Dorëzohet Muja, i cili deri tani u kujdes për 200 familje

  • 20 September 2016 - 22:17
Dorëzohet Muja, i cili deri tani u kujdes për 200 familje

PLEQËRIA E BËN TË VETEN.

"Me gjithë dëshirën që kam për të vazhduar t`u shërbej njerëzve në nevojë, vitet e kanë bërë të veten. Me sugjerimin edhe të familjes, kam vendosur të ndërpres aktivitetin në sindikatë dhe ditët e mbetura të jetës t`i kaloj në shtëpi", thotë Muja.

Për gjysmë shekulli u shërbeu çështjes kombëtare dhe njerëzve të varfë.

Tani, që po i afrohet moshës 80-vjeçare, Muharrem Bajrami ka vendosur t`i japë fund aktivitetit të tij më të gjatë se gjysmë shekulli, në shërbim të çështjes kombëtare dhe të të varfërve. Edhe pse e kishte arritur në moshën kur duhej të pushonte, mes njerëzve të familjes, Muja i Gjilanit nuk e bëri këtë. Edhe si pensionist, për 15 vjet e më tepër punoi për nevojtarët e Kosovë, ku, siç shprehet ai, qeveritarë e hoxhallarë mendojnë vetëm për vete."Përkundër dëshirës që kam për të vazhduar t`u shërbej njerëzve në nevojë, vitet e kanë bërë të veten. Me sugjerimin edhe të familjes, kam vendosur të ndërpres aktivitetin në sindikatë dhe ditët e mbetura të jetës t`i kaloj në shtëpi", thotë Muja. Ai ndien keqardhje të thellë që duhet t`i lërë rreth 200 familje, për të cilat është kujdesur t`iu sigurojë bukën dhe të mira të tjera. Pakot e fundit, miell, lëngje e veshmbathje, sindikata e pensionistëve dhe invalidëve të punës, me Mujën në krye, ka shpërndarë për festën e Kurban Bajramit. Nga buxheti familjar ai ka blerë 40 thasë miell për nevojtarët, shkruan gazeta Kosova Sot.

Serbia po e ha djersën e pensionistëve dhe invalidëve kosovarë 

Pasi ka vendosur të tërhiqet nga ky aktivitet, për shkak të moshës, Muja ua ka dërguar listën me 186 familje nevojtare, që kanë gjendje të vështirë ekonomike, institucioneve komunale, me kërkesë që të kujdesen për mirëqenin e tyre. "Federata sindikale nuk posedon më asnjë cent në llogarinë e saj. Edhe deri tani kemi punuar në mënyrë vullnetare", thotë Muja, ndërkohë që i falënderon bamirësit, sepse pa ndihmën e tyre nuk do të mund t`i ndihmonin këto familje. Muharrem Bajrami është i pakënaqur me trajtimin që shoqëria kosovare po ua bën pensionistëve, rreth 3.500 prej tyre jetojnë në Gjilan. Shumicës së pensionistëve u mungojnë gjërat më elementare për jetë, si mielli, vaji, kripa, sheqeri dhe artikuj tjerë të konsumit ditor. Për të zbutur këtë gjendje, kjo sindikatë, për çdo vit ka ndihmuar familje të shumta skamnore dhe jetimë, me artikuj ushqimorë, duke shpërndarë deri në 20.000 kilogramë miell brenda vitit. Ai është bindur se populli ynë ka njerëz bamirës. Disa prej tyre kanë dhuruar edhe nga 5.000 kg miell. Duke qenë pensionist prej gati 15 vitesh, Muja e ka kuptuar edhe më mirë se si ndihet një nevojtar në Kosovë. Ndien keqardhje të madhe që një numër i madh i pensionistëve dhe invalidëve të punës kanë vdekur në këto vite, pa e gëzuar djersën e tyre, e cila po keqpërdoret nga Serbia. Mohimi i pensioneve, është shkelje e rëndë e të drejtave dhe lirive individuale, thotë ai. 

E nisi si mësues 

Rruga jetësore e Muharrem Bajrami, në periudhën pas Brioneve (rankoviçiste) nuk ishte fare e lehtë. Në gjithë ato vite dramatike, deri ta liria e Kosovës, ai qëndroi burrërisht përballë të gjitha sfidave, duke mos u gjunjëzuar para armikut, i cili shkollën dhe mësimdhënësit shqiptarë i kishte ferrë në sy. Nëpër kohë të vështira, jo pak herë, Muja është ndeshur me vështirësi. Misionin prej mësuesi e filloi në shkollën fillore "Liria" të Pogragjës, menjëherë pas mbarimit të Shkollës së Lartë Pedagogjike, dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, në Prishtinë, ku punoi për 11 vjet me radhë. Mban mend aksionin e mbledhjes së tepricave, aksionin e armëve, diferencimet, largimet nga puna dhe formimin e institucioneve paralele shqiptare të arsimit në Republikën e Kosovës. Nijazi Ramadani, koleg i tij, thotë se Muja është shembull unik i përkushtimit për çështjen kombëtare. Për këto arsye, më 11 maj të vitit 1999, së bashku me 16 intelektualë tjerë të Gjilanit u arrestua dhe u burgos. Edhe pas gjithë atyre peripecive që ka përjetuar në më shumë se gjysmë shekulli aktivitet, Muja vazhdoi të sfidojë pleqërinë, jo për veten dhe familjen e tij, por për t`i ndihmuar nevojtarët. Pavarësisht se tani ka vendosur të kthehet në shtëpi, shkaku i viteve, ai do të mbetet Muja i Gjilanit edhe atëherë kur nuk do të jetë më. 

(Kosova Sot)