Gruaja hodhi në ujë një letër të futur në shishe, iu kthye pas 21 vjetësh

  • 31 August 2016 - 20:08
Gruaja hodhi në ujë një letër të futur në shishe, iu kthye pas 21 vjetësh

Më shumë se dy dekada pasi që e kishte shkruar, e kishte futur në shishe dhe e kishte hedhur në ujë, mesazhi i Courtney Stevenson-it është rikthyer në duart e saj. Shishja është gjetur në një plazh në Ishujt Chatham, rreth 830 kilometra nga vendi ku zonja Stevenson, që atëbotë ka qenë tetëvjeçare, e kishte hedhur,transmeton Gazeta Kosova Sot.

Mesazhi, që ishte futur në një shishe të pijes ‘Sprite’, është gjetur nga Richard Goomes, i cili e kishte vërejtur atë në breg, gjatë kohës kur po shëtitej. Në letër ishin të shkruara edhe emri i zonjës Stevenson, bashkë me numrin e telefonit dhe lokacionin e saj të fëmijërisë.

 Vajza i kishte ndihmuar që ta gjurmonte zonjën Stevenson në rrjete sociale

Zotëri Goomes ka thënë se shishja kishte qëndruar në ujë për një kohë të gjatë.

“Ajo dukej e brishtë, andaj e pata marrë shishen e plastikës me vete në shtëpi dhe e pata prerë me thikë”, ka thënë ai. “Jam befasuar nga vjetërsia e saj – ajo mund të ketë shkuar në Antarktidë dhe të kthehej përsëri”.

Për shkak se letra ishte shumë e vjetër, mbiemri i zonjës Stevenson nuk shihej, pasi  ishte shpërbërë ajo pjesë e letrës. Zotëri Goomes dhe familja e tij ishin  munduar ta telefonin atë, mirëpo numri nuk i funksiononte. Më pastaj, vajza e tij i kishte ndihmuar që ta gjurmonte zonjën Stevenson në rrjete sociale, gjë kjo që ua kishte marrë 11 orë e gjysmë.

“Kaloj kohë të madhe në plazh dhe pikërisht në atë ditë i pata thënë qenit tim ‘A thua a do ta gjejmë ndonjë mesazh në shishe’. Dhe, krejt papritmas, ai ishte aty. E gjeta mesazhin”.

Zotëri Goomes e ka laminuar letrën për ta ruajtur gjendjen e saj.

 Rrëfimi i gruas për “letrën e shishes”

Zonja Stevenson ka thënë që i kujtohet se si e kishte lagur letrën me çaj dhe më pastaj i kishte djegur skajet e saj, për t’ia dhënë dukjen e ‘letrës së shishes’. “Më kujtohet shumë mirë kur kam shkuar në plazh për të hedhur në ujë. Nuk e di se pse e kam bërë. Mendoj që thjesht bënim gjëra të tilla për t’u argëtuar si fëmijë. Nuk është se kam menduar shumë për këtë punë”.

Stevenson ka thënë që e kishte marrë mesazhin nga vajza e zotëri Goomes-it në ‘Facebook’ dhe menjëherë e kishte njohur numrin e saj të vjetër, duke thënë që ishte ‘mahnitur’.

“Të gjithë e dimë se sa të vogla janë gjasat që një letër të kthehet në afërsi të vendit nga ku është e nisur, e lëre më kaq afër. Jam e mahnitur që personi që e ka gjetur e ka marrë mundin të më kërkoj në rrjete sociale, për t’i kthyer përgjigje mesazhit”, ka shtuar ajo.

Zonja Stevenson ka dy vajza 18 dhe tremuajshe dhe ka thënë se mezi pret që ta ndajë tregimin me to dhe të del së bashku me vajzat për të hedhur shishe me mesazhe në ujë.

“E ndjej sikur ka diçka magjike në këtë gjë. E kam dërguar një shishe dhe kam marrë një përgjigje. Është më të vërtetë mbresëlënëse”, ka thënë ajo. 

(Kosova Sot)

 

Image
Image
Image