shpreh për "Kosova Sot" se nuk beson se do të vijë një situatë e tillë që të intervenojë KFOR-i, sepse që të gjithë si opozita ashtu edhe Qeveria e Kosovës dhe presidenti janë zotuar se vendi ka kapacitete të mjaftueshme për ta mbrojtur shtetin. "Nëse nga ana e pushtetarëve aktualë do të kërkohej intervenimi i KFOR-it, ky do të ishte një tregues se ata janë para dështimit, dhe se ata duhet që të largohen sa më parë. Ndryshe vetë intervenimi i KFOR-it do ta kthente Kosovën shumë prapa dhe do të ishte katastrofale për Kosovën, nëse vjen deri tek intervenimi i KFOR-it", është shprehur Lekaj. Ai tutje shton: " Unë nuk mendoj se do të vijë deri tek intervenimi i KFOR-it, sepse deputetët janë të vendosur që pa ndonjë presion të kryejnë punën e tyre dhe mos të vjen deri tek ratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi". Veç saj, deputeti Lekaj thotë se një kërkesë eventuale për intervenimi e KFOR-it mund të vjen si inskenim nga pushtetarët aktualë, sepse ata po e shohin se kanë gabuar me demarkacionin. "Duke u nisur nga ajo situatë garnitura e tashme e pushtetarëve janë në gjendje që të inskenojnë edhe situatën e ekcesit dhe ta shkatërrojnë madje edhe shtetin tonë vetëm e vetëm për interesa individuale dhe me qëllimin e vetëm që të mbesin edhe më tutje në pushtet ", është shprehur ai. 

(Kosova Sot)