Kompanitë fantome pasuruan oligarkët duke zhvatur tenderët

  • 24 September 2016 - 07:40
Kompanitë fantome pasuruan oligarkët duke zhvatur tenderët

Krimi mafioekonomik mbetet i pandëshkuar nga organet e drejtësisë

Lekaj: Situata do të vazhdojë për aq kohë sa drejtësia do jetë në shërbim të Qeverisë

"E keqja e veprimit të këtyre kompanive është se ata janë bërë shumë të fortë dhe po veprojnë gjithnjë, duke qenë madje edhe mbi ligjin dhe Kushtetutën dhe duke u bërë një shtet në shtet, të pandëshkuar nga drejtësia", shprehet deputeti Haxhi Shala

Që nga paslufta e deri më sot në Kosovë janë krijuar një numër i madh i kompanive fantome, që sipas analistëve dhe njohësve të kësaj fushe janë krijuar enkas vetëm e vetëm për të marrë tenderët qeveritarë në shuma milionëshe dhe për qëllim kanë zhvatjen dhe përfitimet, duke vepruar dhe duke qenë mbi ligjin dhe Kushtetutën. Arsyeja e vetme e themelimit të këtyre kompanive fantome qëndron në synimin që të legalizojnë paratë e pista, të fituara nga krimet e bëra të klaneve mafioze-ekonomike dhe atyre politike përmes tenderëve qeveritarë. Me gjithë pyetjet e dërguara në adresë Prokurorisë së Shtetit dhe EULEX-it se çfarë janë duke vepruar në këtë drejtim dhe se deri kur këto institucione do të mrizojnë e të sodisin zyrtarët e tyre nuk kanë kthyer përgjigje. Në përgjigjen e Zyrës për Informim të Policisë së Kosovës në mes tjerash thuhet:"Policia e Kosovës në të gjitha rastet ku ka elemente të dyshimit për ndonjë vepër penale, në konsultim dhe koordinim të plotë me Prokurorinë kompetente, ndërmerr veprimet e saja konform autorizimeve ligjore që ka". Sipas ekspertëve, në këto punë të pista janë të përfshirë edhe zyrtarët më të lartë politikë, përfshirë edhe ministra, që kanë krijuar rrethin e tyre dhe OJQ-të fantome, përmes së cilave ata ka vite që po marrin projekte nëpër ministritë e ndryshme dhe ato para prapë përfundojnë në xhepat e pushtetarëve dhe klaneve të lidhura me ata. Njohësi i çështjeve ekonomike, Nehat Magjuni, u shpreh për "Kosova Sot" se pjesa më e madhe apo shumica e kompanive serioze dhe OJQ-të që nuk janë të lidhura me pushtetin dhe nuk u shërbejnë këtyre pushtetarëve të dekadës së fundit dhe atyre aktualë që janë në pushtet nuk mund të marrin projekte e as tenderë. "Paraja publike është e koncentruar vetëm të një varg kompanish fantome që janë krijuar "ad-hock" dhe vetëm për të rrëmbyer paranë publike", është shprehur ai. Deputeti opozitar Haxhi Shala (Nisma për Kosovën), thotë se ka disa vite që në Kosovën e pasluftës shtresa e oligarkëve po pasurohen në saje të bizneseve fantome që janë të krijuara enkas dhe vetëm për zhvatje e përfitime përballë një tregu të hapur. "E keqja e veprimit të këtyre kompanive është se ata janë bërë shumë të fortë dhe po veprojnë gjithnjë duke qenë madje edhe mbi ligjin dhe Kushtetutën, duke u bërë një shtet në shtet". Sipas Shalës, ajo që brengos është heshtja e Prokurorisë së Shtetit dhe Prokurorisë së EULEX-it që me indiferencën e tyre vetëm po sodisin e nuk po veprojnë. Ndërsa, deputeti Pal Lekaj për "Kosova Sot" shprehet se krijimi i këtyre kompanive fantome në vazhdimësi ka pasur tendenca për manipulimin e fondeve publike, të cilat konkurrojnë dhe gëzojnë favorizim gjatë ndarjes së tenderëve publikë. Më tej deputeti Lekaj u shpreh: "Krijimi i këtyre kompanive fantome gjithsesi se po i dëmton bizneset serioze, meqë u pamundëson qasjen në projektet e financuara prej sektorit publik. Dhe, gjithsesi se kjo situatë do të vazhdojë për aq sa sistemi i drejtësisë do jetë në shërbim të Qeverisë, përfshirë këtu edhe Prokurorinë e Shtetit", shkruan sot gazeta Kosova Sot.

Mafiozët shantazhojnë bizneset

Njohësi i çështjeve ekonomike, Ardi Nokaj, u shpreh se gjersa në njërën anë krijohen kompani dhe OJQ-të fantome për shpëlarjen e parave nëpërmjet tenderëve të Qeverisë, ku përfshihen edhe ministra, në anën tjetër po të njëjtit vënë pengesa dhe shantazhojnë OJQ-të dhe bizneset e rregullta."Kësaj dukurie janë duke i kontribuar në masë të madhe gjykatat e kapura dhe prokuroritë, të cilat janë vënë në shërbim të kësaj kaste mafioze dhe rrinë anash e këqyrin seri". Nokaj u shpreh se keqpërdorimi i institucioneve shkon deri në atë masë saqë këta zyrtarë e qeveritarë shantazhojnë bizneset dhe OJQ-të, të cilat nuk varen fare nga ndonjë subjekt në Kosovë dhe një gjë të tillë e bëjnë vetëm për të mos e lejuar zhvillimin."Ka fakte të bollshme të këtyre shantazheve dhe keqpërdorimeve nëpër gjykata, të cilat po i neglizhojnë, parashkruajnë ose edhe zhdukin lëndët krimeve të zyrtarëve politikë e qeveritarë". Nokaj shprehet se në Kosovë nuk ke se ku të ankohesh, sepse gjykatat dhe prokuroritë janë vetë thelbi i krimit.

 

Kompanitë fiktive përdoren në vendet me shkallë të lartë të korrupsionit

Ndërsa, njohësi i çështjeve financiare, Xhevat Meha, shprehet se fenomeni i kompanive fiktive përdoret shumë në vendet me shkallë të lartë të korrupsionit dhe të krimit të organizuar. "Kompanitë fiktive nuk mund të operojnë në vendet me shkallë të lartë të zbatimit të ligjit. Kompanitë e tilla kryejnë funksione të ndërmjetme që kanë të bëjnë me transferimin e parave publike te zyrtarët që janë të korruptuar ose janë pjesë e krimit të organizuar", shprehet ai. Shton se në vendet ku institucionet shtetërore kryejnë punën e vet sipas ligjit transaksionet e këtyre kompanive i identifikojnë se janë fiktive dhe bëjnë ndjekjen penale."Niveli i funksionimit të këtyre kompanive është dëshmi e shkallës së jofunksionalitetit të institucioneve shtetërore". Meha shprehet se OJQ-të regjistrohen në bazë të ligjit si organizata joqeveritare, por në momentin kur marrin fonde nga Qeveria krijohen lidhje me Qeverinë dhe në këtë mënyrë pushojnë të janë joqeveritare dhe në këtë mënyrë edhe shkelin ligjin në bazë të cilit janë krijuar."Edhe këto OJQ njëjtë sikur kompanitë fiktive janë fiktive. Këto OJQ përdoren si mekanizma për transferin e parasë publike tek zyrtarët shtetërorë të korruptuar ose të lidhur me krimin e organizuar", shprehet ai. Ndërsa, eksperti Milazim Abazi u shpreh se korrupsioni është sëmundja kryesore e shoqërisë kosovare dhe e strukturave më të larta shtetërore."Të gjitha aferat e mëdha korruptive janë të lidhura me pushtetarët e lartë ose me kompanitë fantome të krijuara nga familjarët e tyre. Njerëzit e korruptuar në qeveri përveçqë po krijojnë kompani fantome, po krijojnë edhe OJQ të ndryshme vetëm e vetëm për të fituar tenderë dhe për të zhvatur para dhe fonde publike". Abazi shprehet se përkundër vendosmërisë së Bashkimit Evropian se pa luftë të mirëfilltë ndaj korrupsionit dhe pa depolitizimin e OSHP-ve nuk do të ketë liberalizim të vizave, qeveritarët tanë po sillen sikur i kanë kryer të gjitha detyrat e shtëpisë dhe po e fajësojnë BE-në se ajo nuk ka vullnet për të bërë liberalizimin e vizave.

Kompanitë fantome avokojnë edhe ligjet për interesat e tyre

Ndërsa, Selatin Kaçaniku ('Konsumatori') u shpreh se krijimi i kompanive fantome është trajtë e "legalizimit" të veprimit politiko-mafioekonomiko-social të grupeve të interesit. "Fantome në to është vetëm emri fiktiv mbi të cilin regjistrohet kompania e pronarë - themeluese - menaxhues të vërtetë të të cilit dihet se kush është, kush janë. Këto kompani, biznese, ndërmarrje, e kanë fjalën kryesore edhe të Asociacionet e bizneseve ku janë anëtare. Me lobi të fuqishëm ato kanë ndikim edhe në ligje: Avokojnë për interesat e tyre, deklarativisht janë " pro" ligjeve dhe "pro" Ligjit për mbrojtjen e konsumatorit, por, në të vërtetë, punojnë vetëm për interesin e tyre, e kanë gojën përplot "prodhim vendor" e në të vërtetë janë promotorë të sabotimit të ekonomisë vendore, të prodhimit vendor, të dampingut, të monopolit. Fantomizimi i tillë i kompanive, i ndërmarrjeve të bizneseve, ku "kullosin tall" disa shtresa e hisedarë tepër keq reflekton te qytetari konsumator, i cili, si blerës i fundit, i paguan të gjitha marifetet më shtrenjtë se realisht kanë vlerë", shprehet Kaçaniku.  

(Kosova Sot)