Miliarderët dhe shkencëtarët në kërkim të jetës jashtë Tokës

  • 24 September 2016 - 19:56
Miliarderët dhe shkencëtarët në kërkim të jetës jashtë Tokës

Mark Zuckerberg, Yuri Milner dhe Stephen Hawking do ta fillojnë një kërkim me vlerë 100 milionë dollarë për format e jetës në një planet të afërt, të ngjashëm me Tokën,transmeton Gazeta Kosova Sot.
Tre nga personat më të pasur dhe më të mençur në botë, shpresojnë që të jenë të parët që do të gjejnë forma jetësore jashtëtokësore.

Shefi ekzekutiv i “Facebook”-ut, Mark Zuckerberg, sipërmarrësi rus Yuri Milner dhe fizikani Stephen Hawking kanë bërë me dije se do të dëgjojnë me vëmendje sinjalet që vijnë nga planeti që është quajtur “Toka 2.0”.

Me emrin zyrtar Proxima b, ky planet shkëmbor besohet t’i ketë kushtet adekuate për të siguruar jetë dhe ai gjendet vetëm katër vite të dritës larg nesh.

 Në kërkim të sinjaleve

Kjo treshe janë duke financuar një projekt ambicioz me vlerë 100 milionë dollarë, me emrin ‘Breakthrough Listen’, i cili do të përdorë teleskopët më të fuqishëm për t’i dëgjuar mesazhet nga alienët.

“Breakthrough Listen” është lansuar në janar, me qëllim të vëzhgimit të 1 milion yjeve më të afërta me Tokën, në kërkim të sinjaleve që mund të emitohen në gjithësi nga krijesat inteligjente jashtëtokësore.

Shkencëtarët pjesëmarrës në këtë projekt janë duke skanuar edhe vet qendrën e galaktikës tonë, në kërkim të radio transmetimeve.

“Breakthrough Listen” do të mbledhë të dhëna për një periudhë dhjetëvjeçare. Muajin e kaluar, astronomët gjetën dëshmi të qarta se, ylli ynë më i afërt, Proxima Centauri, ka një planet të ngjashëm me tokën.

‘Kjo erdhi vetëm pak muaj pasi që Stephen Hawking dhe unë, me mbështetjen e Mark Zuckerbergut, lansuam projektin tonë “Breakthrough Starshot”, i cili ka për qëllim lansimin e një anijeje të vogël kozlime në Alpha Centauri’, thotë Milner.

Kontakti me alienët

Më parë janë zbuluar me mijëra ekzoplanetë, por për dallim nga të tjerët, shkencëtarët thonë se Proxima b është brenda aftësisë tonë të qasjes. Edhe pse katër vite të dritës janë një distancë e madhe, më shumë se 25 trilionë milje, gjeneratat e ardhshme të fluturakeve tepër të shpejta mund të shpresojnë të arrijnë një ditë atje. Më pas, mund të shpresohet që ai planet të kolonizohet nga njerëzit.

Në fillim të muajit të ardhshëm, ekipi i “Breakthrough Listen” do të kërkojë emitime radiofonike që dallojnë nga zërat natyrorë, duke përdorë observatorin Parkes në Australi. Observatori i njëjtë ishte përdorë për të marrë xhirimet live TV të lëshimit të “Apollo 11” në Hënë, në vitin 1969.

Por, njëri ndër mbështetësit e këtij projekti, profesor Hawking, thotë se duhet të kemi kujdes nga vënia e kontaktit me alienët, nëse i gjejmë ata. Ai thotë se takimi ynë me alienët mund të jetë i ngjashëm me takimin e indianëve të Amerikës me Christopher Columbusin, një takim i cili nuk përfundoi mirë për ta. 

(Kosova Sot)

Image result for Yuri MilnerImage result for mark zuckerberg