Qeveria ua fsheh përfaqësuesve të popullit marrëveshjen për kufirin

  • 24 September 2016 - 07:34
Qeveria ua fsheh përfaqësuesve të popullit marrëveshjen për kufirin

Rikthimi në Kuvend pa konsensus i demarkacionit me Malin e Zi tension situatën

Muharremaj: Do t'i përdorim të gjitha mjetet demokratike për ta penguar atë marrëveshje

"Natyrisht, sa më gjatë që çështja e Demarkacionit nuk merr rrugë për zgjidhje, aq më tepër thellohet kriza. Sa më shumë që pushteti po e trash zullumin në këtë drejtim, aq më tepër po i hapet rrugë Lëvizjes 'Vetëvendosje!'", shprehet analisti Nexhemedin Spahiu

Tendenca e paralajmëruar e Qeverisë së Kosovës, që Marrëveshja për Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi të rikthehet për votim në Kuvend në versionin e pandryshuar në fillim të muajit tetor, po cilësohet nga opozita dhe analistët politikë si një veprim joserioz i koalicionit qeverisës në funksion të provokimit të ri të krizës që para pak kohë ishte qetësuar në vend. Së fundi, vetë kryeministri Isa Mustafa po dërgon mesazhe nga SHBA-ja, se gjoja ka kërkesa për ta shtyrë përpara këtë proces, kurse kreu diplomatik kosovar, Enver Hoxhaj thotë se që në javën e parë të muajit tetor mund të pritet ratifikimi i kësaj marrëveshjeje, e cila tash 15 muaj po prodhon krizë politike dhe institucionale në shtetin e Kosovës. Tani shtrohet pyetja logjike: Pse duhen bisedime me opozitën nëse Qeveria është e vendosur për ta kaluar Demarkacionin sipas Komisionit shtetëror? Deputeti Bali Muharremaj, nga AAK-ja, tha se deri dje pas dite, asnjë nga subjektet politike opozitare nuk ka pranuar ndonjë argument bindës sipas të cilit Kosova nuk do të humbte territor me këtë version të Demarkacionit të kufirit, dhe nga ana tjetër nuk ka akoma asnjë ftesë zyrtare për t'u takuar liderët dhe për të biseduar, mbase edhe për të parë se çfarë argumentesh të tjera ka siguruar Qeveria e Kosovës, shkruan sot gazeta Kosova Sot.

Muharremaj: "Për çdo version tjetër jemi të gatshëm të ulemi e të bisedojmë"

Muharremaj ka pohuar se heshtja e Qeverisë dhe mosbërja transparente e ndonjë elementi të ri flet se e drejta dhe e vërteta qëndron tek ata që po e kundërshtojnë këtë marrëveshje, dhe ky kundërshtim do të zhvillohet edhe në përpjekjen e radhës që do të mund të bëhet në Kuvend për ta kontrabanduar atë. "AAK-ja dhe si bllok i përbashkët opozitar me NISMA-n jemi për dialog, por vetëm nëse ai dialog siguron që procesi do të rikthehet në pikën zero, sepse versioni i fundit i përfaqësuesve të Qeverisë së Kosovës, i Marrëveshjes së Demarkacionit që është nënshkruar në vitin e kaluar dhe ka mbetur i pandryshuar nuk vjen në shprehje të pranohet dhe të votohet nga krahu opozitar. Për çdo version tjetër jemi të gatshëm të ulemi e të bisedojmë", u shpreh Muharremaj për "Kosova Sot".  "Sa i përket rikthimit eventual të versionit të vjetër, ne do të jemi në Kuvend, do të jemi kundër, sikur që kemi qenë kundër tash e dy vjet, dhe do t'i përdorim të gjitha mjetet demokratike për ta penguar dhe për ta kundërshtuar atë marrëveshje", shprehet Muharremaj. Tepër provokativ dhe të rrezikshëm e cilëson paralajmërimin e kthimit të Demarkacionit në Kuvend nga ana e Qeverisë, edhe prof. universitar, analisti politik Nexhmedin Spahiu. Ai konsideron se nëse nuk ka zgjidhje për Demarkacionin, rruga e daljes nga kriza janë zgjedhjet. " Natyrisht, sa më gjatë që çështja e Demarkacionit nuk merr rrugë për zgjidhje, aq më tepër thellohet kriza. Sa më shumë që pushteti po e trash zullumin në këtë drejtim, aq më tepër po i hapet rrugë Lëvizjes 'Vetëvendosje!'. Sa më shumë që 'Vetëvendosje!' i ofrohet pushtetit, aq më shumë rrezikohen raportet e Kosovës me Shqipërinë, e përfitues do të jetë Serbia", shprehet ai. 

Qeveria nuk e njeh padrejtësinë

Me shqetësim serioz e sheh provokimin e radhës që mund të bëjë Qeveria edhe analisti politik Arsim Haziri. "Partneri qeverisës, tashmë e di se mundësia për të dërguar në Kuvend marrëveshjen është çështje e vështirë. Qeveria mund të provojë rishtas, por duhet të jetë e vetëdijshme që gjatë shenjëzimit të kufirit, finalizimit të kësaj marrëveshje, është përdorur një strategji e gabuar, mbase dhe një material jovalid dhe jo i dokumentuar arsyeshëm. Tani e ka të vështirë të dalë para deputetëve që të binden ata", theksoi Haziri. Tutje shton: "Tani, Qeveria e njeh padrejtësinë që e ka bërë, por tërheqjen përfundimtare nuk po e bën, ngase një veprim i tillë do të reflektonte në opinion negativisht. Qeveria aktualisht ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim me opozitën, por jo me kushte qe ata po i përcaktojnë. Arrogante dhe të papërgjegjshme e cilëson vazhdimin e sjelljes së Qeverisë karshi deputetëve të zgjedhur, pozitës dhe opozitës, edhe Islam Krasniqi. "Qeverisë së Republikës së Kosovës as që i intereson të marrë mendimin më të vogël të deputetëve brenda koalicionit dhe të opozitës, të cilët e kundërshtojnë ratifikimin e Demarkacionit, në këtë formë siç e ka përgatitur Komisioni shtetëror, i cili asnjëherë nuk u bë transparent. Qeveria çka ka pasur dokumente, ia ka dërguar opozitës, të cilat për opozitën kanë qenë argumente zero. Kuvendi i Republikës së Kosovës pritet të ketë tensione të reja pikërisht për shkak të Demarkacionit, ngase Qeveria po mundohet që të imponohet ratifikimi i saj, e që për opozitën dhe qytetarët është zgjidhje e dëmshme dhe e papranueshme", shprehet Krasniqi. 

(Kosova Sot)