Korisha vepron sikur të ishte komunë

  • 24 September 2016 - 20:39
Korisha vepron sikur të ishte komunë

BANORËT ORGANIZOHEN VETË PËR MBARËVAJTJEN E PUNËVE NË FSHAT

"Në fshat kemi 4 punëtorë që kontrollojnë rrjetin e ujësjellësit dhe kanalizimit, pastrimin e rrugëve, pastrimin e kanalizimit, pastrimin e brazave për ujitjen e tokave bujqësore, mirëmbajtjen e varrezave në fshat, pastaj kujdesen për lapidarin në qendër të fshatit, parkun e gjelbër pranë lapidarit, si dhe hapjen varrezave dhe shërbimeve të tjera në fshat", thotë Rexhaj.

Banorët ankohen se nuk kanë ujë të mjaftueshëm 

Banorët e Korishës së Prizrenit thonë se të gjitha punët në fshat duhet t'i bëjnë vetë, derisa pak e ndiejnë dorën e pushtetit. Rexhë Ukaj tregon për "Kosova Sot" se në fshat funksionojnë komisionet që janë shërbim të qytetarëve të Korishës, ku kanë realizuar numër të madh të projekteve kapitale. Ai përmend realizimin e projektit të ujit të pijes, i financuar nga Drejtoria e Shërbimeve Publike, ndërtimin e sallës sportive në shkollën e fshatit "Dëshmorët e Kabashit", investim i Drejtorisë së Arsimit, pastaj ndërtimi i urës që lidh rrugën e fshatit me rrugën e Kabashit. Tani është duke u realizuar projekti i hulumtimeve në Kalanë e Korishës, shkruan gazeta Kosova Sot.

Kujdesen vetë për mjedisin

Në kuadër të fshatit funksionon edhe një minipushtet lokal që merret me organizimin e jetës dhe zhvillimin e infrastrukturës. "Në fshat kemi 4 punë- torë që kontrollojnë rrjetin e ujësjellësit dhe kanalizimit, pastrimin e rrugëve, pastrimin e kanalizimit, pastrimin brazave për ujitjen e tokave bujqësore, mirëmbajtjen e varrezave në fshat, pastaj kujdesen për lapidarin në qendër të fshatit, parkun e gjelbër pranë lapidarit, si dhe hapjen e varrezave dhe shërbimeve të tjera në fshat. E tërë kjo punë e punëtorëve paguhet me mjetet vetjake të qytetarëve të Korishës, ku në baza vullnetare për të gjitha shërbimet çdo familje paguan nga 3 euro në muaj. Ne kemi krijuar një rend që besoj se duhet të funksionojë edhe në lokalitetet e tjera", thotë Rexhë Ukaj, përgjegjës për infrastrukturë në fshatin Korishë. Komuna e Prizrenit ka ndarë së fundmi 50 mijë euro, pastaj ka bërë ndërtimin me elemente betoni të rrugës për lagjen Ukaj në vlerë 132 mijë euro dhe në rrugën e lagjes"Boka" në Korishë mbi 45 mijë euro. Rexhë Ukaj, duke folur për angazhimet që ka bërë komuna për këtë fshat, thotë se do të punohet edhe më shumë në këtë drejtim."Kemi premtime për ujësjellësin, pasi që ky fshat ka mjaft ujë. Korisha po e merr pamjen e një qyteze, sepse tashmë ka edhe infrastrukturë mjaft moderne", thotë Rexhë Ukaj. Ai shprehet se në çdo 13 maj përkujtohen burrat e Kabashit të Korishës që ranë për liri. Ai shprehet se 13 maji i vitit 1999 ishte i kobshëm për Korishën, pasi atë ditë ranë 77 martirë, pasi ishin vendosur nga serbët si mburojë nga aeroplanët e NATO-s.

Fshati i kalave

Ndërsa, Hilmi Rexha, anëtar i Këshillit të Bashkësisë Lokale dhe njëherësh njëri ndër aktivistët e dalluar të këtij fshati, tregon se tashmë nga Komuna kanë kërkuar edhe një shtëpi të kulturës. "Si projekti kemi ofruar edhe zbulimet në kalanë e Gralishtës", pohon Rexha për "Kosova Sot". Ndryshe, Kalaja e Kabashit pozicionohet në faqen lindore të qafës në trajtë të shalës, fare pranë kalasë së Korishës. Kemi të bëjmë me një vendbanim me një sipërfaqe prej afër 1 hektar dhe me lartësi mbidetare prej 723-728 metra, të shtrirë në një pjerrësi."Ky lokalitet kishte karakter të një fortifikimi që mbrohej nga natyra në një anë dhe ledhet mbrojtëse në anët e tjera. Gërmimet arkeologjike të zhvilluara në dy sektorë rezultuan me identifikimin dhe zbulimin e banesave dhe horizonteve të banimit që janë tipike dhe në aspektin kronologjik datohen në periudhën e bronzit të hershëm dhe bronzit të mesëm. Vegla pune të punuara nga guri, fragmente dhe enë qeramike të zbuluara këtu, shumë mirë e përfaqësojnë kohën në fjalë", tregon arkeologu Shafi Gashi.

Banorët e Korishës janë vullnetarë të përhershëm për infrastrukturë më moderne

Hilmi Rexhaj, thotë se ky fshat pret të shtojë furnizimin me ujë të pijes. "Atje kërkohet të bëhet edhe një basen uji për të pasur mundësi të furnizimit me ujë më shumë dhe për të gjithë. Për këto punë, fshati paguan rregullisht katër punëtorë. Pastrimi i rrugëve, reduktimi i ujit, rregullimi i lapidarit, mirëmbajtja e varrezave, hapja e varreve të reja, mirëmbajtja e xhamisë, rregullimi i shkollës, shtrimi i ndonjë rruge dhe nevoja të tjera që paraqiten në fshat realizohen përmes organizimit shumëvjeçar të kryesisë së fshatarëve", tregon Rexhaj.

(Kosova Sot)