Legjendat për Drinin e Bardhë që ‘ha’ çdo vit nga dy kurbanë

  • 25 September 2016 - 08:10
Legjendat për Drinin e Bardhë që ‘ha’ çdo vit nga dy kurbanë

Gashi: Lumi Drin ka forcë të madhe dhe është i hidhëruar

Në Drinin e Bardhë, sipas njërës nga legjendat e shumta çdo vit mbyten nga dy vetë. Plaku Ahmet Berisha për "Kosova Sot" shpjegon se ky lumë në popull ka shumë legjenda po ajo më e rëndësishmja është se Drini çdo vit "ha" nga dy kurbanë. Berisha, 93-vjeçar pohon se ende e ka të freskët kohën kur ndërtohej ura e Gjonajve, kur erdhi një maqedonas dhe deshi të lahej. "Ishte ditë e xhuma dhe ne e kishin një paralajmërim se në mbrëmje tek gryka Nashecit u dëgjua një ushtimë. Kisha dëgjuar nga babai se kur ushton gryka e Nashecit merr një jetë. I thash mos se sot,është rrezik të lahesh e ai tha, unë di të lahem e jam rritur në Vardar. Hyri për t'u larë dhe nuk doli më kurrë", shpjegon Berisha, shkruan gazeta Kosova Sot.

Mësuesin që e rrëmbeu rrjeta e peshkut 

Xha Ahmeti tregon pastaj se nga babai i tij kishte dëgjuar se sa herë mbi Pashtrik shtrihet një re e bardhë brenda asaj jave domosdo se në Drinin e Bardhë dikush do të mbytej. "Ky paralajmërim bëhet ose të hënave ose të premteve", shpjegon për gazetën xha Ahmeti. "Unë e mbaj mend që ishte mbytur një mësues Skender Hoti. E di saktë se ai ka qenë njëri ndër notarët më të mirë të Prizrenit, mirëpo atë javë ishte parë reja mbi Pashtrik dhe të ndjerit i pata thënë se këtë javë do të mbytet një njeri se është radha e kurbanit për Dri. Ai pati besuar në këtë, por tha ishalla nuk i ndodh atij. Por derisa ishte duke gjuajtur peshk, thuhet se iu kishte lidhur rrjeti dhe kishte vdekur duke u mbytur në Drinin e Bardhë. Burrë dy metra i gjatë", kujton sot xha Ahmeti. Këtë legjendë për lumin që ha njerëz e dinë shumë banorë hasjanë, të cilët e lidhin këtë legjendë me legjendat e tjera se mbi këtë lumë thonë se ka qenë e ndaluar të ngritet ura. Ata pastaj e lidhin edhe legjendën e lumit të Urës së Fshejt se nga atje deri në kufi mbyten nga dy veta në vit. Këta janë kurbanët e Drinit, tregojnë edhe shumë hasjanë të tjerë.

Flijimet për të pasur të korra të bereqetshme

Plaku tjetër, Mitat Gashi, tregon se Drini i ha këta kurbanë, sepse është hidhëruar, ngase dikur ka qenë i pastër dhe uji i Drinit ka mundur edhe të pihej. "Askush nuk ka guxuar të hedhë jashtëqitjet në Drinin e Bardhë, kurse tash është bërë gazi i botës. Drini ka një forcë të madhe. Dikur ka pasur tjetër shtrat", tregon Gashi. Ai mendon se hedhja e mbeturinave në lumë e ka hidhëruar Drinin e Bardhë. Njëra nga legjendat thotë se disa gjenerata kishin kaluar që nga kjo kohë, kur jeta e njerëzve varej krejt nga puna në ara e pastaj i kishte rënë shorti ndonjë të riut për t'u flijuar para gushës së përbindëshit, në mënyrë që të vinin të korrat e bereqetshme. "Aty thuhej se ishte një përbindësh dhe hante nga dy kurbanë në stinë. Kështu vazhdonte jeta nga viti në vit për çdo stinë të re të korrave e këtë herë në log të burrave shorti i kishte rënë prapë një djaloshi të ri afër fushave të Njeriut të mirë, i cili ishte dashuruar më parë në një vajzë të bukur, ku ajo e priste me padurim ditën e fejesës me të. As si çonin mendtë andej se një ditë basti i bereqetit të arës së Drinit të Bardhë do t'i bjerë atij, por që tani në log të burrave kur kishte ardhur momenti të tërheqë kashtën, në vend që të tërhiqte kashtën e gjatë ku jeta e tij do të merrte kah tjetër, basti kishte dashur ndryshe, kështu që Ariu e tërheq kashtën më të shkurtër ndër tetëmbëdhjetë të tjerëve. Menjëherë Ariut fytyra iu kishte zverdhur ku pikë gjaku s'i kishte mbetur në fytyrë.

E kishte parë se së shpejti brenda javës duhej të futej trupi i tij i ri në brendi të përbindëshit e më e keqja ishte se do ta linte të vetmuar të fejuarën e tij, që ia kishte dhënë fjalën se në syrin e pranverës që do vinte do të bashkoheshin përgjithmonë", tregon Gashi. Shton tutje se të gjitha ato ditë të lumtura që i kishte kaluar me të dashurën nuk arrinte dot t'i hiqte nga mendja e tij dhe tërë atë pasdite mendohej se ç'të bënte. "Patjetër se duhej të pranonte ligjin e kanunit. Ai duhej të dalë në Fushën e Zallit për të përfunduar si të gjithë të tjerët, s'do të jetë as i pari as i fundit, kjo ishte njëra ndër legjendat e shumta për Drinin e Bardhë dhe për kurbanët në të kaluarën", tregon ai. Por, kurbani për Drinin e Bardhë vazhdon edhe në ditët e sotme ku ky lumë merr dy jetë njerëzish. Lugu i Drinit të Bardhë është një trevë e gjerë që përfshin fshatrat buzë Drinit të Bardhë, të cilat nga argumentet e gjetura arkeologjike paraqesin vendbanime të hershme ilire, që nga shekulli i parë dhe i dytë i lindjes së Krishtit. Këto burime arkeologjike dhe topografike janë ende prezente përgjatë rrëzë kodrës që nga fshatrat Tupec deri në fshatin Gradinë të Gjonajve. Legjenda e bartur që nga parahistoria fletë se macja dikur kishte kaluar kulm mbi kulm përgjatë këtyre fshatrave deri në Zym. Gjetjet e materialeve përgjatë kësaj rrëzëkodre të gurëve të akropoleve, varrezave etj. flasin pa dyshim për ekzistimin e lashtë të parahistorisë. Emërtimet e fshatrave në arkivat e ndryshme flasin për depërtimin dhe shtrirjen e perandorisë Romake në këtë anë, ndërsa ajo për fshatrat e Hasit flasin për dominimin feudal - kohën turke dhe atë të mëpasme.
 

(Kosova Sot)