Pleqtë frikësohen se me vdekjen e tyre, shuhen edhe zejet e traditës

  • 24 September 2016 - 19:25
Pleqtë frikësohen se me vdekjen e tyre, shuhen edhe zejet e traditës

ZEJET PEJANE DIKUR ISHIN HAMBARË PËR SHUMË FAMILJE.

Abedini:Me ikjen tonë nga kjo botë nuk do të mbete gjë.

Zejet dhe zejtarët pejanë janë të lashta, aq sa edhe vetë qytet i Pejës, i cili pati zanafillën e vet me zeje dhe u rrit së bashku me zejtarinë e vet, pohon Nexhdet Belegu, i cili punonte qafëza kuajsh, zeje kjo tani në zhdukje, shkruan gazeta Kosova Sot.

Abedin Pllunci, rrobaqepësi i veshjeve popullore, i cili ka mbushur 85 vjet, me gjilpërë, gërshërë dhe makinën e qepjes, shprehet se ka ngritur, mbajtur dhe shkolluar fëmijët dhe sot me më shumë se tetë dekada mbi supe akoma e punon këtë zeje. "Tani këtë e bëj më shumë nga dashuria për këtë profesion", thotë Abedin Pllunci. Ai me mall kujton kohërat e hershme të Çarshisë së Pejës të zejtarëve të saj, dhe thotë se mban mend kur kjo çarshi u dogj e tëra një herë në vitin 1943 dhe herën e dytë nga kriminelët serbë 1999. "Por këtë vend të bekuar, këtë magje dhe hambar të popullatës se këtij qyteti askush nuk mund ta zhbëjë, ky është vend i shenjtë për ne, është Mekë e jona", pohon xha Abedini, i cili nuk ndahet nga puna edhe kur zhvillonim këtë bisedë për "Kosova Sot". Ai më pas kujton se Peja kishte pesë dyqane zhgunagjish, ishin pesë zhgunagjijtë e njohur: Bajram Malësori, Azem Këlmendi, Mon Popovci, Bajram Vokshi, Dakë Devolli, Hajdar Hajdaraga, Ramiz Bekqeli, Muharrem Sylejmani, Myrteza Bunjaku etj., të cilët më nuk janë në këtë botë, e bashkë me ta ka shkuar dhe kjo zeje e çmuar e veshjeve tona kombëtare e që u ruajtën me shekuj në këto treva. 

Pesë dyqane farkëtarësh

Sot, nuk ka asnjeri që di të qepë këto veshje as për shoqëritë kulturo-artistike, thotë nga pak i inatosur xha Abedini. "Bashkë me ne zejtarët që kemi mbetur do të vdesin edhe këto pak zeje të mbetura", thotë Abedin Pllunci, rrobaqepësi 83-vjeçar nga Peja. Fahredin Kastrati, i cili mban një dyqan argjendarie aty në hyrje të çarshisë se vjetër që zejtarët pejanë e kanë quajtur "Okol", thotë se po punon nga pak nga zeja e argjendarit dhe shton se në Pejë ka vetëm një filigran të vërtetë e ai është Rafael Qiflaku, për të cilin gazeta e jonë ka shkruar kohë më parë. Fahredini pohon se punimet nga argjendi nuk janë edhe aq të kërkuara, por edhe importi nga jashtë i tyre ka bërë që kjo zeje të vijë para shuarjes së plotë. Zejet dhe zejtarët pejanë janë të lashta aq sa edhe vetë qytet i Pejës, i cili pati zanafillën e vet me zeje dhe u rrit së bashku me zejtarinë e vet, pohon, Nexhdet Belegu, i cili punonte qafëza kuajsh, zeje kjo tani në zhdukje. I biri i tij Arbeni thotë se po përpiqet që ta modifikojë zejen që e mësoi nga babai duke e modifikuar në një program punimesh për gjueti. Peja dikur me " Rrugën e farkëtarëve", sot ka vetëm pesë dyqane farkëtaresh. Gëzim Muriqi mban familjen e tij 12 anë- tarëshe nga puna e tij prej farkëtari, zeje kjo të cilën e ushtron që 45 vite. "Ndërkaq, ai edhe gjashtë breza të kësaj familjeje para tij janë marrë me zejen e farkëtarit", thotë Gëzimi. Është zeje e rëndë dhe ne tani merremi me riparime të ndryshme, por edhe nga kjo zeje akoma mund të jetohet. Gjithnjë e më pak ka interesim për të nga të rinjtë, pohon ai. Dikur Peja kishte Rrugën e farkëtarëve me shumë dyqane.

Asnjë samarxhi

Ramë Brada, 92-vjeçari nga Peja, është samarxhiu më i vjetër dhe i vetmi në rrafshin e Dukagjinit. Ai thotë se zejen e samarxhiut e filloi në vitin 1943 te një zejtar serb, ngase zejen e samarxhiut kryesisht e ushtronin serbët e Pejës. Ai thotë se ia ka parë hairin kësaj zeje, ani pse për më shumë se 40 vite ishte edhe pajtonxhi dhe arabaxhi , por sërish që më shumë se 20 vite prapë e ushtron zejen e samarxhiut në Pejë. Ai e kujton Pejën dhe çarshinë e gjatë kur kishte mbi 30 saraçë, shumë zdrukthëtarë, rrobaqepës të veshjeve popullore, zhgunaxhi e sermaxhi, kurse sot nga kjo nuk ka ngelur as gjë, thotë zejtari ndoshta me i vjetri në mbarë Kosovën që akoma është gjallë dhe ushtron zejen e tij, dhe shton se pas tij nuk do të ketë në rrafshin e Dukagjinit as një samarxhi. Peja dikur kishte shumë përpunues lëkurash të quajtur Tabakë ishte edhe lagja e quajtur e Taphanave, aty ku ishin të vendosur të ashtuquajturit Dallapët e Taphaneve, pikërisht ku sot është e vendosur një nga thertoret e qytetit. Sot kjo zeje në Pejë nuk ekziston fare. Nuk ka më asnjë nallane-punues, ka vetëm një plisaxhi, vetëm një mbathtar, vetëm një briskaxhi, nuk ka asnjë makinë leshlënurëse, më nuk punon askush qilimat e njohur, të cilët së bashku me sexhadet e punuara nga vajzat dhe gratë e këtij qyteti eksportoheshin deri në Stamboll dhe të gjithë rivierën e Adriatikut. Ismet Shala, kryetar i Shoqatës së Zejtarëve, vlerëson pozitivisht punën e deritashme të zejtarëve pejanë edhe përkundër halleve dhe brengave të shumta që kanë në veçanti në rindërtimin e Çarshisë së vjetër, e cila qe plaçkitur, djegur e shkatërruar nga njësitet militare e paramilitare serbe. 

(Kosova Sot)